Nis puna për rilindjen e Kalasë së Elbasanit, hapi i parë drejt transformimit të një lagjeje historike
Ka nisur zyrtarisht puna për rilindjen e Kalasë së Elbasanit, një nga zonat më të rëndësishme historike dhe identitare të qytetit. Sot u zhvillua takimi i parë i punës për Analizën Fillestare të lagjes “Kala”, ku u diskutuan qasjet strategjike dhe vizionare për rikualifikimin dhe rijetëzimin e kësaj zone unike.
Në fokus të diskutimit ishte koncept-idea e projektimit, e cila do të shërbejë si një udhërrëfyes i ri për transformimin e Kalasë, duke ruajtur autenticitetin historik dhe trashëgiminë kulturore, si dhe duke krijuar mundësi për zhvillim të qëndrueshëm kulturor, turistik dhe ekonomik.
Takimi u zhvillua në prani të Ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, drejtuesit politik të qarkut Elbasan, Arbjan Mazniku, kryetarit të Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, si dhe ekspertëve dhe specialistëve të fushës.
BID Elbasan, në bashkëpunim me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), po ndërton një vizion të përbashkët për ta shndërruar lagjen Kala në një destinacion referencë, një hapësirë të gjallë dhe funksionale, të lidhur ngushtë me identitetin dhe jetën urbane të qytetit.
Ky takim shënon një fillim të rëndësishëm për një projekt me ndikim afatgjatë, i cili synon jo vetëm restaurimin fizik të zonës, por edhe rijetëzimin social dhe ekonomik të saj, duke e kthyer Kalanë e Elbasanit në një pikë kyçe të zhvillimit turistik dhe kulturor të qytetit.
Kalaja e Elbasanit është një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë historike dhe kulturore në Shqipëri. Ajo u ndërtua në vitin 1466 nga Sulltan Mehmeti II, mbi rrënojat e qytetit antik romak Skampis, duke shërbyer si një pikë strategjike mbrojtëse përgjatë rrugës së lashtë Via Egnatia.
Brenda mureve të saj ndodhet lagjja “Kala”, një hapësirë unike e banuar pa ndërprerje ndër breza, ku bashkëjetojnë monumente kulti, shtëpi karakteristike dhe rrugica me kalldrëm.
Në brendësi të Kalasë ndodhen objekte me vlerë të veçantë historike dhe fetare, si Xhamia Mbret, Kisha Ortodokse e Shën Marisë, Kulla e Sahatit dhe banesa tradicionale elbasanase, të cilat dëshmojnë për tolerancën fetare dhe bashkëjetesën kulturore ndër shekuj.
Kalaja e Elbasanit përfaqëson jo vetëm një monument arkitektonik, por edhe një identitet të gjallë kulturor, ku historia ndërthuret me jetën e përditshme të komunitetit. Për shkak të kësaj vlere të rrallë, lagjja Kala konsiderohet një pasuri me potencial të madh për zhvillimin e turizmit kulturor dhe për rijetëzimin urban.
Projekti i rijetëzimit të Kalasë së Elbasanit synon të ketë në qendër të vëmendjes komunitetin vendas, duke përmirësuar cilësinë e jetës së banorëve të lagjes Kala. Rikualifikimi i infrastrukturës, restaurimi i objekteve historike dhe krijimi i hapësirave publike do të sjellin më shumë siguri, akses më të mirë në shërbime dhe një mjedis urban më funksional, pa cenuar jetën e përditshme dhe traditat e banorëve.
Përmes këtij projekti, banorët pritet të përfitojnë nga rritja e vlerës së pronës, krijimi i mundësive të reja punësimi në sektorët e turizmit, artizanatit dhe shërbimeve, si dhe nga gjallërimi ekonomik i zonës.


KOHA JONË SONDAZH

