Një goditje në zemër të projektit europian

Hetuesit dhe forcat policore duhet të gjejnë këto orë nëse atentatet e fundit në Bruksel kanë një lidhje direkte me arrestimin e Abdeslam, apo nëse kemi të bëjmë me një etapë të re të planit të terroristëve të ISIS apo organizatave të tjera radikale islamike, për të goditur vendet perëndimore”

Nga Skënder Minxhozi

Lajmet nga Brukseli kanë pushtuar sërish mediat ndërkombëtare. Katër ditë pas arrestimit të terroristit të shumëkërkuar Salah Abdeslam, truri i atentateve të Parisit, persona që thuhet se janë “shumë të afërt” me të duket se kanë mbjellë vdekje në kryeqytetin belg. Dhjetra të vdekur dhe të plagosur, janë një bilanc tragjik lufte, që rihap plagën e muajve të shkuar, kur Belgjika u detyrua të marrë masa të jashtëzakonshme, për të kontrolluar rrezikun e një vale atentatesh, pas episodeve të Parisit.

Goditja e kryeqytetit belg nuk duket e rastësishme. E kundërta është e vërtetë. Po kërkohet të mbillet paniku në zemër të Europës së institucioneve. Jo rastësisht është goditur metroja në stacionet Schuman dhe Maalbeek, të cilat ndodhen pranë selisë së Bashkimit Europian. Është ky një kalkulim gjakftohtë dhe cinik i atentatorëve, për të nxitur tmerr dhe terror fare pranë organizmave europiane. Qëllimi është i qartë: po kërkohet të dërgohet një mesazh force dhe sfide ndaj të gjithë Europës së Bashkuar, për t’i treguar asaj se nuk është e gjithpushtetshme, për të provuar se terrorizmi islamik mund të godasë edhe larg territoreve gjeografike të tij, madje mu në zemër të kontinentit të vjetër.

Hetuesit dhe forcat policore duhet të gjejnë këto orë nëse atentatet e fundit në Bruksel kanë një lidhje direkte me arrestimin e Abdeslam, apo nëse kemi të bëjmë me një etapë të re të planit të terroristëve të ISIS apo organizatave të tjera radikale islamike, për të goditur vendet perëndimore. Gjithsesi një gjë duket e sigurtë: sot kontinenti europian, më gjerë e gjithë bota demokratike, ndodhen në gjendje shoku, në një situatë të re tejet komplekse dhe të frikshme, e cila risjell në mend tezat e vjetra të përplasjeve të qytetërimeve, feve dhe kulturave. Është gjithashtu një sfidë e re në luftën ndaj terrorizmit, pikërisht në çastin kur perëndimorët nisën të mendojnë se forca e ISIS po vinte duke u shuar, pas fushatave të gjata ajrore në Siri e Irak.

Nga ana tjetër, kjo situatë e re do ta komplikojë edhe më shumë krizën e refugjatëve në vendet europiane, të cilët edhe më herët janë parë me dyshim, pas informacioneve se mes të ardhurve nga zonat e luftës, mund të kishte terroristë të infiltruar.

SHKARKO APP