Një ligj që na shpëtojë nga paragjykimet fetare

 

Nga Zef Shtjefni

Ve re se behët një kujdes i veçantë në Shqipëri për të mos prekur çështje që kanë të bëjnë me problematikën e veprimtarive fetare. Ka një hezitim, një ngurrim deri dhe frikë për t’u marrë me to. Mendohet se kështu cenohet harmonia fetare. Megjithatë, ashtu siç nuk e mbulojmë dot diellin me shoshë, po ashtu nuk e mbulojmë dot problematikën që po na sjellin edhe ne shqiptarëve fetë e ndryshme. Po të vijojmë kështu, dëgjon shpesh të thuhet, do na duhet të thërrasim Enverin të ngrihet nga varri. Ndrojtja për t’i goditur fenomenet negative që po na sjellin institucionet e fetare, më duket se ka të bëjë me frikën se mos ngacmojmë një plagë që duket sheshit se është e hapur dhe mund ta provokojmë të bëhet gangrenë. Ndaj vijojmë të bëjmë sikur nuk i shohim telashet dhe gangrena sa vjen e mahiset. Klasa jonë politike dhe institucionet e shtetit tonë të brishtë, duken akoma të pafuqishëm përballë institucioneve të fesë në vend. Të vjen për të qeshur kur i sheh politikanët tanë të shkojnë si dele manare tek selitë luksoze të hoxhallarëve dhe priftërinjve, në raste festash, a thua se vërtetë këto janë të dërguarit e zotit në tokë.

Nëse i hedhim një sy Maqedonisë mbetesh i befasuar, kur sheh çdo qendër qyteti apo çdo maje kodre e mali të pushtuar nga simbolet e dy feve kryesore në vend, asaj ortodokse maqedonase dhe asaj myslimane shqiptare. Duket si një garë e çmendur ajo mes tyre për t’i ngritur sa më lart minaretë e tyre. Nuk është aspak e vështirë të kuptosh se ka një luftë mes tyre për hegjemoni. Nuk është aspak e vështirë të kuptosh se ky rivalitet mes tyre, po të lejohet të vazhdojë, mund të provokojë nesër një konflikt më të tmerrshëm se në Bosnje. Në Bosnje të dyja palët ishin sllavë dhe megjithatë u shuan 250 mijë njerëz. Në Maqedoni presioni i shtypjes mbi shqiptarët nuk është vetëm për faktin se i përkasin një etnie tjetër, por edhe pse i përkasin një feje tjetër. Nga ana e tyre shqiptarët e Maqedonisë, si pasojë e kësaj shtypje, shpesh kanë gabuar rëndë, duke ngatërruar përkatësinë fetare me përkatësinë kombëtare. Kemi parë jo rrallë nëpër demonstratat e tyre edhe flamuj të shteteve dhe organizatave arabe, që nuk duam t’ua kujtojmë as emrin. Kjo i ka nxjerrë ata në sy të botës të humbur, i ka zbehur e shpesh i ka shuar të drejtat e tyre të ligjshme. Disa klerikë shqiptarë në Shkup kanë arritur deri atje, sa që ta quajnë Gjergj Kastriot Skënderbeun tradhtar, meqë ka luftuar kundër Turqinë islame. Nuk kanë lënë gurë pa luajtur për të mos lejuar ngritjen e përmendores së tij në Kryeqytetin maqedonas. Po kështu klerikë të ndryshëm në Kosovë janë përpjekur haptazi në media të përbaltin figurën e Nënës Terezës së Madhe të Kombit, duke e quajtur atë “lavire të krishterimit”. Kanë kundërshtuar jo vetëm vendosjen e shtatores së saj, por dhe ndërtimin e kishës në qendër të Prishtinës të projektuar nga Presidenti i madh Ibrahim Rrugova, i cili ndoshta shihte një shekull më larg se gjithë politikanët tanë.

Duke i hedhur një vështrim ngjarjeve të fundit në Maqedoni, nuk besoj se ato nuk kanë sfond të urrejtjes fetaro etnike brenda. Edhe pse të gjithë po bëjnë përpjekje për të shuar zjarrin me çdo mjet dhe për t’ia lënë fajin Putinit të vogël Gruevski, prapë “minarja nuk futet në thes”, thotë populli. Përfshirja e 30 shtetasve kosovar në të, (por e asnjë maqedonasi) dhe sidomos përdorimi i armëve, flasin vetë dhe ua zbehin të drejtat e shtypura shqiptarëve. Kjo mund ta shpëtojë prapë pa u lagur Gruevskin.                                                                                                         

Rivaliteti dhe sherret etniko-fetare në Maqedoni janë benzinë e pashtershme për rrezik zjarri atje dhe ky zjarr kurdoherë mund të përfshijnë edhe Shqipërinë e Serbinë. Nëse ngjarjen e Kumanovës e justifikojmë vetëm me keqqeverisjen, njerëzit do të kenë gjithnjë motiv të kapin armët edhe tek ne, edhe në Kosovë. Ndaj do të ishte më mirë të hapim sytë e të shohim edhe shkaqet e tjera të asaj që ka ndodhur atje. Themi shpesh se ne shqiptarët jemi tolerantë për çështjet fetare më njëri-tjetrin. Kjo vjen ngaqë jemi një racë e një komb. Në Maqedoni nuk është kështu. Pyetja që bëj është, po nëse do të na ndodhë një ngjarje si ajo e Maqedonisë me shkak keqqeverisjen apo konfliktin fetaro-etnik, si do të vepronim. Nuk na lënë as neve të flemë gjumë rehat altoparlantët e xhamive e kambanat e kishave, të cilat janë shtuar si kërpudhat pas shiut kudo, në vend që të shtojmë fabrikat, spitalet e shkollat. Nuk premton asgjë për mirë kaosi i madh që kemi lejuar me ndërtimin e tyre pa leje e pa asnjë kriter, hapja e shkollave të shumta fetare në vend, thasët e parave, që futen pa hesap nga organizata të ndryshme fetare, të cilat nuk dihet për çfarë përdorën, studentët që shkollohen në vendet arabe dhe na vijnë si të shpërlarë trushë,  si dhe sulmet sistematike, që klerikë të ndryshëm antishqiptarë,  i bëjnë simboleve të historisë kombëtare, kulturës e zakoneve tona dhe atyre europiane e gjithçka me vlerë që kemi.      

Më bëri përshtypje këto ditë një lajm që u dha për një hoxhë që e kishin fotografuar duke pirë birrë diku në Tiranë. A thua se e kishin kapur mat duke vjedhur. Unë shkoj shpesh nëpër festa fetare tek miqtë e mi myslimanë në Shqipëri dhe pimë raki, verë e birrë njësoj si në festat e të krishterëve. Bëjmë gjithë qejfet e gjithë adetet jo alla arabçe, por alla shqiptarçe. Edhe kjo na dallon fort nga arabët, me të cilët me të vërtetë nuk më duket se ngjasojmë. Vjehrri im mysliman, sa jetoi dy gjëra nuk ia lejoi njeriu t’ia prekte: gotën e rakisë dhe bërxollën e derrit. “Për to prishëm me Enverin, me Muhamentin dhe me Papën, thoshte”. Bile një ditë bëri diçka më të fortë akoma. Ishte e martë dhe me tha ta çoja te kisha e Shna Noit në Laç. “Ç’do ti taleban atje”,- bëra shaka unë me të? Por më luti dhe e çova. Kur po ktheheshim e pyeta më kureshtje: Si u lute ti Gjysh? Ja, kështu, më tha, duke bërë shenjën e kryqit e duke thënë: “Tubën e stref furullah, i rrahman e i rrahim!” Qeshëm më të madhe se u befasuam nga origjinaliteti i gjetjes nga Gjyshit të një zgjidhje aq të thjeshtë të këtij sikleti kaq të madh, i cili i mundon jo pak shqiptarët me fe të ndryshme. Ne jemi një, por të huajt që na kanë pushtuar, na kanë ndarë në katër fe të ndryshme. Për këtë arsye mendoj se disiplinimi ligjor dhe kombëtarizimi i feve nuk është aspak punë e vështirë tek ne. Por kjo punë i takon brezit tonë ta bëjmë sot. 

SHKARKO APP