Nga shiu në breshër
Nga Hyskë Borobojka
U mbushën plot dy vjet, pesë muaj e 15 ditë, që bëra proçkën e pashpjegueshme, u mundova të vija vetulla e nxora sytë me duart e mia. I vura ferrën shtëpisë e katandisë, aq sa jam bërë si i lajthitur e llafosem me vete. Shtrydh mentë (që kur vijnë s’i hanë as qentë). Me pak fjalë, shkova te kutia e votimit dhe e dhashë votën time të shtrenjtë “batiava” për kandidatët e krahut të majtë të politikës sociale. Si mos e jepja votën time të shtrenjtë “batiava” për këtë forcë politike, që do të më shpëtonte nga shiu i krahut të djathtë që më kishte bërë pellg, aq sa e ftohta më kishte hyrë deri në palcë. Isha i patundur në besimin tim, se vota ime e shtrenjtë (dhe e shumë të tjerëve si unë), do të shpërndante retë e zeza, do kthjellonte qiellin kristal, do më nxirrte në diell të thahesha e të ngrohesha. Ku ta dija se në vend të shiut do vinte breshëri, që jo vetëm të lak e të ftoh, por edhe të shushat me kokrrat e tij të ngrira. M’i muarr mentë e kokës, premtimet e kësaj force politike me emri e madh “Rilindje”, pasi kisha mbetur i zhgënjyer, jo një javë, një muaj, por tetë vjet me radhë nga krahu i djathtë, që kishte ardhur me bujë e tamtame të mëdha, me duar të “pastra”, por me që s’kishte ujë s’i lau dot e iu bënë këllirë e zhul. Mendoja se “Riindja” e tyre do të kishte burra të shquar, si rilindasit historikë, që e shkrinë pasurinë për Shqipërinë dhe s’më shkonte në mend, se këta të vetëetikektuar me këtë emër të madh do ta rripnin Shqipërinë për të shtuar pasurinë e tyre, kurse mua me shokë na sollën peshqesh korrupsionin, krimin e organizuar, varfërinë, brutalitetit që te qeveritari i lartë e deri te nëpunësi partiak.
Si të mos shkoja te kutia e votimit t’ia jepja votën time të shtrenjtë “batiava”, kësaj “Rilindje të re”, që s’la rrugë, shesh e miting, pa brohoritur e fryrë bullçitë, se me ardhjen e saj në pushtet, katrani do të zbardhëllonte, shëndetësia do të ishte falas dhe do më bënte derman mua të gjorit (dhe shumë hallexhinjve të tjerë), me nëntë diagnoza sëmundjesh në trup, si Gjergj Elez Alia, me nëntë plagë. Nuk do ndiqja klinikat e spitalet private, që të linja leshtë e kokës nga çmimet kripura të tyre, por do mjekohesha e shërohesha batiava.
Si mund të mungoja ditën e zgjedhjeve te kutia e votimit e të mos e jepja votën time të shtrenjtë “batiava”, për këta zotërinj përmbi zotërinjtë, për këto zonja përmbi zonjat, kur më buçisnin veshët nga premtimet e mëdha, se do të hapnin 300 mijë vende pune, se për të kryer me së miri këtë zotim kishin hapur disa dhjetëra e qindra zyra pune luksoze. Si mos gëzohesha e mos fluturoja me krahë, kur dëgjoja premtimet se do të ulnin pagesën për energjinë elektrike. Do ta rrisnin atë pak pension që gëzoja, se në atë mori vendepune do të gjendej një qoshe për nikoqiren time, që ka dy vjet e ca që mat rrugët e Tiranës për së gjati e për së gjeri. Do të kishte në këtë lumë të madh vendesh për këdo dhe të papunët s’do të merrnin arratinë, nga sytë këmbët, nëpër botë. Dhe këta s’janë njëqind, një mijë, por 40 mijë e kusur, brenda gjashtë muajve. Ku ta dija se këto zyra luksoze të punës vetëm regjistrojnë të papunë, por nuk punësojnë.
Si të mos e jepja votën time të shtrenjte “batiava”, kur autoparlantët shqyenin gojën e ulërinin se do të vinin në binarë drejtësinë, parimet e së drejtës dhe do të bombardonin e do asgjësonin korrupsionin e të gjitha prapësitë e kaluara, që ma kishin shpurë shpitin në majë të hundës. Si të mos ia jepja votën time të shtrenjtë “batiava” kësaj force politike që rrihte gjoksin e zotohej se ishte kokë e këmbë në mbrojtje të qytetarëve të thjeshtë, se do më shpëtonte njëherë e mirë nga kusuret. Ku ta dija unë i gjori (e shumë si unë), që dhamë votat tona të shtrenjta “batiava” se do binim nga shiu në breshër, se kjo forcë politike me premtime shumë do na rripte lëkurën me taksa të shtuara, se duaxhijtë e saj do zaptonin tokat private e “belike” e do ndërtojnë vila pallate e qendra turistike.
Si të mos ia jepja votën time të shtrenjtë “batiava” kësaj force politike që zotohej e përgjërohej gjatë fushatës elektorale, se do t’u priste duart e do t’u tregonte vendin zullumqarve e hajdutëve të mëdhenj. Ku ma merrte mendja se premtimet e tyre që u derdhën lumë e përrua, tani këndojnë këngën që pushoi, të një kroi që shteroi.
A mund ta kurseja votën time të shtrenjtë e të mos e jepja “batiava” për këta zotërinj e zonja, që premtonin me bujë e mburreshin se do krijonin shtet, do t’u tregonin vendin gjithë atyre që hanin, pinin e rrëmbenin me të dy duart si të babëzitur. Ku ma merrte mendja ime, sa një kokërr gruri, se miletin e varfër do ta ngopnin me taksa, do prozvaln të mjerët e do nderonte të pavlerët, se do t’i thoshin dhunës, aferim, do t’i jepnin rrenës “ferman”, do t’i thoshte korrupsionit, ku të kam, do ta kishin trafikantin, xhan, do t’i thoshin krimit e drogës, ku të kam, që s’do ta prishnin kurrë gojën, me ata që ua kanë nevojën. Ku më qarkullonte në mend se do të zinin karriget e pushteti shumë nga ata që kishin lëpirë çdo sahan, që i thoshin lepurit, luan e peshkaqenit “sulltan”. Tani pas dy vjetëve, pesë muajsh e 15 ditë e harruan premtimin e bujshëm dhe në vend të kusarëve vjedhësve, matrapazëve e peshkaqenëve të mëdhenj futin në burg ndonjë “cironkë” fukara për kuponin tatimor.
Si të mos ia jepja votën time të shtrenjtë “batiava” kësaj kopeje politike, që premtoi sa u lodh se do të zhdukte nga faqja e dheut padrejtësitë, se do të krijonte një sistem legal të pakorruptuar, ligjor e profesional, do ligjëronte një gjykatë të pavarur, që jep drejtësi dhe vetëm drejtësi. Por në vend të tyre krijoi një anarshi, që s’e merr vesh qeni të zotin.
A mundet ta merrja me mend, kur shkova para kutisë së votimit për të dhënë votën time të shtrenjtë “batiava”, se Parlamenti do të mbushej me banditë e trafikantë, se do të bëheshin “Baballarë të Kombit” e do krijonin një qeveri, që dështimet t’i quaj suksese, shpërdorimet kursime, se fryn bulçitë e trumbeton me bujë, se ka arritur e po arrin fitore mbi fitoret, se ka korruar e vazhdon të korrë “suksese” në të gjitha fushat që ka mbjellë. Por ja, tani, pas dy vjet, pesë muaj e 15 ditë, kam mbetur i pataksur, kur marr vesh se në vend të “sukseseve” paskemi “dështime”, në vend të ngjiteshim lart në tabelën e klasifikimit të ekonomisë, kemi zbritur poshtë, nga vendi 62 në 97. U zotuan e u përgjëruan se do ta ngrinin ekonominë lart e më lart drejt mirëqenies, por e fundosën 35 vende më poshtë, duke zënë fundin në rajon.
Ku ta dija unë i gjori (e shumë si unë) që dhamë votën tonë të shtrenjtë “batiava”, se reformën e “Ndarjes Territoriale” e paskan bërë për të na hedhur hi syve, për të marrë vota. Shtimin e taksave e paskan vendosur, përveç qejfeve të tjera, për të blerë makina lluksoze, që të mos u vriteshin të ndenjurat, kur të kapardisen në to si maçoku në thekër.
Ku ma rrokte mendja ime e vogël që kjo forcë e re politike me rrënjë të vjetra, do pagëzonte një qeveri të molepsur me shumë gjynahe e vese. Gjatë fushatës elektorale mbolli sa u lodh premtime e suksese në të gjitha fushat, por koha rrjedh e shkon, si uji në përruan e Lanës dhe, në vend të korrnin fitime, vazhdojnë të korrin dështime, duke i matur “sulseset” e arritura me hijen e tyre të mëngjesit.