Një apel kolegëve; Miq, mjaft më me Berishën! Është e lodhshme e gjitha kjo!
Nga Mustafa Nano
Në parlamentin e djeshëm pati një debat mes palëve lidhur me situatën që është krijuar për shkak të përmbytjeve në jug e në pjesë të tjera të vendit, dhe aty, siç pritet në rrethana të tilla, shkëlqeu Sali Berisha me përroin e vet të ndërgjegjes.
Dhe kështu ai u bë sërish, për herë të n-të, një lajm nacional. Mediat televizive e transmetuan live, dhe e ritransmetuan pa pushim gjatë gjithë ditës, ndërsa mediat në versionin print dhe online ia zbardhën të gjitha fjalët që tha, dhe ia publikuan të pacensuruara.
Ai ka bërë bash këtë gjë qysh prej 23 qershorit. Me synimin për të qenë i pranishëm në skenë, nuk ka lënë ditë pa publikuar në profilin e tij në facebook mesazhe të njëjta me ato që lëshoi në seancën e djeshme të Kuvendit të Shqipërisë. Ju ka shkuar në mendje se çfarë mund të dalë po të mbledhësh çfarë ai ka shkruar në facebook (është e kollajtë të merren, sepse aty janë)?
Ka për të dalë një libër i rrallë, madje unik, që nuk turpëron vetëm atë. Na turpëron të gjithëve, pasi këtë njeri e kemi patur President për pesë vjet, Kryeministër për tetë vjet, e kryetar edhe sot e kësaj dite të njërës prej dy partive më të rëndësishme të vendit.
Unë doja t’u bëja një apel kolegëve të mij, që të merren sa më pak të jetë e mundur me të, t’i kushtojnë vëmendje veç në rastet kur ai është zëri ekskluziv i PD-së për një çështje të caktuar, dhe ta injorojnë e censurojnë në të gjitha momentet e tjera të çoroditjes e të çakërdisjes.
Nuk është e drejtë të merremi pa fund me të. Nuk i shërben askujt, me përjashtim të atij vetë, kjo vëmendje. E prandaj, qoftë edhe për të mos bërë lojën e tij, do ishte mirë ta injoronim. Nuk mendoni edhe ju kështu?
respublica.al