Një marrëveshje e re për Greqinë
Nga Kujtim Vani
Presidenti i Komisionit Evropian Juncker deklaroi se, po përpiqemi për zgjidhje brenda ditëve të ardhshme. Gjatë konferencës për shtyp që dha pak pas përfundimit të punimeve të samitit të BE, presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker tha se kryeministri greki, Aleksis Cipras dhe presidenti i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem, ranë dakord se është e nevojshme që deri të hënën të punojnë mbi idetë e tyre. Në vazhdim zoti Juncker tha se qeveria greke vlerëson se pajtohet me 70% të memorandumit. Sipas tij, duhet të shohim se çfarë i përket 70 përqindshit dhe çfarë 30 për qindshit, me të cilin qeveria greke nuk është dakord. Presidenti i KE tha se qeveria greke na tha se do të eliminojë disa masa, pasi janë anti shoqërore. Vërtet, mund të jenë anti shoqërore, tha Juncker. Mirëpo, shtoi, një masë që do të anulohet, do të duhet të zëvendësohet me një tjetër, që do të jetë ekuivalente. Mbi këtë bazë, shtoi zoti Juncker, po përpiqemi të gjejmë një marrëveshje brenda ditëve të ardhshme. Ndërkohë kryeministri grek Aleksis Cipras tha se po diskutohet marrëveshje e re, memorandumi nuk ekziston më. Për herë të parë që nga marrja e detyrës, kryeministri Aleksis Cipras ka shprehur optimizëm të përmbajtur për arritjen e një marrëveshjeje me kreditorët, sipas gjasave madje edhe të hënën e ardhshme, në takimin e Eurogrupit. Duke përmbledhur zhvillimet e 24 orëshit të fundit, gjatë konferencës për shtyp në përfundim të samitit, kryeministri deklaroi se është bërë një hap, se është përshkuar një distancë e rëndësishme gjatë negociatave dhe e dedikoi ndryshimin e kursit lidhur me mbledhjen e Eurogrupit, marrëveshjes së tij me kreun e eurozonës, Jeroen Dijsselbloem për t’u caktuar dy komisione teknike që do të përgatisin marrëveshjen e re. Sipas Tsipras, është një kontratë e re sociale, ndërsa vuri në dukje se gjatë pozicionimit të tij në takimin e nivelit të lartë, kërkoi nga partnerët që të krijohet një marrëdhënie besimi dhe të trajtohet ndryshimi politik në Greqi jo si kërcënim, po si ndryshim. Në përgjigje të pyetjes nëse “kontrata sociale” do të shtrohet në referendum apo do të përzgjidhet rruga parlamentare, kryeministri la të kuptohet se do të paraqitet në parlament. Ai e argumentoi këtë duke shprehur sigurinë për besimin e popullit ndaj qeverisë, diçka që siç tha, vërtetohet edhe nga tubimet për mbështetjen ndaj qeverisë. Për pesë vjet, tha Cipras, populli protestonte duke dënuar qeveritë, ndërsa sot manifestimet janë në përkrahje të qeverisë, diçka që na jep forcë, siç tha shprehimisht. Kryeministri përsëriti mjaft herë se as trojka, as memorandumi nuk ekziston më dhe vuri në dukje se asnjë lider i huaj gjatë samitit, nuk iu referua trojkës. Greqia, tha zoti Cipras, do të konsultohet me partnerët institucionalë, kryesisht me Komisionin Europian, ndërsa do të gjendet në konsultim të vazhdueshëm me FMN dhe me Bankën Qendrore Europiane. Duke shprehur në mënyrë të tërthortë kënaqësinë e tij për zhvillimet e fundit, kryeministri deklaroi se kohët e fundit u trafikuan mjaft skenarë që u përgënjeshtruan, si skenarët e krizës dhe të falimentimit, nëse nuk nënshkruante zgjatjen e afatit të programit. Në këto momente, tha kryeministri, po diskutohet ekskluzivisht marrëveshje e re. Kjo do të thotë se Greqia pretendon, bind, nuk shantazhohet dhe nuk shantazhon. Ai sqaroi gjithashtu se komisionet mund të bëjnë punë teknike, mirëpo rezultatet e tyre janë politike dhe marrëveshja që do të rezultojë do të jetë politike. Në një pyetje tjetër, se përse tashmë përdor termin “ulje” e borxhit dhe jo “shuarje”, siç ishte qëndrimi i SYRIZA-s, Cipras u përgjigj se sido që të përcaktohet , problemi është i njëjtë. Është se Greqia duhet të marrë frymë dhe po të mos ketë ulje të borxhit, Greqia nuk do të mundë të marrë frymë. Në fund, i pyetur për çështjen e emrit të Maqedonisë, kryeministri theksoi se do të synojë marrëdhënie bashkëpunimi dhe fqinjësie të mirë me gjithë vendet e rajonit dhe kjo vlen edhe për FYROM. (Maqedoninë).
Korrespodent i “Koha Jonë” në Athinë