Nga shiu në breshër

Nga Hyskë Borobojka

Demo Demushi, si u end e erdhi vërdallë në vend të huaj, si emigrant ekonomik, vendosi të kthehej atje ku i kishte rënë koka. Si i thonë “guri i rëndë në vend të vet”. I bëri gati e i mbylli valixhet për t’u nisur Por, (eh, kjo qerrata lidhës kundërshtore, që përsëritet shpesh) përpara s’e merrte rrugën me këmbë të mbarë, (për fatin e tij të mirë apo të keq), ato ditë kishte ardhur në shtetin fqinj një shok i tij i vjetët, që ishte bërë politikan me peshë. Por për fat të keq në atë kohë partia e tij ishte në opozitë. Kur mori vesh se emigranti Demo Demushi, kishte vendosur të kthehej në atdhe, pa e përshëndetur mirë, e qortoi rëndë:

-Ku do vesh, o lumë e përrua, s’e ke marrë vesh si është katandisur vendi ynë?!

Dhe filloi t’i radhiste të gjitha të këqijat, që kishin pllakosur Shqipërinë e gjorë, ku ishin ulur këmbëkryq varfëria dhe mjerimi, nga Vermoshi në Veri e deri te Gjiri i Lalzit në Jugë, nga Nemërçka e Dhëmbeli në detin Jon e Adriatik në Perëndim. I përmendi papunësinë, që për të zënë një vend punë, më mirë të kishe një mik e një qese me para se një çiflig (këtë të fundit e kanë kismet qeveritarët). Nuk la pa i përmendur korrupsionin, që bredh çpenguar që nga kreu i qeverisë deri zyrtari partiak. I tha se drejtësia është kthyer në padrejtësi, ku s’ha dot bukë ligji, por Maliqi

-Mos harro dhe ngulite mirë në kokë! Krimet po ia marrin frymën qytetarëve, aq sa mund të ngrysesh i gjallë në darkë e të gdhihej mehit në mëngjes. Zotër të vendit janë bërë kallashnikovi dhe tritoli. Na piu prostitucioni. E rrit vajzën si selvi, ta rrëmben tjetri e ta kthen në xhadi?! Është krijuar një sistem korruptiv, që korrupton jo vetëm shqiptarët, por edhe fqinjët, italianë e grekë, madje edhe gjermanët. Duhet të jesh budalla me brirë të kthehesh sa janë në pushtet demokratët, “që të mjerën Shqipëri e kanë qitë me krye në hi”, siç thotë Vaso Pashë Shkodrani?! Duro o i duruar që ke duruar kaq kohë!

Pas këtij leksioni që i bëri politikani i lartë i opozitës, Demo Demushi, i ktheu majat e këmbëve nga thembrat e vendosi të mos ia hiqte vetes ndjatisthimin “emigrant”. Nuk kishin kaluar më shumë se dy vjet nga ajo bisedë e rrallë, kur një ditë të bukur vetë përsëri në vendin ku jetonte emigranti Demo, miku i tij. Edhe kësaj here, pa u përshëndetur mirë me të, i tha:

-Akoma rri këtu ti miku im? Se ke marrë vesh se Shqipërinë e kemi “rilindur” me “Rilindje të madhe”!

Kësaj here ai nuk ishte një politikan opozitar, por qeveritar i lartë. Me fjalë të zjarrta i bëri Demos një rezyme të sukseseve, duke i thënë se ajo që nuk ishte bërë në Shqipëri për njëzet vjet, e bëri qeveria e “Rilindjes” brenda një viti e gjysëm! E informoi se e gjithë qeveria me në krye kryeministrin është zotuar, që t’i garantojë çdo shqiptari mundësi të “barabarta” për të jetuar me gjithë të mirat e për t’u pasuruar. I tha se tani bashkatdhetarët e tij s’kanë nevojë të ikin nga sytë këmbët emigrantë për të siguruar një jetë më të mirë, se janë hapur aq shumë zyra “moderne” punësimi, që kanë “punësuar” e vazhdojnë të “punësojnë” shqiptarët. Madje po vijnë edhe të huaj nga jashtë për t’u punësuar.

-Mund të them se qeveria jonë në disa vendbanime ka ngjitur në mure njoftime e lajmërim, madje ka shpallur edhe në gazeta, duke i ftuar qytetarët të paraqiten sa më parë në vendet e punës që janë hapur. Këto të fundit kanë kaq kërkesa për punonjës, sa i presin me krahë hapur. Pas kësaj bisede të “sinqertë” me anëtarin e qeverisë së majtë, Deno Demushi, si u përshëndet me miqtë e tij, i bëri përsëri gati valixhet, i futi në bagazhin e makinës dhe pa i zbardhur mirë vetullat malet, bëri nisjen me këmbë të mbarë, tërë gaz e hare për në vendin e tij. Kaloi gjithë qejf e gëzim kufirin, duke mbaruar punë me policët e doganierët (natyrisht pa i lënë pa darovitur me pakogjë) dhe i dha gaz makinës për të arritur sa më parë në qytetin e tij, të çmallej me njerëzit, me miqtë e shokët, pas kaq vitesh emigrant në tokë të huaj. Makina, edhe pse e vjetër, atë ditë, sikur të merrte pjesë në gëzimin e tij, nuk ecte me goma, por fluturonte. Kishte kaluar pjesën fushore e po hynte mes disa kodrave të dendura me pemë, kur ç’të shohë?! Përpara i dalin tre njërës me maska në fytyrë e më armë në duar. I dhanë sinjal me grykët e armëve të qëndronte në vend e të mos lëvizte, pasi kishte për të shlyer disa “borxhe”

-Nuk i kam borxhe askujt!- u tha Demoja.

Na ke ne, prandaj zbrit nga makina e na dorëzo paratë që ke fituar në kurbet! -urdhëroi njëri prej tyre.

-Të fitoja e të pasurohesha në vendin e huaj, me krizë të madhe, nuk do të kthehesha në vendin tim!

-Mos e bëj fjalën dy, në do ta mbash kokën mbi supe. Apo ke qejf të ta kollit kallashnikov në lule të ballit, që të vesh në esfel të gomarëve e të puthsh dheun.

-Apo ke dëshirë të të vëmë tritolin, të mos duket as nami as nishani! – e kërcënoi i treti nga maskat e zeza. Pas këtij “sqarimi” të tre maskat u kapardisën në makinën e tij e u zhdukën pa lënë “gjurmë”. Fakiri Demo mbeti me gisht në gojë, si hu gardhi në mes të rrugës, duke mallkuar me rrënjë e me degë qeveritarin e lartë, që ia mbushi mendjen të kthehej për të shijuar “Rilindjen” e dytë në atdhe. Iku nga shiu e ra në breshër. Por u ngushëllua se mundi të regjistronte emrin në njërën nga zyrat moderne të punësimit, me shpresë, se vinte ndonjë sahat i haurit e zinte punë në 300 mijë vendet e punës të premtuara.

 

 

            

SHKARKO APP