Një qiri për mësuesin tim
Nga Halo Mala
(New York, USA)
Kurveleshi është një pllajë malore në jug, për ata që nuk e dinë, “I thurur” me male, më i larti i të cilëve është Këndrevica. Banorët e tij të ndarë në pesë fshatra, Legedush, Progonat, Gusmar, Rexhin, Nivicë, i kanë ndërtuar shtëpitë e tyre rrëzë “gardhit malor” dhe natën, nga dritat, duket si një hënë e sapo zënë . Çdo krahinë me veçoritë e saj, ka marrë pjesë në historinë e vendit tonë, por krahina e Kurveleshit, sikur është me e pasur e ka një hise më të madhe në ato ç’thamë më lart, aq sa duket sikur, po të mos dalë prezenca e qylafit, s’ka ndodhur gjë fare! Në këto pesë fshatra është një popullsi me elementë shumë inteligjentë, të përshtatshme me ambientet dhe ndryshimet e ndodhura, përballojnë me lehtësi jetën edhe kur ajo është relativisht e vështirë, gjithnjë në kërkim të më të mirës, në mënyrë të veçantë, në kërkim të dijes e shkollimit të të gjithë brezave që ngrihen njeri pas tjetrit.
Arsimimi në shqip në këtë zonë ka filluar që herët, më 1909 u hap mësonjëtorja në Nivicë, me 1911 në Progonat, më 1917 në Gusmar, më 1920 në Legdush. Këtu, në këtë krahinë, në fshatin Rexhin, 80 vjet më parë lindi mësuesi ynë, Iliaz Xhebro. Ashtu i imtë, i dobët fizikisht, me atë natyrën e tij të qetë mbaroi arsimin fillor aty në vendlindje.
Darkave në bisedat e bëra nën dritat e llampave me vajguri, Iljazi dëgjonte me shumë biseda dhe histori për shkollat, për memurët(nënpunësit), për zabitat se sa për dhënë e për dhi, sepse në familjen e tij ishin rritur zabite, mësues e gazetarë mjaft të njohur, jo vetëm për Rexhinin e Kurveleshin, por në mbarë vendin, si Shuko Dalipi, Sali Xhebrua (Nivica). Paraardhësit e kësaj familje i kishin dhënë një status më të veçantë familjes së Iljazit, status i cili me sa duket ndikoi edhe në arsimimin e mëtejshëm të Iljazit.
Familja e dërgoi në Shkodër, në djepin e kulturës shqiptare, ku mbaroi shkollën shtatëvjeçare dhe më pas shkollën pedagogjike “Shejnaze Juka” të këtij qyteti. Bashkë me përgatitjen shkencore e pedagogjike, Shkodra i dha apo i bëri dhe një përgatitje për jetën sociale të cilën me vonë Iljazi do t’ua mëkonte nxënësve të tij, gjatë mësimdhënies dhe jetës së përditshme.
Në shtator të 1956 ai do të ngjiste shkallët e shkollës ku kishte marrë mësimet e para, por këtë herë, jo si nxënës, por si mësues. Atij i takoi që në këtë vit të hapte për herë të parë ciklin e lartë të shkollës 7-vjeçare, klasën e pestë. Ishin kohë të vështira, kohë me vuajtje, e këto vuajtje shfaqeshin edhe tek puna e shkollës duke filluar që nga transporti i librave që bëhej me kafshë nga Tepelena deri tek puna bindëse nëpër familje që, edhe vajzat, të vazhdonin shkollën, ciklin e lartë, se megjithëse ishte një zonë shumë arsimdashëse prape kishte familje që nguronin t’i dërgonin vajzat e tyre në shkollë.
Kështu djaloshi 20-vjeçar do të dukej rrugëve të fshatit çdo pasdite duke takuar prindërit për t’i bindur që fëmijtë e tyre, pra dhe vajzat, të vazhdojnë shkollën e jo vetëm kaq, por dhe si ti vishnin fëmijët e tyre sa më mirë e sa më pastër, të mësonin sa më shumë se një shkollë tjetër i priste pas kësaj. Ashtu, qetë-qetë, siç e kishte ai, u bë shumë i besueshëm e shumë i dëgjueshëm nga të gjithë e bashkë me të u rrit dhe personaliteti, një personalitet i admirueshëm, që do ta shoqëronte gjithë jetën.
Më vonë Iliazi mbaron studimet e larta dhe prapë në Shkodër, në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në degën Histori-Gjeografi. Kur u kthye, tani shumë më i kompletuar, por dhe një mësues me eksperiencë të gjatë, mori detyrën e drejtorit të shkollës së mesme. Pra, rastisi, që edhe këtë shkollë të mesme ta hap për herë të parë Iliazi. Tani në krah i qëndronin ish-nxënësit e tij, të cilët jepnin mësim lëndë sipas profileve që kishin mbaruar. Prandaj dhe ai e ndjente veten më të lumturuar brenda profesionit te tij, më të palodhur e më të gatshëm që mësuesve të rinj t’u jepte eksperiencën e tij, që edhe ata të bëheshin më të aftë, të komunikonin më mirë me nxënësit dhe më prindërit, të rrisnin profilin e tyre të mësuesit ashtu si Iljazi. Jo vetëm nxënësit, por edhe mësuesit e rinj që kanë punuar fillimisht me të i janë shumë mirënjohës për punën e palodhur me ta, sepse siç thonë në bisedat e tyre dhe sot:“ Ai na bëri mësues”.
Iljazi kishte fare pak fjalë, por kishte një punë të ngritur në sistem brenda shkollës . Ai me shumë fliste kur heshtte! Ishte sistematik dhe ngrinte një trup pedagogjik brenda shkollës që punonte si ekip. Ndaj, Ai pati rezultate shumë të lakmueshme në shkollat që drejtoi.
Ai drejtoi ekipe mësuesish që për vite të tëra nuk u ktheheshin nxënës nga asnjë shkolle e vendit. Nën drejtimin e tij mësues dhe drejtor që erdhën më vonë në shollën e Nivicës mundën ta mbanin këtë shkollë si burim eksperience për shkollat e tjera të rrethit e të gjithë vendit.
Ai edukonte me korrektesën e rregullin në jetën e tij të përditshme. Me një jetë familjare të veçantë, Ai edukonte tek familjet e tjera në komunitet, harmoninë, edukatën perfekte tek fëmijët apo në komunikimin midis njerëzve. Kur ishe në bashkëbisedim me të dhe kishte një gjë që nuk shkonte, që ishte në kundërshtim me moralin shoqëror, apo me jetën në tërësi, ai nuk fliste por mbyllte sytë, tundte kokën në shenjë mohimi dhe lëvizte pak nga vendi. Pra duhet të kuptoje se kjo gjë nuk shkon!
Më kujtohesh mësuesi im, ashtu i thjeshtë, korrekt, simbol i punës e jetës model, duke zbritur çdo mëngjes krehur flokët lartë, me kostumet e palltot ngjyrë kafe, me dy libra e një fletore mbajtur në dorë, që i drejtoheshe e pastaj ngjitje shkallët e asaj shkolle, për t’u thënë nxënësve dhe kolegëve një “mirëmëngjes” të ëmbël…
Gjithnjë do të më kujtohesh…….
A e di si me lindi kjo ide mësuesi im?
Një ditë …kisha mbështetur bërrylin në parmakun e dritares dhe dorën e kisha vënë në faqe. Po ndiqja një zog që po shupuriste gjethet e rëna në fundin e një peme, ndërkohë që oborri ishte mbuluar me borë. Ditë të vështira për zogun, thashë me vete…! Por ja erdhi Marsi, dita do të zgjatet, do të ngrohet e do ta ketë më të lehtë dhe zogu. Shikimi ishte tretur mbi borë, mëndja kishte marre arratinë… Në moment m’u duk se zëri yt më foli:
“Halo, po afron 7 Marsi, do të na duhet aktivitet me shkollën”…
Menjëherë e mblodha veten, ndenja pak çaste, e pastaj thashë:
Besoj kjo ndodhi nga që, për 7 Marsin, tërë këto vite qe ai s’është më, s’kam patur mundësi t’i çoja një qiri!
Vendosa të shkruaj këto rreshta të cilat mbase e kryejnë këtë punë në këtë 7 Mars, për mësuesin tim. Dikur kam lexuar te Viktor Hugo: “Dy njerëzit që duhet të duash më shumë në jetë, janë nëna dhe mësuesi”. Ju e keni merituar këtë dashuri mësuesi im, ndaj s’do të harrojmë kurrë!