Nga Islami tek diktatori i kuq: Liria jonë në rrezik
Dikujt alarmi mund t‘i duket i ekzagjeruar, por censurimi i filmave, çështje për të cilën flitet prej ditësh, të risjell në kujtesë djegien e librave të autorëve hebrenj, gjatë diktaturës naziste. Ngjarja më e madhe e këtij lloji, ndodhi në Berlin në 10 maj të vitit 1933.
Atë natë, iu vu flaka mijëra vepraveve të cilësuara se ishin “kundër shpirtit gjerman”. Në të njëjtën ditë, Gëbelsi do të mbante një fjalim të zjarrtë, ku ndër të tjera do të deklaronte se djegia e librave ishte një mënyrë shumë e mirë “për të zhdukur, përmes flakëve, shpirtin e lig të së shkuarës “.
Sot në epokën e internetit, të djegësh një libër apo të ndalosh një film, nuk ka të njëjtën rëndësi. Megjithatë ekzistojnë forma gjithnjë e më të rafinuara, e hera-herës të rrezikshme, për të penguar lirinë e mendimit. Në thelb të gjithçkaje është si gjithmonë çensura.
Rasti më flagrant, është ai i ditëve të fundit me komedinë amerikane “The Interview” (Intervista), filmi parodi që ka tërbuar Korenë e Veriut dhe vrerosur regjimin e Pyongyang-ut dhe hakerave koreano-veriorë, kundër kompanisë Soni, që prodhoi filmin.
Filmi bën fjalë për dy gazetarë amerikanë, që gjatë tentativave të njëpasnjëshme, për të intervistuar Kim Jong Un-in, un rektrutuan nga CIA që iu beson atyre një mision sekret: të vrasin diktatorin!
Pas kërcënimeve të marra (njëri prej tyre: Do të shkaktojmë një 11 Shtator të ri!), filmi nuk doli në kinema. Vetëm pas presioneve të forta nga Shtëpia e Bardhë, e vendosur që të dekurajojë çdo lloj forme të çensurës në territorin e saj, filmi u vendos që të shfaqej në vetëm 300 salla kinemaje (nga 3 mijë të planifikuara), ditën e Krishtlindjeve.
Javët e fundit janë regjistruar raste të tjera flagrante të “çensurës”, kundër prodhimeve të ndryshme kinematografike. Egjipti dhe Maroku psh. kanë ndaluar shfaqjen e filmit “Exodus – Dei e Re” (Eksodi, perëndi dhe mbretër) i rregjisorit Ridli Skot. Filmi i bazuar në tregimin biblik të arratisjes së hebrejve nga Egjipti, zyrtarisht është bllokuar për shkak se i jep hapësirë “prezantimit hyjnor”, i ndaluar në gjithë botën islame.
Skena më e kontestuar e filmit, është momenti kur një fëmijë i shpall zbulesën Moisiut.
Në Marok, debati është disi më ndryshe. Aty nuk kemi një ndalim zyrtar të filmit, por thjesht një “sugjerim” që i është drejtuar të gjithë distributorëve: mos e shfaqni atë film në sallat e kinemave.
I pari që u zemërua jo pak me filmin “Exodus” ishte Egjipti, që akuzoi rregjizorin Ridli Skot për pasaktësi të mëdha historike. Pasaktësia e pare, sipas autoriteteve egjiptiane është se ndarja e ujërave në Detin e Kuq, i atribuohet një tërmeti, në vend të një mrrekullie (variant i njohur dhe mbështetur nga 3 besimet monoteiste).
Gabimi i dytë, ndoshta më i rëndi, është paraqitja në film sikur piramidat e famshme egjiptiane, u ndërtuan nga skllevërit hebrej. “Paraqitje e historisë nga një pikëpamje sioniste” – akuzojnë egjiptianët, duke marrë parasysh faktin se piramidat u ndërtuan shumë kohë para mbërritjes së hebrejve (të parat datojnë në shekullin XXVII para lindjes së Krishtit).
Por një film, që nuk është një dokumentar , mund të përmbajë edhe gabime historike. Mjafton të përmendim këtu filmin “Mrekulli në Sant’Anna” i vitit 2008 nga rregjisori Spaik Li, i frymëzuar nga masakrat e ndodhura gjatë Luftës së Dytë Botërore në Sant’Anna në majet e Versajës. Filmi kishte jo pak deformime historike.
Pati nga ata, që protestuan me zë të lartë, por kurrë në asnjë moment, nuk u mendua të ndalohej shfaqja e filmit. Pakistani nga ana tjetër, është kapur me një serial të famshëm televiziv amerikan “Homeland” (Atdheu) (një prej të preferuarëve edhe nga presidenti Obama), që flet për punën e CIA në luftën e përditshme kundër kërcënimeve të vazhdueshme të terroristëve.
Autoritet paakistaneze shqyrtuan me kujdes të 12 pjesët e sezonit të katërt, duke arritur në përfundimin se imazhi i vendit të tyre sipas këtij filmi ishte ai i një “honi infernal”, ku gëlojnë terroristët dhe i populluar nga njerëz thellësisht injorantë.
Në mesin e këtij debati, nuk u vlerësua as edhe “fotografia”, kur kryeqyteti Islamabad shpërfaqej si një xhungël e asfaltit dhe çimentos, pa patur praktikisht asnjë hapësirë të gjelbër. Zemërata u shtua, edhe pas marrjes në konsideratë të faktit që skenat në fjalë ishin xhiruar në qytetin e Kapos.
Por kritikat nuk u ndalën vetëm në aspektin estetik: “Të shpifësh ndaj një kombi, që është një partner i vjetër i SHBA-së, është një dëm që i bëhet sigurisë dhe interesave të Amerikës dhe vetë popullit amerikan” – u shpreh në një deklaratë zyrtare, Nadeem Hotiana, zëdhënës i ambasadës pakistaneze në Uashington. Pra nga një film shpërtheu një incident i vërtetë diplomatik.
Kush mendon se çensura ka të bëjë vetëm me islamin, gabon rëndë. Nuk ka nevojë që të ndalemi këtu mbi “Inkuizicionin e Shenjtë”, me listën e gjatë të librave që për shekuj i ndante në tekste të “mira” dhe “të këqija” (pra të ndaluara). Një film i Martin Skorcezes në vitin 1988, “Tundimi i fundit i Krishtit”, shkaktoi protesta të mëdha, madje ky i fundit vijon edhe sot që të jetë i ndaluar në Kili, Filipine dhe Singapor. Edhe filmi “Pasioni i Krishtit” i vitit 2004, me regji të Mel Gibsonit, gjeneroi kundërshti të forta, sidomos nga ana e hebrejve që asokohe folën për një formë “kinematografike” të antisemitizmit.
Filmi “The Profit” (Përfitimi), i promovuar në Festivalin e Kanës në vitin 2001, inatosi jo pak shientologjistët, që arritën madje të pengonin shfaqjen e filmit në SHBA, falë vendimit të një gjykate.
Të djegësh një libër, të pengosh shfaqjen e një filmi apo të bllokosh aksesin në internet, janë praktika që kanë më së paku një emërues të përbashkët: mohimin e lirisë së njerëzve, duke i shndërruar ata në të burgosur ose në rastin më të mirë, duke i cilësuar të paaftë për të kuptuar apo dashur lirinë. Duhet njohur dhe mbrojtur liria e plotë e kritikës e çdo lloj vepre që ka krijuar gjenia njerëzore. T’i ndalosh njerëzve të vendosin se çfarë duhet të lexojnë, dëgjojnë apo shohin ne kinema, është një akt i neveritshëm që na shpie prapa ndër shekuj./repubblica/
a.g./www.bota.al