Një histori panameze për shqiptarë –

Nga Sokol Shameti- “Doni që ish-gruaja juaj e ardhshme të mos i shtjerë dot në dorë gjysmat e llogarive tuaja edhe sikur avokati i saj të hidhet përpjetë? Ëndërroni që sapo të vdisni, fëmijët t’i trashëgojnë pa firo paratë që u keni taksur? Jeni një sportist, këngëtar a mbase aktor i famshëm që doni të blini një shtëpi pa e bërë publike për gjithë dynjanë adresën dhe luksin e saj? Keni përfituar një sasi të paligjshme të hollash teksa keni qenë zyrtar publik dhe tani vrisni mendjen si t’i hani e t’u shihni hajrin ndonëse mund të jeni duke ngrënë për momentin supën e burgut? Atëherë me siguri ju kualifikoheni midis atyre njerëzve që e kanë të domosdoshme një kompani “offshore” që t’i marrë në mbrojtje interesat e tyre”.

Media ndërkombëtare është këto ditë përplot me manualë praktikë për të shpjeguar çka do të thotë për njeriun e zakonshëm ëestern-i financiar i pagëzuar me emrin ekzotik “Panama papers”. Teksti i mësipërm, i qëmtuar pasditen e djeshme në një rrjet amerikan, spikaste mes të tjerëve. Me anë të një gjuhe ironikisht normale që synon ta shndërrojë në instrument shpëtimi prej grave, sekuestrimit apo taksave atë që në fakt është bishtnim ndaj ligjeve, ai orvatet ta “normalizojë” domethënien ironike të parajsave fiskale, këtyre vrimave të zeza në sistemin e përbotshëm të drejtësisë dhe rendit (i njohur ndryshe si kapitalizëm global).

Bota sidoqoftë, u zgjua në syrin e një stuhie dhe skandali i madh i mbiquajtur “Dokumentet panameze” pritet të marrë pjesën e vet të lavdisë personale në nivel planetar për disa javë, ndoshta edhe muaj. Panamaja njihej deri dje për kanalin e vet që lidh Paqësorin me Atlantikun. Nga sot, ai që përshkon mespërmes vendin e 14-të në hitparejdin ndërkombëtar të parajsave fiskale do nisë të perceptohet kryesisht si një kanal ku filtrohen paratë e pista që lundrojnë nga çdo cep i Paqësorit dhe Atlantikut. Putini dhe mbreti i Arabisë. Bashar Al Assadi dhe Poroshenkoja i Ukrainës. Kryeministri i Islandës, babai i Dejvid Kameronit, zyrtarët e Fifa-s dhe madje deri edhe Lionel Messi. Të gjithë janë aty.

Euforikët mendojnë se klasat sunduese anembanë nëpër botë (e pse jo edhe këta tanët) po dridhen e s’po dinë ku të fshihen prej panikut. Ja pra fajtorët. Ja shkaktarët e fatkeqësive tona. Mjerisht, gjasat janë që të gjitha këto të kenë një finale filmi që e kemi parë një herë. Më saktë, që e shohim gjithmonë. Skandali gradualisht po relativizohet dhe ordinerizohet. Fajit po i jepen emra të përveçëm për të devijuar mërinë ndaj vetë sistemit që mirëmban dhe krijon mutacione si kompanitë e “lavatriçeve” panameze, zvicerane, qipriote, ato nga Singapori, ishujt Kajman apo ata Virgjinë. Jetojmë në një botë tundimesh dhe mundësish të pafundme. Është në dorën e ndërgjegjes tënde individuale të mos korruptohesh dhe të mos i përdorësh këto mundësi për të abuzuar. Po e bëre, faji është yti që u tundove, jo i sistemit që të krijoi të gjitha kushtet për të abuzuar. Je kësisoj, një dele e zezë. Si ato që u doli boja në skandalin panamez.

Midis grigjës së madhe e qëllimmirë të përdoruesve “të ligjshëm” të kompanive offshore, delet e zeza të përfshira në skandal pretendohet se janë megjithatë vetëm një njollë përjashtimore. Ato përbëjnë thjesht një incident. Në fund, dikush prej këtyre “të imtave” defektoze do të bëhet kurban; ndonjë zyrtar i lartë do të dorëhiqet apo hetohet në Islandë a në Australi. Dikush në Moskë apo Riad do të blegërijë: shpifje. Por në fund rendi botëror do të vazhdojë punën. Kujtoni ç’u bë me Ëikileaks? Madje edhe më thellë në histori. Meqë ra fjala, nga ka humbur Oliver Northi? Si vajti puna e Uotërgejtit? Po sa e sa “bëma” të tjera? Ato ku protagonistë janë pikërisht ajka e ajkës, ata që i vënë gjoksin podiumeve oratorike në sallën e OKB-së kur thërrasin: të shpëtojmë botën nga luftërat! Ta dërgojmë varfërinë në prehistori!

Shkurt muhabetit, nisma e lavdërueshme e rrjetit të gazetarëve hulumtues që po zbardh për publikun një depozitë prej 11.5 milionë dokumentesh me informacione të klasifikuara, i ka të gjitha premisat të finalizohet si një shoë perfekt, shfaqja televizive e të cilit tërheq audiencë maksimale vetëm në seritë e para.

Por le të mos i shkëputemi për pak momente zjarrmisë së përbotshme ku beson se ndodhet i mirëinformuar çdo shqiptar që di nga njëçikë anglisht dhe që ka mendim të mirë për veten.

Në radhët e publikut tonë, kjo që po ndodh, supozohet se do të kalojë nëpër dy etapa. Etapa e parë, është ajo vuajaristja, kuriozja, skandalistikja. Kjo etapë përfshin shndërrimin e audiencës në një masë pritëse, habitore dhe përgjithësisht pasive që e përjeton ngjarjen si një dukuri të shkëputur, jashtë interesit direkt të vetes. Breshëria e lajmeve panameze në këtë moment të ngjarjes, konsumohet pak a shumë si një raportim për një uragan në shkretëtirë ku thjesht prej dëshirës për t’u ndier të përfillur në botën e madhe, është qejf të dëgjosh se në këtë skenë me vizibilitet masiv, ka dalë emri i ndonjërit “të sojit tonë”.

Por ku shkojnë paratë që vidhen dhe abuzohen në këtë vend që vazhon të mbetet kronikisht kaq i gërryer nga prapambetja? Dilemat janë të pakta për qytetarët tek ne. Këtu do të ishte e pakuptimtë të kërkoje gjurmë për të vërtetuar ekzistencën e ujqërve të lidhur me pushtetet, të cilët kullufisin prej 20 e ca vjetësh jetën e njerëzve duke e “kanalizuar” atë në kushedi se çfarë Panamaje. Mjafton të ekzaminosh astarët e xhepave të banorëve në vendin më të varfër të Evropës. Kur shqiptari i zakonshëm dëgjon brenda një fjalie terma si “kompani offshore”, “pushtetar” dhe “pastrim miliona dollarësh”, atij automatikisht i shkon mendja tek një dokument konfidencial i OSBE-së. Për këtë arsye, publiku i kësaj etape është në gjendje pritjeje për të marrë konfirmimin e asaj që të gjithë e dinë në formën e një të vërtete të pakonfirmuar haptaz. Këtu mbërrijmë në prag të asaj që do të duhej të ishte faza e dytë e përjetimit shqiptar ndaj skandalit të “Dokumenteve panameze”. Shndërrimin e qytetarit të objektifikuar pasiv në një subjekt transformues aktiv.

Mijëra banorë të Islandës ishin në rrugë nga mbrëmja e djeshme duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit të tyre emri i të cilit lakohej në dokumentet sekrete. Velloja që fshihte formalisht fytyrën e shëmtuar të realitetit, ka rënë. Grykësia për pushtet, nxitja e luftës së egër militante, kulti i individit, eklipsimi i vendimmarrjes prej syve të publikut, arroganca, marketingu i shfrenuar dhe shitja e sapunit për djathë, dështimit për sukses, despotizimi i partive politike – gjithçka që me intensitetin e vet qëndron në proporcion të drejtë me mjerimin e popullit, ka vetëm një shpjegim logjik: pasurimin. Pasurimin e shpejtë, abuziv dhe të kamufluar si histori suksesi në lidership të një grupi të vogël sundimtarësh që e kanë zënë për fyti këtë vend. Andaj çka lipset prej të gjithë pësuesve të kësaj gjendjeje është vetëm një gjë: shkundje kolektive e vargonjve.

Syri.net

SHKARKO APP