Nikolin Jaka: Ligji për gjobat në Gjykatën Kushtetuese

 

Biznesi vendas, duket se po e mendon seriozisht për t’i çuar ndryshimet e Procedurave Tatimore
( ose siç njihet ndryshe ligji i ‘Supergjobave’) në Gjykatë Kushtetuese. Gjatë një takimi të organizuar nga Fondacioni për Liri Ekonomike, kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Nikolin Jaka deklaroi se ndryshimet e propozuara do t’i çojnë për interpretim në Kushtetuese brenda muajit nëntor dhe për këtë ata do të konsultohen edhe me juristë.

“Jemi në fazën e organizimit për të strukturuar kërkesën tonë, për të shkuar në Gjykatën Kushtetuese, sidomos për kalimet që janë bërë. Do të bëjmë një analizë më të theksuar të sistemit fiskal në Shqipëri sepse kemi shumë probleme me aktet nënligjore, që tejkalojnë ligjin në zbatimin e tyre. Pothuajse brenda një muaji mund të konkludojmë lidhur me këtë çështje, por paraprakisht po presim që të dështojë nisma për ndryshime në Kodin Penal në mënyrë që të orientohemi për precedentë të tjerë”.

Edhe kreu i Dhomës Amerikane Mark Crawford tha se po studjohet kjo mundësi, ndërsa pritet që të artikulohet një vendim më i qartë pas mbledhjes së bordit drejtues. Sipas tij do të ndiqen në vijmësi edhe vendimet e dhomave shqiptare të tregtisë.

Përfaqësuesit e biznesit gjithashtu shpresojnë që Kuvendi të mos miratojë ndryshimet në Kodin Penal, që nuk bëjnë gjë tjetër veçse ashpërsojnë masat deri në burgim.

Në një pronocim për “Monitor” prof.Arben Malaj, ish ministër i Financave dhe president i IPPM (Instituti për Politikat Publike dhe Qeverisjen e Mirë argumentoi se : “Dihet që kontrollli i parë i çdo drafti ligjor është kushtetueshmëria e tij, pra a bie ai ndesh me kushtetuten e vendit tënd, ku përfshihen edhe vendimet e gjykatës kushtetuese”, ndëssa solli në kujtesë edhe një shembull që mund të paraqitet si kazus.

Ndër masat kryesore që forcohen në Ligjin e Procedurave janë:

-10-fishimi i gjobës për mosdeklarim punonjësish për biznesin e vogël, në 500 mijë lekë;

-gjobë 500 mijë lekë dhe kallëzim penal për mosdeklarim real të pagës;

-gjobë 500 mijë lekë për mosdeklarim adrese;

-e drejta për të mos paguar nëse nuk merr faturën;

-ndalimi i shumicës për të shitur mallra tek individët; konfiskim i deri në 50% të xhiros nëse ke detyrime

– gjobë 10 milionë lekë për tregtuesit e shumicës, që tregtojnë mallin pa dokumente tatimore

-Moslëshimi i kuponit, gjoba për biznesin e vogël 10-fishohet nga 50 mijë në 500 mijë lekë./ Monitor

SHKARKO APP