Një jetë e tërë në shërbim të arsimit kombëtar

Nga  Gjekë Gjonaj/Prof. dr. Hajrullah Koliqi është   personalitet i shquar i arsimit dhe i mendimit pedagogjik shqiptar, i lindur në  fshatin Kështenjë të Krajës. Fillimisht punoi si mësimdhënës  i Gjuhës dhe i letërsisë shqipe në Shkollën fillore  të Ostrosit . Më pas  doktoroi  në vitin 1982 në Degën e Pedagogjisë të Fakultetit Filozofik të Prishtinës, ku për vite të tëra shërbeu si  mësimdhënës i Historisë së pedagogjisë dhe i  Andragogjisë. Ai në vazhdueshmëri u mor me kërkime, studime e botime të thelluara në fushën e arsimit dhe ka një bilanc më se 40 vjeçar veprimtarie të gjerë e të sukseshme arsimore, studimore dhe botuese.   Penës së Hajrullah Koliqit i takojnë një numër i madh veprash nga fusha e pedagogjsë shqiptare dhe botërore. Ai është autor i një numri të madh punimesh shkencore, publicistike, fejtoneve, teksteve etj, të publikuara në revista e  gazeta të ndryshme shekncore e kulturore. Zëri i shkencëtarit Hajrullhah Koliqit apo kumtesat e tij janë dëgjuar në  shumë forume shkencore kombëtare. Për më tepër  profesor Koliqi  me veprën e tij  është ai që  ka shërbyer  dhe vazhdon të shërbejë   me sukses  si model dhe pikënisje  për kërkime në fushën e pedagogjisë  për studiuesit e rinj të këtij drejtimi . Ai tregoi interesim edhe për historinë  kombëtare, për të cilën gjë dëshmojnë edhe monografitë kushtuar  vendlindjes së tij Krajës.

Prof .dr.  Hajrullah Koliqi po të shprehem me një fjalë është  “ një Rumi  pune”, të bërë  në mbi katër dekada. Në saj të saj ai  është  rreshtuar në grupin e plejadës  së intelektualëve shqiptarë që vendosi gurë të çmuar në arsimin kombëtar. Me   mendjen e tij të ndritur  shkencore u angazhua pandërprerë  për ta  çuar përpara  arsimin kombëtar. Mbi dyzet vjet pedagog janë një jetë e tërë në shërbim të çështjes së madhe, arsimit kombëtar. Kontributi  i profesorit të nderuar është shumë i madh  e shumë dimensional. Gjatë gjithë veprimtarisë së tij të deritashme arsimore veçmas në fushën  e shkencave pedagogjike, pati  një synim, binomin  punë dhe atdhetarizëm. Këto ishin  dy shtyllat kurrizore që nuk e lanë të gabojë kurrë.

Figura e tij në Kosovë , por  edhe në hapësirën mbarëshqiptare jo vetëm se kujtohet nga ata që e njohin, por opusi i tij shkencor lexohet dhe citohet në kontinuitet. Doktor Koliqi gjatë gjithë veprimtarisë së tij është shquar si veprimtar i paepur për çështjen kombëtare shqiptare, qoftë në Prishtinë, apo në vendlindje, në Krajë. Përveç se është autor i 22 veprave dhe teksteve universitare botimeve nga fusha e historisë së pedagogjisë, Koliqi është autor edhe i disa monografive për Krajën, si “Kraja e Shkodrës”, “Kraja ndër mote”, “ Kraja jonë” etj. Po ashtu është autor edhe I rreth 250 punimeve , përfshirë artikuj, studime, fejtone, vështrime etj, të botuar në gazeta dhe revista të ndryshme.

Në fillim të viteve 70-të të shekullit të kaluar, ishte nismëtari i themelimit të Klubit të studentëve nga Kraja në Universitetin e Prishtinës “Shqiponja”, edhe ishte kryetari i parë i kësaj organizate studentore. Koliqi asnjëherë nuk e ka harruar vendlindjen. Vazhdimisht ka marrë pjesë nëpër simpoziume shkencore në Ulqin në veçanti edhe kontributi i tij studimor është vlerësuar lartë.

Kontributin e tij dhënë në sferën  e pedagogjisë  dhe të veprimtarisë kombëtare  në shërbim të popullit dhe vendit të tij shqiptarët nuk do ta harrojnë. Çdo  herë do ta vlerësojnë  këtë studiues të shquar të fushës së arsimit dhe të mendimit pedagogjik , këtë publicist të njohur, këtë bashkëbisedues erudit dhe i pasionuar për çështjen e arsimit  tonë dhe  këtë njeri të ndritur të historisë më të re shqiptare.

Jam i bindur që jo vetëm ne, por edhe të gjithë ata që kanë pasur shansin  ta njohin dhe të punojnë me  profesor  Koliqin e nderojnë për kontributin e  çmuar pedagogjik e kombëtar të tij.

SHKARKO APP