Nga 4000 europianë në ISIS, 250 janë shqiptarë
Numri i luftëtarëve të huaj, që janë bashkuar me organizatat terroriste në Lindjen e Mesme, vazhdon të rritet.
Këtë e ka konfirmuar në një raport të fundit të saj, Qendra Ndërkombëtare për Studimin e Radikalizmit dhe Sigurisë në Mynih, sipas të cilit, kjo shifër tejkalon realisht 20.000 luftëtarë. Dhe duke shtuar se gati një e pesta e tyre janë shtetas të Europës Perëndimore.
Mes këtij raporti gjejmë të përmendur edhe Shqipërinë, për të cilën thuhet saktësisht se nga radhët e saj numërohen 90 luftëtarë xhihadistë.
Ndërsa për ata nga Kosova thuhet se numri i tyre është diku tek kufijtë prej 100-150. Ndërkaq, po sipas raportit në fjalë, bazuar në të dhënat e vitit 2014, që zotëronin shërbimet e inteligjencës europiane, shifra totale e evropianëve të angazhuar në radhët e ISIS-it është dyfishuar. Teksa harta e cila e shoqëron atë, tregon numrin e xhihadistëve europianë, që janë larguar për të luftuar krah terrorizmit, në Siri apo Irak, duke pohuar se nga rreth 4000 të tillë, vendet që kanë më tepër luftëtarë të tyre të rreshtuar në radhët e ISIS janë Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania, por nuk ngelen mbrapa as Belgjika, Danimarka. Madje shkohet edhe më larg, duke përmendur edhe vendet e ish-Bashkimit Sovjetik.
Por duket se ditët e fundit nuk kanë qenë në favorin e kalifatit islamik, pasi ata kanë humbur mjaftueshëm terren, si dhe qytetin strategjik të Kobanit. Sipas analistëve, kjo disfatë i ka zhgënjyer pritshmëritë e luftëtarëve të huaj, duke shtuar se një numër i konsiderueshëm i tyre do të përpiqen t’i shpëtojnë ISIS-it.
Në fund, Departamenti i Sigurimit në Mynih vlerëson se deri tani, 5-10% e xhihadistëve perëndimorë të huaj kanë vdekur, ndërsa 30% e tyre janë në tentativë të vazhdueshme për t’iu kthyer sërish vendeve të origjinës.
90
Luftëtarë xhihadistë që luftojnë përkrah ISIS vlerësohet se janë nga Shqipëria
150
Luftëtarë xhihadistë që luftojnë përkrah ISIS vlerësohet se janë nga Kosova