Një kujtesë për kohërat që ikën dhe ato që vijnë

Nga Hyqmet Zane

Në Fjalorin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe të Akademisë së Shkencave, e viti 1980, në faqen 242 të tij, thuhet se “çamët, janë banorë vendas të krahinës së Çamërisë ose ai që e ka prejardhjen nga Çamëria”. Kaq dhe vetëm kaq, asnjë fjalë më shumë, duke u shtuar vetëm se e folmja e kësaj krahine është çamërishtja. Se janë shqiptarë apo jo, se janë grekë apo turq, siç është spekuluar rëndom në Greqi, këtë fakt askush nuk e thotë, ndërkohë që Profesor Eqerem Çabej në shpjegimet e tij shkencore e përcakton qartë prejardhjen pellazge dhe epirotase të çamëve dhe si pjesa jugore e Ilirisë së lashtë të fisit të Thesprotëve, duke dhënë edhe alternimet e emrit deri në ditët e sotme. Por nëse këto janë disa fjalë që nuk mjaftojnë as për vetë ata që e dinë mirë origjinën e çamëve dhe të Çamërisë, si trashëgimtare e lashtë të gjenezës shqiptare, nuk janë fjalë kurrsesi të mjaftueshme për brezat e nxënësve që futen në shkolla dhe mbarojnë atë dhe nuk e dinë se cilët janë çamët dhe cila është Çamëria. Prania e pesë deputetëve në Parlamentin Shqiptar që i përkasin PDIU që hapur mbrojnë interesat mbarëkombëtare të shqiptarëve kudo që janë dhe veçanërisht të çamëve, ka krijuar një njohje relative të këtij komuniteti në të vërtetë, përkundër atij anatemimi që iu është bërë kësaj popullate shqiptare në gen dhe në autoktoni.

Janë të njohura shprehjet e famshme që përhapi sigurimi i shtetit për interesat e tij pas prishjes me sovjetikët që bëri “koka turku” të ashtuquajturin “grupi i çamëve”, siç njihen Teme Sejko e Tahir Demi. Ishte një makineri e tërë e të ashtuquajturës “shtëpia e sigurimit” që prodhonte dhe stimulonte opinionin për urrejtje krahinore ku spikaste ajo ndaj çamëve si strategji e filozofisë “përça e sundo” nga diktatura komuniste. Këtë fakt ma ka pohuar në ligjëratë të drejtë një ish sigurims nga Burreli. Ai më referoi edhe mekanizmat e një fabrikimi fjalësh të padenja për një pjesë të kombit shqiptar që për flamur dhe për gjuhën shqipe, por edhe për fenë e tyre myslimane, nuk pranoi të konvertohej në grek dhe ardhja në Shqipëri u kushtoi shumë. Bismarku i famshëm i Gjermanisë ka pohuar se “i vetmi faktor i përhershëm i historisë, është gjeografia”. Nuk është thjesht një e vërtetë, por një pohim i bërë nga njëri prej personaliteteve të fuqishëm të Gjermanisë dhe më tej në shekullin e 19-të që njihet edhe për qëndrime radikale të kohës, por është një përputhshmëri e atij pohimi që do të duhej të bëhej në Fjalorin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë se cila është Çamëria. Dhe ky fakt do të duhej të futej në librat e shkollës dhe më tej historia flet vetë për gjeografinë që ekziston. Më shumë se kaq, me gjithë trysninë dhe persekutimin e kohës, çamët ia dolën të mbijetonin jo në sajë të ndonjë hyjnie, por sepse ata janë vitalë në gjenetikëne tyre dhe se dhimbja që ata patën për vatanin e tyre i nxiti ata të mendojnë dhe duke menduar hallet dhe dertet e tyre çamët u bënë të mençur si një tipar dallues i një popullate që mbijetoi në saje të kësaj mençurie që jua orientoi jetën me lehtësirat portuale që i bënë ballë me dinjitetin e trashëguar.

Këto ditë dëgjova ish kryeministrin Jorgo Papandreun tek tha:“Së pari, kjo (Çështja Çame)është një çështje historike, e cila ka qenë shumë e dhimbshme për të dyja palët. Gjëja e parë që ne duhet të bëjmë fillimisht është ajo, se ne nuk duhet të ndahemi dhe të krijohen shumë probleme dhe shumë dhimbje për të dyja palët. Ne tashmë jemi shumë breza larg asaj dhe duhet ta shikojmë nga këndvështrimi historik nën dritën e marrëdhënieve të reja shqiptaro-greke…)

Flet kështu një pinjoll i dinastisë së rrëzuar Papandreu të Greqisë ashtu siç flasin edhe akademikë grekë se; “Po, në Çamëri është bërë gjenocid”.  Ky pohim i vonuar nuk është me sy të mirë tek ata që shpesh e më shpesh, në emër të të drejtave të njeriut kërkojnë dhe kërkojnë që edhe vetë nuk e dinë se çfarë kërkojnë për grekët në Shqipëri të cilëve jo vetëm nuk ju është bërë ndonjë padrejtësi, as prona nuk u është marrë, përkundrazi ju është ligjëruar prona e shqiptarëve të Gjirokastrës, as vrasje nuk u ka bërë kush, pale të mendosh ndonjë genocid. Edhe shkolla ka në gjuhën greke, edhe greqisht flasin ku të duan. Përkundër këtij realiteti janë çamët ata që kanë pësuar edhe gjenocid, edhe vrasje, edhe marrjen e pronës, edhe largim nga toka dhe shtëpitë e tyre, u është mohuar edhe kthimi në vatrat e tyre dhe janë keqpërfolur dhe akuzuar për ato që nuk i kanë patur asnjëherë.

Ky realitet është një kambanë që duhet ti bien fort pikërisht akademikët dhe qeveritarët e këtij shteti, që historia dhe gjeografia e tij të bëhen pjesë e teksteve shkollore me qëllim që çdo shqiptar kudo që të jetë, të dijë historinë dhe gjeografinë e të gjithë trojeve të tij si një argument për të kërkuar të drejta. Është provuar se, nëse pyeten shtetas shqiptarë se ku shtrihet Çamëria, cilët janë qytetet e tij, por edhe cilët janë personalitetet që kanë dalë nga kjo tokë e lashtë, të pakët janë ata që kanë dhënë përgjigje pozitive për shkak të defiçencave në programet shkollore të të vërtetave gjeografike.  Është kjo arsyeja që kërkoj dhe bëj pyetjen kush janë çamët, të cilët u persekutuan jo vetëm andej kufirit, por edhe këndej kufirit, fizikisht, psikologjikisht dhe shpirtërisht. Do të duhet të përmendet kontributin me shumë vlera i z. Riçard Lukas, një lider i ri i komunitetit të shqiptarëve në New York, duke rihapur me kurajë kombëtare problemin çam në strukturat më të larta ligjvënëse amerikane. Për mos të thënë sfidë, kjo i kapërcen të gjitha hapat e deritanishme të diplomacisë sonë të viteve të fundit post komuniste. Në këtë seancë u pranua nëpërmjet apologjisë së përfaqësuesit grek, se qeveria greke e njeh mirë këtë problem që ka mbi supe. Ajo përpiqet ta anashkalojë dhe t’ia hedhë dikujt tjetër përgjegjësinë! E parë në këtë plan historik politik, çështja çame do të shikohet në kontekstin e përgjithshëm të “Çështjes Shqiptare” që tashmë është shtruar për zgjidhje, aq më tepër që kaloi edhe pragu i 100 viteve të Konferencës së Ambasadorëve të 1913-s. Përpos këtyre, është e qartë se angazhimi zyrtar i shtetit shqiptar në ndërkombëtarizimin e çështjes çame, merr një rëndësi të madhe, nëse kjo gjë kthehet edh e në një detyrim për ta mësuar se cilët janë çamët, si një kujtesë për kohërat që ikën dhe për ato që do të vijnë.

SHKARKO APP