Nis sot aksioni i tatimeve ndaj biznesit
Edhe pse ligji për procedurat e reja tatimore është pezulluar aktualisht nga Gjykata Kushtetuese, duke nisur nga sot, Tatimet nisin “sulmin” ndaj biznesit. Konkretisht, autoritetet tatimore kanë të drejtën që të nisin kontrollet e inventarëve ndaj sipërmarrjes private në rang vendi, njësoj siç edhe kishin paralajmëruar gjatë vitit të kaluar. Mesa duket, pezullimi nga Gjykata Kushtetuese i ndryshimeve të fundit të ligjit për procedurat tatimore, që parashikonte ndër të tjera vetëdeklarimin e mallrave pa faturë deri në 31 dhjetor 2015, nuk do të ndikojë në planin e tatimeve për të filluar kontrollin e inventarëve të bizneseve nga 5 janari 2016. Kujtojmë se gjatë muajit dhjetor të vitit të kaluar, Tatimet i njoftuan publikisht bizneset se kontrollet tatimore për mallrat dhe materialet që ata disponojnë do të nisin duke nisur nga nga 5 janari 2016 dhe se në këtë kontroll do të bëhet verifikimi i inventarit të mbylljes së vitit, me atë fizik. Për të mundësuar kësisoj verifikimin e saktë për secilin aktivitet privat në rang vendi të situatës së blerjeve, por edhe asaj të shitjeve.
Ja si do bëhet verifikimi i inventarëve
Sipas Tatimeve, brenda datës 05.01.2016, bizneset duhet të bëhen gati për t’u verifikuar:-Inventari kontabël i mallrave për shitjes të datës 31.12.2015;-Inventari kontabël të lëndëve të para të datës 31.12.2015;-Inventari i prodhimit në proces i datës 31.12.2015;-Inventari i produktit të gatshëm i datës 31.12.2015. Inventarët duhet të jenë të detajuar në artikuj, njësi, sasi, çmim, vlerë dhe të ndarë sipas adresës së ushtrimit të aktivitetit të biznesit në fjalë (qoftë magazinë, pikë shitje me shumicë, pakicë etj.) Gjithashtu, bëhet e ditur se fletët e inventarëve duhet të jenë të nënshkruar në çdo faqe nga administratori i tatimpaguesit dhe të vulosura.