Një kartolinë nga Çeçua …

Në vend të fejtonit…  nga Thoma  Goga

As që më kishte shkuar ndër mend që të më vinte mua ftesë për të qenë në një darkë festive zyrtare. E kush jam unë fundja –fundit; një copë çoban. Më shkoi mendja ngaqë i kam  “gudulisur” ca me hostenin tim, ndaj dikujt i vajti mendja të më sajdiste. Të më kenë regjistruar si “të shoqërisë civile”? Se mos kam qenë ndonjëherë ushtarak! E nejse.

Sa morën vesh zagarët, ulërinin sa kishin në kokë. E kuptuan qerratenjtë që do largohesha. Po dhe unë nuk i lashë pa gjë. Siç duket e nuhatën se edhe darkën e vitit të kaluar u bëra një “dhoro”. Ja i çova të stani i gjitonit tim grek. E mo e mbani mend? E ka kthyer stanin si motel. Po jo për njerëzit. E ka mbushur me buçe. E zagarët e mi vjet u kërnaqën. E shkarkuan atë si i thonë… adelinën apo adrenalinën. Hallall dy rrota me djathë. Edhe këtë vit atë marifet bëra. U ngopën me buçet e grekut.

Po si do shkoja ashtu, duarthatë? Të çoja prapë nja dy rrota me djathë, do më hiqnin veshin; pse në motel jemi këtu?! Të çoja ndonjë sheleg si dorovi, do më merrnin për “terrorist”; pse ku jemi këtu; në dasmën e Safa Ymerit?!

  Dhe mora rrugën për në kasaba. Sipas “andresës” hyra në një lokal. Hajde karabina, hajde. Vrava mendjen e i dhashë karar.  Fundja po u bëj nga një kartolinë atyre të mëdhenjve. Nxora biçakun, mpreha kalemin dhe varda:

Për ju President Moisiu:

Të dua shumë se të kam pasur kumandar në zbor.  Kur flet zotrote oshtijnë pyjet. Tashti pyjet s’ka, po sikur të kishte do oshtinin…

Kur e mbylla zarfin, postieri më bëri lanet. “Kemi president Nishanin”, më tha. “E mo, ia ktheva, me nishan pa nishan, më shumë më shkon mua llafi në stan…”.

Për ju zoti Meta.

Je burrë shteti se luan as topi i Mato Grudës. Se ku e ke gjetur kandarin e politikës, asnjë nuk e gjen. E mban atë kandarin “e artë” në nivel. Një koqe fasule të hedhësh në një anë, varda i shkojnë pordhët krahut tjetër. Hallall qumështi i nënës dhe rakia e Skraparit.

Për ju shoku Rama;

Unë që jam i shkurtër nuk matem  dot  me zotrote. Dhe një herë që u poqëm në Pazar të Roskovecit, rrija larg se më thanë që “ke dorë”. E mo, puna e veshit që ia shkule edhe Fevzos… Se mendja më ka lënë, po t’më lënë dhe veshët, vaj medet…

Për ju doktor Berisha

Hallall ta bëftë zoti. Se mos ikën nga politika, se na bëre hatanë. Ore, nuk të kam pyetur, i ke vajisur gërshërët e inaugurimeve se teneqeja zë ndryshk? Aman, mos i merr me vete kur të ikësh, se më duhen mua të qeth shelegët…   Kisha në mend t’i bëja edhe një kartolinë Bashës, po s’kam marrë leje të Plaku Mere. Se mos ai e merr pa marrë leje. Le të bëjë atë shaka, po ia mbajti…

Tashi po e mbyll këtë kartolinë me urimin MË RRUAÇI E JU PAÇA.

Shikoni çiliminjtë e gjënë e gjallë e mos u merrni me të “trasha”…

SHKARKO APP