Një film ku italianët ëndërrojnë Shqipërinë

Po sikur në 2020 do të ishin italianët ata që do të niseshin në një udhëtim me varka e gomone drejt Shqipërisë?

Është pikërisht ky subjekti sa provokues, aq edhe reflektues mbi situatën aktuale të Italisë, që trajtohet në filmin më të ri të regjisorit Andrea Castoldi, me titull “Vista Mare”.

Rajoni i Puljas është kthyer në një zonë ushtarake, një kufi që nuk duhet kaluar, në kolaps për shkak të mbipopullimit nga mijëra njerëz, brenda pak muajve. Shteti italian është në mëshirë të fatit dhe për shkak të krizës ekonomike gjithnjë e më mbytëse, i gjithë vendi është pushtuar nga kryengritjet popullore dhe demostratat e vazhdueshme.

Përballë kësaj situate, njerëzit kanë vetëm një zgjidhje, të largohen drejt brigjeve shqiptare, në kërkim të një jete më të mirë.

Në qendër të “Vista Mare” janë një grup italianësh, të cilët prej javësh qëndrojnë të fshehur në një banesë të vjetër të braktisur, në pritje për të hipur në gomonen e fatit dhe për të mbërritur në Shqipërinë, aq të ëndërruar.

Filmi është ende në prodhim dhe skenat e fundit do të xhirohen gjatë muajit Prill, në Milano. Ky është filmi i dytë i regjisorit Andrea Castoldi. Në 2014 – ën, ai debutoi me prodhimi i tij të parë kinematografik, një komedi me titull “Ti Si Legge in Faccia”. Filmi pushtoi kinematë italiane dhe u prit mjaft mirë nga publiku. /tvklan.al

SHKARKO APP