Nis vaksinimi i personelit shëndetësor në QSUT kundër gripit sezonal
Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë ka filluar vaksinimi i stafit mjekësor kundër gripit sezonal për sezonin 2025-2026.
Drejtoresha e Spitalit Infektiv, prof. Najada Çomo, i bëri thirrje të gjithë stafit mjekësor, infermierëve, punonjësve mbështetës dhe kujdesit social e shëndetësor të kryejnë vaksinimin pa vonesë.
“Stafi i shërbimit infektiv, i cili përballet direkt me pacientë që kanë sëmundje virale, përfshirë gripin, nisi sot vaksinimin. U vaksinuan një grup mjekësh, infermierësh dhe sanitarësh, ndërsa në ditët në vijim do të përfundojmë vaksinimin e plotë të stafit”, njoftoi Çomo përmes një videoje në rrjetet sociale, publikuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Ajo theksoi se vaksina kundër gripit është mjeti më efektiv për të parandaluar infektimin nga virozat e stinës dhe bëri apel që të gjithë ata që kanë sëmundje kronike, si dhe personeli që punon me pacientë – përfshirë psikologët, sociologët dhe stafin në azilet e të moshuarve – të vaksinohen menjëherë në vendet e punës, ku vaksina tashmë ka mbërritur.
Ministria e Shëndetësisë njofton se qytetarët që dëshirojnë të vaksinohen mund të rezervojnë termin e tyre përmes platformës e-Albania, ndërkohë që fton publikun të drejtohet në qendrat më të afërta të vaksinimit.
Fushata antigrip nisi më 22 shtator dhe në vend janë shpërndarë 280 mijë doza vaksine, në dispozicion për qytetarët në të gjithë qendrat shëndetësore. Procesi i vaksinimit të personelit shëndetësor vijon në të gjitha qarqet e vendit, ndërsa janë paralajmëruar përfshirje prioritare për qytetarët mbi moshën 65 vjeç, gratë shtatzëna, fëmijët dhe personat me sëmundje bashkëshoqëruese.
Udhëzimet e Ministrisë nënvizojnë se vaksina antigrip rekomandohet për,Personat mbi 65 vjec te sëmurët kronikë,personat me probleme të sistemit kardiovaskular, pulmonar dhe renal, gratë shtatzëna dhe fëmijët mbi 6 muaj
KOHA JONË SONDAZH

