Nga pritja e ëmbël te programi i PD-së, rrëfehet deputetja e PD: Ja ku i gjej energjitë, do jemi forcë e parë
Jorida Tabaku është drejt pritjes së ëmbël, por koha dhe energjitë nuk i kanë munguar edhe gjatë këtyre ditëve të fushatës elektorale. Ndjehet e lehtësuar, sepse sipas saj punon me një ekip të mrekullueshëm. Deputetja e PD-së është gjithnjë aktive sidomos në njësinë nr.8 ku është e angazhuar për zgjedhjet. Dhe ambiciet shkojnë më përtej kur bëhet fjalë për PD-në, të jetë partia fituese e 25 qershorit. Së bashku me një ekip të PD-së dhe me asistencën e ekspertëve të CDU-së gjermane të Kancelares Merkel, ajo ka qenë për dy vjet me radhë pjesë e grupit të punës për programin qeverisës të PD-së. Deputetja Jorida Tabaku shpjegon për “Gazeta Shqiptare” pikat kyçe të programit që nga taksa 9 %, ulja e TVSH 15%, rritja e punësimi e deri te reformat e tjera për të cilat shprehet se janë krejtësisht të realizueshme nesër në pushtet.
Tabaku ju kemi parë aktive si gjatë protestës 90 ditëshe të PD-së, por edhe tani që jemi në kohë fushate elektorale ndërkohë që jeni shtatzënë, në pritjen e ëmbël…
Në fakt, nuk kam dashur të flas për pritjen e ëmbël në publik, jam natyrë e rezervuar dhe familjare. Kam qenë aktive dhe do të jem derisa të kem mundësi, por ndonëse aktive në fushatë duhet të them se sot e ndjej veten të lehtësuar më shumë, sepse punoj me një ekip të mrekullueshëm njerëzish në degën 8 në Tiranë. Kam mbi 8 vjet që angazhohem në atë zonë duke ndarë me to edhe përditshmërinë, duke pasur takime të përjavshme me thuajse cilindo banor të lagjes. Kjo ka lehtësuar një pjesë të punës tani në kohën e fushatës, sepse as unë dhe as njerëzit e degës nuk janë të huaj për banorët. Sa i takon njerëzve të degës mund të them me bindje që më lehtësojnë punën dhe fushatën. Megjithëse këtë vit bashkë me mua janë dhe vajzat, të cilat më kanë dhënë energjinë, durimin dhe padyshim entuziazmin që vetëm fëmijët dhe lumturia që ato dhurojnë mund të ta nxjerrë më në pah.
Dhe ku e gjeni kohën dhe energjitë?
Kur bëhet fjalë për gjëra të bukura, koha e energjia gjenden!
Ku është përqendruar kryesisht fushata e PD dhe me çfarë synimi shkon opozita me 25 qershor?
PD-ja është forca më e madhe politike në vend dhe ajo hyn në këtë betejë elektorale për të qenë forcë e parë. Në katër vjet si opozitë kemi paraqitur alternativa qeverisëse në çdo fushë prandaj sot shkojmë të bindur se do t’ia arrijmë të jemi forcë e parë. Kjo bindje, megjithëse mund të duket se vjen nga euforizmi në të vërtetë vjen nga njohja dhe përbërja e shoqërisë shqiptare, shqetësimet e grumbulluara këto 4 vjet, të cilat i kemi vendosur në themelet e programit tonë qeveritar në një platformë gjithë përfshirëse. Bazat e kësaj platforme janë qeverisja e mirë përmes sundimit të ligjit, garantimit të pronës; përmirësimi i infrastrukturës ekonomike duke investuar në rrjete transporti, energjie, shërbimi dhe informacioni; fuqizim të kapitalit njerëzor përmes mbështetjes së arsimit, kualifikimeve si dhe rritje të konkurrueshmërinë duke mundësuar një sistem fiskal nxitës. Të katërt parimet e mësipërme jemi të bindur që mund të nxjerrin nga gjendja aktuale e mjerueshme një shoqëri, e cila mezi po arrin të përfundojë muajin dhe ku rrogat zhvlerësohen gjithnjë e më shumë nga një konsum i ulët. Sot e kësaj dite, shqiptarët konsumojnë më pak, shpenzojnë më shumë, kanë më pak besim tek shëndetësia dhe e shohin shtetin jo vetëm si një entitet që pengon lirinë e tyre por edhe që ndërhyn në kufizimin e saj. Pikërisht ne duam të zhbëjmë; këtë kulturë të shtetit në raport me qytetarin, duam t’i japim atij më shumë liri duke krijuar një shtet më të vogël, i cili të funksionojë si rregullator.
Ju kandidoni në Tiranë dhe renditeni e 6-a, por çfarë do të thotë për të jesh ‘mbi’ Sali Berishën në listë?
Për mendimin tim, lista e Tiranës ka në përbërje një ekip përfaqësues dhe natyrisht nuk ka qenë kriter kontributi dhe përvoja, se natyrisht asnjë nuk ka më kontribut dhe përvojë se Sali Berisha. Mendoj që është një ekip ku ka kombinim mes eksperiencës të atyre që e themeluan PD-në si z. Berisha, të brezit të dytë të kësaj partie që i kanë ngjitur shkallët një e nga një që nga forumi rinor, ngjitja e posterave, trokitja derë më derë apo dhe numërimi i votave pjesë të cilit jam dhe unë; dhe në fund është grupi i të rinjve. Për mua është privilegj të jem pjesë e listës dhe përfaqësuese e komunitetit të mrekullueshëm tiranas dhe ndjej një detyrim të madh të jem përpara një figurë si e z.Berisha, me të cilin kam punuar që kur isha zv. ministre e Integrimit dhe kur më dha mundësinë që të merresha me Pyetësorin e Integrimit Europian si dhe me Prioritetet e Integrimit Europian. Pa folur më pas për këtë katër vjeçar në Kuvendin e Shqipërisë ku si pjesë e tij kam pasur mundësinë ta ndjek nga afër mënyrën se si z. Berisha bën politikë. Do ta konsideroja një shkollë të madhe politike. Por siç e thashë në krye të përgjigjes, renditja në këtë listë nuk është përfaqësim për vlerat e gjithsecilit prej nesh në raport me PD-në, por një përzgjedhje për të kombinuar të rinjtë e ardhur nga akademia, shoqëria civile etj. që kanë fushatën e tyre të parë elektorale me ata me eksperiencë në parti.
A është e bashkuar opozita në Tiranë dhe cila është ambicia e saj?
Natyrisht që po! Në kryeqytet janë tre kandidatë të partive opozitare që po angazhohen në zona të rëndësishme dhe me numër të lartë votuesish. Siç po shoh, atmosfera është e mirë ndërkohë që besimi se mund të arrijmë një rezultat shumë më të mirë se në vitin 2013 ndjehet. Kjo jo vetëm për koniunkturën elektorale ku jemi sot, jo vetëm për shkak të gjendjes së rënduar që qeveria ka çuar një qytet si Tirana ku janë mbyllur rreth 2 mijë biznese, por edhe si pasojë e shpresës që opozita po reflekton ndër votues. Siç edhe është e kuptueshme, Tirana, duhet të ishte lokomotiva e ekonomisë sonë, por gjendja, në fakt, është e rënduar. Shqipëria ka një rritje ekonomike të dobët ndërsa bizneset po mbyllen edhe papunësia po rritet sipas INSTAT qarku i Tiranës ka një papunësi të lartë me 50.3% të papunë, kryetari i Konfindustria, jo më larg se disa ditë më parë lëshoi alarmin se shteti është në prag të shthurjes. Gjendja e bizneseve është e rënduar sidomos si pasojë e taksave lokale që janë rritur ndjeshëm që prej 2015 ku bashkia u mor nga mazhoranca aktuale. Po kështu huamarrja e bizneseve te bankat është e nivelit të ulët që do të thotë se bizneset nuk kanë ndërmend të investojnë për zgjerimin e biznesit të tyre. Kjo gjendje ekonomike shoqëruar me humbjen e shpresës ndaj një qeverie e cila pretendon të “bëj shtet” dhe që gjatë katër viteve e ka shthurur shtetin duhet t’i jepet një drejtim. Prandaj ne sot kemi paraqitur alternativën e një shteti që nuk shqetëson, një ekonomie të fortë për të mundësuar një të ardhme të sigurt.
Nisur nga slogani i PD-së, çfarë do të thotë “Ekonomi e fortë, e ardhme e sigurt”?
Gjendja aktuale e shqiptarëve është e mjerueshme, shumica prej nesh përpiqen të gjejnë një mënyrë për të mbijetuar apo duke u larguar nga vendi. Vërehet dhe ndjehet më shumë se kurrë mungesa e shpresës! Arsyet e largimit janë mungesa e lirisë për shkak të një qeverie që ndërhyn në liritë e individit siç edhe Rilindja ka bërë këto katër vjet duke marrë pronat padrejtësisht; si dhe përmes mungesës së të ardhurave për shkak të gjendjes së rënduar ekonomike. Ne besojmë se liria e individit vjen edhe përmes lirisë ekonomike dhe mundësisë për të kryer biznes. Për këtë arsye kemi ndërmend që të forcojmë këtë liri ekonomike, duke çliruar dhe ndryshuar rrënjësisht ekonominë shqiptare përmes taksave të ulëta, burokracisë minimale, ulje të arrogancës dhe arbitraritetit. Për rrjedhojë biznesi nuk ka pse ndihet i shqetësuar nga shteti që mezi pret rastin për ta zhvatur apo rënduar me taksa, le të kujtoj që vlera e taksave që ne paguajmë aktualisht është 1.5 mld dollarë. Kjo është vlera e taksave të rritura nga qeveria aktuale në kurriz të bizneseve dhe shqiptarëve, duke ia pamundësuar një sipërmarrësi zgjerimin e biznesit të tij apo formalizimin e këtij biznesi. Politikat tona të taksës mbi të ardhurat, taksës mbi fitimin dhe taksave të tjera do të jenë 9% duke u shndërruar në vendin me taksat më të ulëta në rajon, për të thithur kështu jo vetëm vëmendjen e kompanive ndërkombëtare që po e rimarrin veten nga kriza e disa viteve më parë; por mbi të gjitha për të maksimizuar sipërmarrjen vendase. Nga ana tjetër do të mbështesim fort ristrukturimin e thellë të ekonomisë shqiptare drejt sektorëve me produktivitet të lartë dhe teknologjisë së informacionit duke qenë jo vetëm përthithës të kompanive përmes taksave, por edhe një mundësi e mirë për të zhvilluar më tej Shqipërinë e të ardhmes. Vetëm përmes sigurisë së një ekonomie të fortë sot ne mund të ndërtojmë të ardhmen e sigurt të brezave!
Dhe sipas jush përse Shqipëria është e pashpresë?
Janë 104 mijë të rinj që janë larguar nga atdheu në katër vjet, potenciali i vendit tonë, që ndryshe nga viti 2005 ku qeveria aplikonte brain gain ka kaluar në “brain drain”. Nga goja e tyre dëgjohet “Shqipëria është e pashpresë”, një thirrje dëshpërimi që vjen si pasojë e politik bërjes për interesa të ngushta elektorale apo edhe personale të individëve të caktuar. Le të marrim përhapjen e kanabisit, u lejua që të shtrihej në gjithë vendin kështu që pushteti i qeverisë ta kishte sa më të lehtë kontrollin e zgjedhjeve, njëkohësisht të kënaqte të fortët që e forcuan pushtetin e saj dhe ndihmuan në një farë mënyre hipjen e saj katër vjet më parë. Kjo situatë, ku shteti haptazi bashkëpunon me palën e keqe në shoqëri, që ngre lart antivlerat njerëzore të gjithë pranuara, ku emëron të inkriminuar në qeveri, ku lejon vjedhjen dhe abuzimet, ku koncesionet në shëndetësi i quan “shëndetësi falas”. Ku sot e kësaj dite lufton fuqishëm për timonin dhe jo për shqetësimin e fshatit apo të riut nga qyteti që përfundon një shkollë dhe nuk ka ku punon, mungesa e shpresës është më e pakta që mund të themi. Por, me gjithë këto probleme unë ende besoj se ka mundësi që ky vend të ndryshojë për mirë. Natyrisht që ndryshimi s’mund të ndodhë brenda ditës, as brenda muajit, por jam e bindur që programi i Partisë Demokratike dhe qeverisja jonë mund t’i japë Shqipërisë hapat e parë apo dhe themelet për të ndërtuar një të ardhme me shpresë. Një të ardhme ku të rinjtë punësohen, ku paratë nuk shpenzohen për fasada qytetesh që nuk kanë rrugë të lidhen. Në një vend ku shteti nuk shndërrohet në kërbaç ku më shumë se 30 mijë qytetarë u shoqëruan nga policia në mënyrë të paligjshme në komisariat për mospagimin e energjisë elektrike. Ne nuk e duam këtë mënyrë qeverisje, sepse e dimë që kjo ia vështirëson jetën qytetarëve dhe ua largon shpresën për një vend më të mirë.
Ku e mbështet PD programin e saj ekonomik?
Ne synojmë që t’i japim një rol të ri shtetit në ekonomi me pjesëmarrje të tij jo vetëm në investime publike, por dhe si katalizator për të nxitur besim, konkurrencë dhe inovacionin. Duam që shteti t’i japë mundësi talentit dhe aftësive të tyre për t’u zhvilluar dhe për të çliruar tregun nga shtrëngimet e panevojshme fiskale. Do të angazhohemi në stimulimin e inovacioneve teknologjike duke synuar të lidhim njeriun me tregun, me dijen dhe mirëqenien. Duke shpenzuar jo më pak se 5% të GDP-së në infrastruktura multimodale transporti, energjetike, dixhitale ne synojmë t’i japim një tjetër zhvillim ekonomisë sonë. Një fokus të veçantë do të kenë edhe sektorët tradicionalë të ekonomisë që janë lënë në harresë, 300 mijë fermerë do të marrin 150 mln euro mbështetje të drejtë për drejtë krahas lehtësirave fiskale. Turizmi, gjithashtu, do të ketë një fokus të veçantë duke qenë se jo vetëm subvencionet, por, edhe politikat fiskale ne do t’i vendosim sipas zonave turistike duke lehtësuar dhe kontribuar në zhvillimin edhe të turizmit malor në veri të vendit. Gjithashtu, do të ulim me 40% taksën mbi të ardhurat dhe tatimin mbi fitimin duke krijuar më shumë mundësi për investime të reja dhe punësim. Do të mbështesim iniciativat për punësimin duke ulur me 26% taksën mbi punën, kështu që të rrisim më shumë se sa 1% të ndërmarrjeve të kenë të punësuar mbi 50 punonjës. Do të nxisim kredi dhënien duke nxitur strategjinë e subvencioneve ndër-sektorialë që inkurajohen nga rritja e sipërmarrjeve dhe nxitjes së konkurrencës së lirë. Do të ulim TVSH-në nga 20% në 15% për të rritur konsumin duke i kthyer qytetarëve 450 milionë euro në vit. Sakaq do të eliminojmë rreth 80% të licencave dhe lejeve që janë një pengesë burokratike ndaj sipërmarrjes, e cila shpenzon kohë, para dhe mund për të hapur vende pune. Kështu që ne synojmë të jemi një qeveri partnere dhe jo ndërhyrëse në tregun e lirë. Brenda vitit 2018, duam të jemi një nga vendet me taksa më të ulëta dhe ngarkesë administrative/rregullatore më të ulët në rajon dhe më gjerë.
A ka PD një shifër finale se sa buxhet i duhet asaj nesër në pushtet që ta nxjerrë vendin nga kriza ekonomike përmes programit të saj elektoral?
Synimi jonë përmes uljes së taksave është që të rrisim jo vetëm mundësinë e bizneseve për të ushtruar sa më lirshëm aktivitetin e tyre, por edhe për të rritur stabilitetin fiskal ndaj synojmë që përmes taksave të ulëta të grumbullojmë të ardhurat mbi 26% e GDP dhe po kështu të kemi shpenzimet nën 31% të GDP. Deficitin buxhetor do ta mbajmë të ulët në 3% e GDP-së duke ndjekur me besnikëri kriteret e Mastrihtit, duke ndjekur politika të kujdesshme dhe të balancuara si shpenzimet e tepërta të luksit që kjo maxhorancë i ka me qejf. Siç edhe kuptohet nga programi ynë elektoral ne kemi ndjekur strategjinë e prekjes së fijeve më nevralgjike për të çliruar energjitë e tregut dhe për të shtyrë sipërmarrësit të zhvillohen. Besojmë se incentivat fiskale si dhe përmbajtja jonë në shpenzimet e padobishme të luksit (90 mln USD) apo edhe marrja borxh e 377,3 milionë eurosh nga FMN që u shpenzua në po të njëjtën frymë. Investimet publike do të arrijnë shifrën e 100 mld lekëve në vit që do të jenë të tilla dhe nuk do fshihen pas shpikjeve si PPP-të apo koncesione klienteliste. Sikundër do të anulojmë të gjitha kontratat korruptive dhe klienteliste të koncesionarëve të çdo lloji.
Çfarë premton PD konkretisht për pensionistët, familjet në nevoje dhe të rinjtë?
Ne do të ri shohim edhe një herë atë çfarë rilindja e konsideron reformë në pension, por që sipas të gjithë treguesve financiarë është një gropë e madhe në buxhetin e shtetit. Do të rrisim subvencionet për familjet në nevojë duke filluar që me energjinë elektrike ku do t’i paguajmë 300 kv dhe duke vazhduar me ujin e pijshëm. Do të rikthejmë në skemën e ndihmës ekonomike 40 mijë familje të përjashtuara padrejtësisht, përmes uljes së TVSH-së do të ndikojmë në uljen e çmimeve të produkteve duke rritur konsumin e kësaj shtrese gjithashtu. Sa i takon të rinjve do të investojmë në sektorin arsimor duke fuqizuar sistemin arsimor para universitar dhe atë universitar. Ndryshimin dhe anulimin e ligjit të arsimit të lartë, miratuar nga një qeveri klienteliste në kurriz të Universitetit Publik dhe qytetarëve. Pagesën e tarifave për studentët në nevojë, investime në infrastrukturën e shkollave ku do të investohen rreth 25 mln euro çdo vit që të rinjtë të mësojnë përmes laboratorëve mbi teknologjinë dhe informatikën. Do të përmirësojmë infrastrukturën mësimore dhe të godinës që çdo fëmijë shqiptar, nga mosha 5 deri ne 18 vjeç, do e ketë dreken falas në të gjitha shkollat e Shqipërisë ku fëmijët do qëndrojnë nga ora 8 deri në 16 të angazhuar në mësim, sporte dhe studim. Do të integrojmë arsimin profesional për ta futur atë jo vetëm në nivele para universitare, por edhe në atë universitar, kështu që të rinjtë të kenë mundësinë e një zanati. Sikundër do të paguajmë stazhin me vlerën e 20 mijë lekëve sipas meritës për t’i lidhur studentët me tregun e punës, do të lehtësojmë bizneset që punësojnë të rinjtë si dhe çdo sipërmarrje rinore (aq më tepër në fushën e teknologjisë dhe informacionit) do ta mbështesim përmes politikave lehtësuese në kredi marrje. Këtu dua të shtoj edhe dy grupe të tjera shoqërore që qeverisja aktuale i ka dhunuar dhe përbuzur në katër vjet; të përndjekurit politik dhe pronarët. Shkalla e papunësisë tek të përndjekurit është mbi 30%, të rinjtë që vijnë nga kjo shtresë kanë një papunësi të barabartë me mbi 45%. Dëmshpërblimi ka ecur me ritme më të ulëta se sa në qeverisjen në kohën e PD-së. Aksesi në administratë apo në funksione të tjera publike është jashtëzakonisht i ulët. Pretendohet se u është rikthyer dinjiteti, ndërkohë që për katër vjet kryeministri lejoi fotografinë e diktatorit Hoxha në varrezat e dëshmorëve të kombit, ish-ministra (z.Nasip Naço) janë përkulur përballë fotos së Enver Hoxhës në Berat, kabineti qeveritar ka përkujtuar Kongresin e Përmetit me shall pionierësh dy vjet më parë, qeveria ka dekoruar hetues dhe kriminelë të periudhës komuniste me medalje disa vite më parë. Ka premtuar mosnjohjen e letra me vlerë (të shpërndara në fillim të viteve 1990) në kompensimin e të përndjekurve dhe nuk e ka zbatuar. Ka premtuar shlyerjen e kësteve për të gjithë të përndjekurit që janë gjallë dhe nuk e ka mbajtur. Komunitetit të pronarëve të tokës kjo qeveri u ka çuar peshqesh ligjin e ri të kompensimit të pronave që ia kompenson tokën me vlerën e vitit 1945, është e njëjta qeveri, e cila miratoi ligjin e Investimeve Strategjike që ia merr pronën një pronari për 5 lekë për t’ia dhënë një oligarku që mundet ta rishesë me vlerën e tregut. Këtyre dy grupeve, të cilët janë jo pak të ndërlidhur me njëri-tjetrin në programin e PD-së mundet të gjejnë jo vetëm një vlerësim të lartë mbi pronën, por edhe një zgjidhje sa i takon detyrimit financiar që shteti i ka ish-të përndjekurve politikë. Sikundër një sërë masash institucionale dhe arsimore për të mbajtur gjallë kujtimin e kohës së errët komuniste dhe vuajtjet e tyre. Do të përfshihen dhe familjet e tyre që janë në kushte të vështira në skema subvencionesh për t’u lehtësuar nga çmimi energjisë si dhe zgjidhur problemi i strehimit.