Një artiste shqiptare finaliste në Monaco

Blerta Haxhillari Llace dhe piktura e saj që flet më shumë se para disa ngjyrash peneli

Nga Hyqmet Zane

Vorbulla politike në vendin tonë, ndonjëherë të le në enigmë evenimente të tilla ndërkombëtare siç është ajo që zhvillohet çdo vit në Monaco të Francës nga L'entrpot-Monaco.com, President i të cilit është Daniel Boeri. Në këtë kompeticion artistik këtë vit morën pjesë përfaqësues nga shumë vende te botës si: USA, Rusia,Suedia, Franca, Italia etj. por ajo që është më interesantja në këtë vit është fakti se për herë të parë mori pjesë një përfaqësuese e vetme nga Shqipëria, Blerta Haxhillari Llace nga Elbasani, si një përfaqësim dinjitoz që e çoi atë në finalen e madhe, si e vlerësuar për pikturën e saj të titulluar “Zemra e nënës” në kompeticionin “Parajsa e humbur”. E vlerësuar në mes të 121 konkurrentë me punime ne pikturë, skulpturë, fotografi etj, Blerta u përzgjodh në 33 finalistët, 3 prej të cilëve ishin më të votuarit në internet, që u përzgjodhën nga një juri profesioniste. Piktura në fjalë ra në sy jo vetëm për tematikën e përzgjedhur nga autorja, por edhe për realizimin e veçantë dhe botën e madhe të simbolikës që përfaqëson. Me një tipizim të realiteteve shqiptare të të gjitha trojeve, piktura e Blertës ka një kolorit shprehës jo vetëm për ngjyrat, por për forcën e jetës që karakterizon shqiptarët që kanë nëna dinjitoze dhe që sfidojnë gjithçka në emër të jetës.

Sipas informacioneve nga Monaco, në natën finale të këtij konkursi u shpallën 3 fituesit, 2 për fotografitë dhe një në pikturë. Çmimi i Publikut iu dha Pierre Beaubie për fotografi, Çmimi i Jurisë iu dha Jeanne Figueras për pikturë dhe Çmimi i Monaco Telecom iu dha Eric Peltier për fotografi. E veçanta është që mes tyre të 33 finalistëve, piktura e Blerta Haxhillari Llace fitoi audiencën e madhe të përfaqësimit me kurajën dhe surprizën e madhe që bëri piktura e saj që ishte më e veçanta dhe më pikantja. Sipas vetë Blertës, “pjesëmarrja në këtë kompeticion artistik ishte falë interesimit dhe aftësisë së vajzës sime të madhe Teada, e cila nuk donte ta linte në heshtje këtë dhunti dhe dashuri që ekzistonte brenda meje. Ajo menaxhoi rrugën drejt këtij konkurrimi”. Me gjithë modestinë që ka brenda vetes dhe me gjithë angazhimet e tjera familjare të një gruaja kurajoze, Blerta të shprehet me shumë dashuri për talentin e saj si një profesion tjetër që ka brenda shpirtit të saj të mrekullueshëm, krahas të qenurit një infermiere e zonja. Duke qenë vetë një nënë, por duke pasur një botë të madhe brenda vetes, Blerta ka në kokën e saj edhe shumë e shumë ide, por ajo e realizuar për konkurrimin e fundit në Monaco të Francës, ishte e veçanta e një përfaqësimi me një tematikë që qëndron si lapidare për vetë gjetjen dhe realizimin e kësaj pikture që flet më shumë se para disa ngjyrash peneli. Mbi 12 mijë njerëz kanë pëlqyer pikturën "Zemra e nënës” në rrjetin social Facebook në faqen SHQIPËRIA IME. Se vetë piktura e futur në listën finaliste është një gjetje tipike në rrethana tipike për një botë tipike shqiptare. Të vrarë e të djegur, të sakatosur dhe të përcëlluar, nënat shqiptare nuk harrojnë se jeta vazhdon dhe vazhdimi i saj përmes fëmijëve që jepet në pikturë, është një ngjizje prej Zotit që ka instinkti i nënës që jeta të mos ndërpritet asnjëherë. Këtu dhe vetëm këtu është çelësi i ekzistencës sonë kombëtare si në Kosovë e në Çamëri, dy nga vendet që kanë provuar më së shumti gjenocidet vrastare, por pema e gjelbër e jetës ka mbetur e tillë përgjithmonë, se brenda kombit shqiptare zemra e nënave është një margaritar i çmuar që nuk ka konkurrim që ta mundë atë. “Ka qenë një dashuri brenda meje, e cila ka rezistuar prej vitesh edhe pse përballë vështirësive. Pasioni për te bukurën më motivon edhe në jetën e përditshme. Në vitin 2000 isha studente e Ciklit të Ulët në UE "Aleksandër Xhuvani", Elbasan. Gjatë orës së vizatimit pedagogu i kësaj lënde Bujar Kapllani më rekomandoi të studioja në Akademinë e Arteve për pikturë kur pa aftësitë e mia në këtë lëndë. Për mua ishte e pamundur. Isha me dy fëmijë të vegjël dhe për më tepër ne marrëdhënie pune (punoja vetëm turni i tretë në spital për të mundësuar studimin ditën). Shkolla, familja, fëmijët dhe puna nuk më linin kohë të ushtroja pikturën”,- thotë Blera lidhur me pasionin për pikturën dhe fillimet e para të saja në këtë art. 

SHKARKO APP