Një natë me gallatë
Fejton nga Thoma Goga/
Natën e Vitit të Ri që sapo festuam, e kalova me Çeçon. Më erdhi si pa pritur e pa kujtuar, por ama si me porosi. S’kish më bukur edhe pse u çudita nga ardhja e tij. Jo për gjë, po ai s’para e lë stanin vetëm me zagarët. Një natë si kjo, që kërkon ca humor, për mua ishte e paharruar. Ju nuk e imagjinoni se ç’do të thotë të rrish një natë me Çeçon. U shkërrmoqëm me qyfyre. U u, si ikte sahati; sikur kishte pirë hashash… U shtruam për të ngrënë e për të pirë, sapo filloi një emision më gallata në televizor. Se mos dëgjuam gjë, thua? Po ne gallatat i kishim në tavolinë.
– Hajde gëzuar. Ngrije gotën për Vitin e Ri.
– S’ke faj, ke hak…, – shfreu byrazeri dhe mori gotën. – Nejse gëzuar. Nuk e ngre as për Vitin e Ri, as për të vjetrin. Po na ikin vitet si koqet e mistrit. Dollinë e parë do e ngre për zagarët e mi që “më dhanë leje” të vij këtu…
Unë që ia njoh mirë gjuhën e romuzeve, u hodha në degë tjetër.
– Hë, pa na thuaj ndonjë të re andej nga stanet tuaja, – e pyeta pa shaka. Pa më të filloi Çeçua.
– S’ke faj, ke hak… Që thua zotrote një stan të gjitonit tonë, atij Kopi Kopracit, andej nga pylli e bënë kusarët na, def.
– Ç’thua more, – shqeva sytë.- Po ai “kopraci” ku ishte? Po zagarët nuk ishin në krye të detyrës apo kishin shkuar në disko…
– S’ke faj, ke hak…,-filloi përsëri rrëfimin byrazeri im.- Ai “kopraci”, që thua zotrote, llagapin e ka ndryshe. Ia kemi ngjitur kështu se as shëllirë nuk u jep zagarëve. Shkoi në dasëm, mavria, me gjithë të birin. Stanin ua besoi zagarëve. Zagarët janë për të ruajtur, kurse kusarët për “të rruajtur”. Hajdutët mjegull duan; këto gjëra ruajnë. E dinin mirë kusarët se atë natë në stan ishin vetëm zagarët. Kishin marrë një dorë hashash e ca mish të grirë. Si ia bënë çordollo për llaço, shkuan te stani. Ulërinin zagarët. Ha mish të grirë me hashash dhe ulërinin më keq. U ndezën, të thom.
Ai rrëfente, unë vija buzën në gaz. Po edhe habitesha. Se Çeçua ka dell kalemxhiu e rrëfen bukur. Hera-herës tundja kokën e ngrija gotën.
– E që thua ti, s’ke faj, ke hak…Kusarët menduan se zagarët do i zinte gjumi. Jo, or’ byrazer. I kishin bërë hesapet pa kalem. Po nga anët tona dhe hajdutët nuk “e hanë thatë”. Janë “me universitet”, të thom…
– E mirë, po ngrije gotën. Gëzuar! Ta ngremë për njëri-jatrin.
– S’ke faj, ke hak…Jo, jo do e ngre për zagarët e mi,- qeshi lehtë Çeçua . – Që thua ti, kishin bërë sherr të madh kusarët te stani i atij “kopracit”. Ca thoshin “nuk e rruajmë dot”, ca nuk tërhiqeshin. Me shumicë votash fituan këta “guximtarët”. E di ç’u polli rradakja, mo? Shkuan në shtëpitë e tyre, morën buçet dhe i hodhën në cep të stanit. E di ti që “buçet me dy këmbë” ua prishin mendjen edhe ca burrave…Nejse. Buçet ia futën vrapit drejt përroit. Pa u turrën zagarët, duke braktisur detyrën. Buçet para, zagarët pas. Pastaj e kupton vetë zotrote; kështu hajdutët e kryen më mirë “detyrën”…
– Jo, more! Po ti, si i ke delet dhe dhitë?- fola unë gjysëmseriozisht e po prisja përgjigje. Çeçua u hodh përpjetë sikur ta kishte pickuar në mollaqe zagali i kalit.
– Po për zagarët pse nuk pyet, zotrote? Ore i kam shokët më besnik, të thom. Ndryshe nuk do ishim bashkë sonte. S’ke faj, ke hak…
– Ore Çeço, po e thua si shpesh këtë “S’ke faj, ke hak…”. Ku do të dalësh?
– S’ke faj, ke hak që nuk i di ca “sekrete profesionale” të staneve tona. Ja, llafi vjen, ti nuk e di vlerën e buçeve…U u ç’heq unë dy herë në muaj! Marr zagarët dhe i çoj tek një bari grek përtej kufirit. E ç’kufi a derëzi! Një rrëke na ndan. Ai malaga mban në stan vetëm buçe. Ndonjëherë i çon buçet me qera…Qerrata i madh! Stanin e ka kthyer si “motel” për zagarët. E ka si biznes të vogël, po fiton mire, malaga. Një rrotë djath për një seancë. Ja, sot në mëngjes “i ngopa” zagarët mirë e mirë të buçet e grekut. Sonte zagarët e mi nuk e kanë mendjen për buçe, po u turren hajdutëve. Le të venë kusarët, po ua mbajti. Prandaj jam i qetë, o byrazer…. Ja, siç e shikon vetë, pi raki e nge dolli për zagarët. Kurse ai “kopraci” nuk i hedh asnjë kockë e jo t’i çojë e “t’i ngopë” një herë zagarët te “moteli” i grekut. E po, gjë e gjallë janë!…E dëgjove se si ia “rruajtën” stanin kusarët?
Pastaj tundi kokën e ngriti gotën. Ndërsa mua më vinte edhe për të qeshur, po edhe vrisja mendjen për këto “sekrete profesionale” të Çeços tim.
– Ta pimë me fund për buçet e grekut dhe për zagarët e mi, që nuk e braktisin kurrë detyrën, që “më dhanë leje” të festojmë bashkë Vitin e Ri …
Ashtu bëra dhe unë; ngrita gotën. Ndërsa jashtë po këndonin kaposhët që lajmërojnë se po gdhinte një ditë e re. As që e ndjemë kur kishte ardhur Viti i Ri. Kaluam një natë plot gallatë, ku kryefjalë ishin zagarët, buçet dhe kusarët…