Një rend i ri i Luftës së Ftohtë?
Nga Mikhail Gorbachov
Ndërsa po përmbyllet viti 2014, është e qartë që strukturat politike evropiane dhe ndërkombëtare, të cilat kanë qenë dominuese që prej vitit 1989, nuk i kanë rezistuar kohës. Prej fundit të Luftës së Ftohtë, me gjakderdhjen në Evropë dhe Lindjen e Mesme, bota nuk ka dëshmuar më parë një mjedis kaq të tensionuar dhe të brishtë, dhe e gjitha kjo për shkak të një ftohjeje të re mes fuqive të mëdha. Mesa duket, bota është në prag të Luftës së Dytë të Ftohtë. Ka disa madje që pretendojnë, se ajo tashmë ka filluar. Ndërkohë, organizmi kryesor ndërkombëtar, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, zor se është duke luajtur një rol ose po ndërmerr veprime konkrete, për të ndaluar vrasjet dhe shkatërrimet.
Përse KS, nuk ka vepruar me vendosmëri, për të vlerësuar si duhet situatën dhe për të hartuar një program të veprimit të përbashkët? Besoj se arsyeja kryesore, është se besimi i krijuar nga puna e madhe dhe përpjekja e përbashkët në përfundimin e Luftës së Ftohtë, ka humbur. Pa një besim të tillë, marrëdhëniet paqësore ndërkombëtare në botën e sotme të globalizuar, janë të pakonceptueshme. Por të jemi të qartë. Ky besim nuk është se e dëmtua dje. Kjo ka ndodhur shumë kohë më parë. Rrënjët e krizës aktuale, shtrihen në ngjarjet e viteve ‘90. Fundi i Luftës së Ftohtë, mendohej se duhet të shenjonte fillimin e një rruge, drejt një Europe të re dhe një rendi më të sigurtë botëror. Por, në vend të ndërtimit të institucioneve të reja të sigurisë evropiane dhe realizimit të ç’armatimit të Evropës, sikurse dhe u premtua në fakt në Deklaratën e NATO-s në samitin e Londrës në vitin 1990, Perëndimi dhe veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nxituan të shpallin fitoren. Euforia dhe triumfalizmi “dehën” mendjet e liderëve perëndimorë. Duke përfituar nga dobësitë e Rusisë si dhe mungesa e një kundërpeshe në arenën botërore, perëndimorët nuk pranuan që të marrin parasysh paralajmërimet kundër pretendimeve, për të patur monopolin e udhëheqjes botërore.
Ngjarjet e muajve të fundit janë pasojat e drejtpërdrejta të vizionit dritëshkurtër, të imponimit të vullnetit të dikujt, duke injoruar interesat e njërit prej partnerëve. Një listë e shkurtër e sjelljeve të përsëritura të vendosjes “para fakt të kryer”, mund të përfshijë zgjerimin e NATO-s në Evropën Lindore, luftën në ish-Jugosllavi (veçanërisht në Kosovë), planet e mbrojtjes raketore, Iraku, Libia apo dhe Siria. Për pasojë, ajo që ishte në fillim ishte një flluckë, tanimë u shndërua në një plagë të qelbëzuar. Dhe është pikërisht Evropa, ajo që po vuan më tepër pasojat. Në vend se të drejtonte ndryshimet e një botë të globalizuar, kontinenti i vjetër u kthye në një arenë të trazirave politike, konkurrencës për sferat e influencës, dhe konflikteve ushtarake. Rezultati i pashmangshëm, është se Evropa po dobësohet përditë e më tepër, në një kohë kur qendrat e tjera të pushtetit dhe të ndikimit janë duke u forcuar. Në rast se kjo tendencë vazhdon, Evropa do të humbasë me siguri ndikimin e saj në çështjet botërore dhe gradualisht, do të bëhet e parëndësishme. Fatmirësisht, përvoja e viteve ’80, sugjeron një rrugëdalje. Duhet të rikujtoj, se situata ndërkombëtare në atë kohë, nuk ishte më pak e rrezikshme sesa është sot. Megjithatë, ne patëm sukses në përmirësimin e saj, jo thjesht duke normalizuar marrëdhëniet mes nesh, por duke i dhënë fund vetë Luftës së Ftohtë. Kjo është arritur kryesisht përmes dialogut. Dhe çelësi i dialogut është vullneti politik dhe vendosja e prioriteteve të drejta. Ndaj sot, prioriteti kryesor duhet të jetë dialogu në vetvete: rinovimi i aftësisë për të bashkëvepruar, për të dëgjuar dhe biseduar me njëri-tjetrin. Disa shenja premtuese deri diku mund të qëmtohen, edhe pse përpjekjet e para kanë dhënë vetëm rezultate modeste dhe të brishta: marrëveshja e Minskut, për një armëpushim dhe mosangazhim ushtarak në Ukrainë; marrëveshja trepalëshe e gazit mes Rusisë, Ukrainës dhe Bashkimi Evropian apo dhe frenimi për të përshkallëzuar më tej sanksionet reciproke.
Ne duhet të vazhdojmë të heqim dorë nga polemikat dhe akuzat e ndërsjella, dhe të kërkojmë pikat e përbashkëta dhe mundësinë e heqjes graduale të sanksioneve, të cilat janë të dëmshme për të dyja palët. Hapi i parë, mendoj se duhet të jetë heqja e të ashtuquajturave “sanksione personale”, që prekin direkt figurat politike dhe parlamentarët. Kjo do të bënte që këta të fundit t’i ribashkohen negocitave për kërkimin e zgjidhjeve reciprokisht të pranueshme. Një fushë për ndërveprim mund të jetë ndihma ndaj konkrete ndaj Ukrainës, për të kapërcyer pasojat e luftës vëllavrasëse dhe rindërtuar rajonet e prekura nga lufta. E njëjta gjë vlen edhe për sfidat globale dhe sigurisë panevropiane. Problemet e sotme kryesore, me të cilat përballet bota si terrorizmi e ekstremizmi, varfëria e pabarazia, ndryshimi i klimës, emigracioni dhe epidemitë, janë përkeqësuar çdo ditë e me tepër. Dhe sa të ndryshme janë këto sfida, aq edhe ndajnë së bashku një tipar kyç: askush prej tyre nuk ka një zgjidhje ushtarake. Gjithësesi, fakt është se aktualisht mekanizmat politikë për të zgjidhur këto probleme, po mungojnë ose janë jofunksionale. Vazhdimi i krizës botërore, duhet të na bindë për të kërkuar, pa vonesë, një model të ri, që të mund të sigurojë qëndrueshmërinë politike, ekonomike dhe mjedisore.
Përsa i përket sigurisë së Evropës, vetëm një zgjidhje panevropiane, është e mundshme. Në të vërtetë, përpjekjet për të adresuar problemin, duke zgjeruar NATO-n, ose përmes një politike të mbrojtjes së përbashkët të BE-së, janë lëvizje thjesht kundërproduktive. Ne kemi nevojë për institucione dhe mekanizma, që ofrojnë besim dhe garanci për të gjithë. Mjerisht deri tani, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, tek e cila pati shumë shpresë në fillimet e veta, ka qenë jashtë loje. Kjo nuk do të thotë aspak se OSBE-ja, duhet të zëvendësohet me diçka të re, sidmos tani që ajo ka marrë përsipër funksione të rëndësishme të kontrollit të situatës në Ukrainë. Por unë do të thoja se OSBE-ja, është një ndërtesë që kërkon riparime të mëdha por edhe disa ndërtime e reja. Vite më parë, ish-ministri i jashtëm gjerman Hans Dietrich Genscher, ish-këshilltari amerikan në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, Brent Scowcroft, dhe politikëbërësit e tjerë, propozuan krijimin e një Këshilli Sigurimi, ose një tip Drejtorie për Evropën. Asokohe, unë e mbështeta nismën e tyre. Thuajse në të njëjtën frymë, gjatë presidencës së kryeministrit aktual rus, Dmitri Medvedev, ky i fundit bëri thirrje, për krijimin e një mekanizmi të diplomacisë parandaluese evropiane, me nevojën e konsultimeve të detyrueshme, në rast të një kërcënimi për sigurinë e çdo shteti. Nëse një mekanizëm i tillë, do të ishte ngritur pak vite më parë, ngjarjet tronditëse në Ukrainë mund të ishin shmangur. Sigurisht, udhëheqësit politikë janë ata që duhet fajësuar për çuarjen në “Kalendat greke” të kësaj apo ndonjë tjetër “ideje evropiane”. Por përgjegjësia, duhet gjithashtu të ndahet me të gjithë klasën politike evropiane, institucionet e shoqërisë civile dhe median. Ndonëse nga natyra unë jam optimist, më duhet ta pranoj se është shumë e vështirë të mos jesh pesimist në fund të vitit 2014. Megjithatë, gjykoj se nuk duhet të biem pre e panikut dhe dëshpërimit, apo të lejojmë veten të tërhiqen nga vorbulla e inercisë negative. Përvoja e hidhur e muajve të fundit, duhet të transformohet në një vullnet për të rifilluar dialogun dhe bashkëpunimin. Ky është apeli im për udhëheqësit tanë e për të gjithë ne, për vitin 2015: Le të mendojmë, propozojmë dhe veprojmë së bashku.
Project Syndicate. Përgatiti: Bota.al