Një shoqatë me moshë rinie

Prof.As. Xhevdet Bashllari

President i Shoqatës*

Në një nga sallat e Ministrisë së Bujqësisë, Shoqata e Gazetarëve Shqiptarë të Bujqësisë, festoi 20 vjetorin e krijimit të saj. Në këtë festë morën pjesë, të ftuar nga Federata Ndërkombëtare a Gazetarëve të Bujqësisë (IFAJ), Stefan Nimerllov, nga Austria dhe Juri Mykhailov, nga Ukrahina; gazetarë nga Kosova, nga gazetat, radiot e televizionet në vend, gazetarë të vjetër të bujqësisë, specialistë të kësaj fushe, miq e të ftuar. Pas fjalës së presidentit të shoqatës, në emër të IFAJ-t përshëndeti gazetari Nimerllov nga Austria. Aty u lexua edhe përshëndetja e ish presidentit të kësaj shoqate Fuat Memeli, dërguar nga Bostoni i Amerikës, së bashku me një tufë lule me 20 karafila të kuq. U ndanë çmime me kupat përkatëse, për shkrimin dhe fotografinë më të mirë të vlerësuar nga juria. U zhvillua përurimi i librit “20 vjet shoqatë” i botuar me këtë rast. Shoqata e Gazetarëve Shqiptarë të Bujqësisë mbushi 20 vjet. Shoqatë me moshë rinie. U mblodhëm në festën e ditëlindjes. Në raste të tilla kujtohet dita e lindjes. Ndaj sot, kujtojmë atë mbas ditë kur një grup gazetarësh të bujqësisë, nismëtarë për krijimin e shoqatës sonë, të prirë nga Shefqet Meko ish kryeredaktori i “Studentit Bujqësisë”, u mblodhëm në një sallë, te Blloku, në Tiranë. Ishte viti 1994. Gazetar Shefqet Meko, kishte njohur dhe ishte miqësuar me gazetarin Anglez Xhefri Tensi. Xhefri kishte ardhur në vendin tonë me një projekt të FAO-s. Ndihma e gazetarit anglez ishte e madhe. Ai na tregonte për zhvillimin e vendeve demokratike me shtypin e lirë, për shoqatat, në përgjithësi dhe shoqatat e gazetarëve, në veçanti. Duke synuar organizimin demokratik të gazetarëve, në një vend demokratik me shtyp të lirë, në bazë të ligjeve në fuqi të asaj kohe, u përgatit statuti dhe programi i shoqatës. Grupi nismëtar i shtuar në numër u mblodhëm përsëri. Diskutuam dhe vendosëm themelimin. Ajo ditë do të hynte në histori ditëlindja e shoqatës, të cilën e pagëzuam me emrin Shoqata e Gazetarëve Shqiptarë të Bujqësisë.. Në atë mbledhje votuam për drejtuesit e shoqatës. U zgjodh kryesia, që do na udhëhiqte me kryetar, një zëvendëskryetar dhe një sekretar të përgjithshëm.

 Në zbatim të ligjeve në fuqi dokumentacionin e paraqitëm te Ministri i Bujqësisë. Në atë kohë ishte zoti Hasan Halili, i cili pati fatin, nderin dhe privilegjin të nënshkruante themelimin. Tashmë, edhe ligjërisht ne kishim shoqatën tonë. Ishim në vitet e para të demokracisë, sapo kishim lënë sistemin e kaluar të izolimit. E ndjenim nevojën e hapjes me jashtë; kishim dëshirë të papërmbajtur të shikonim vende e shtete demokratike. Kishim një “uri” për të dalë jashtë. Shefqeti ishte ndër të parët, nga ne gazetarët, që kaloi kufirin dhe shkoi rrugën e parë si kryetar në Angli. Shoqata dalëngadalë u mëkëmb e nisi të ecte…

Më kujtohet një seminar, me temë”Gazetaria Bujqësore, në Shqipëri”, në një sallë, në katin e katërt të Ministrisë së Bujqësisë. Në atë seminar pjesëmarrës ishin, Etleva Xhajanka, Monika Spahivogli, Miti Koçi, drejtori i Shtëpisë së Propagandës Bujqësore Kastriot Mersini, etj. Referatin kryesor e mbajti Kryetari i shoqatës. U pasua nga referate të tjerë, mjaft me nivel. Pati diskutime e gjithçka shkoi mirë. Në pushim dolëm në ballkonin, gjysmën e tarracës, ku bëmë edhe fotografi për t’i pasur kujtim. Kjo veprimtari ishte ndër të parat, ndaj ishte edhe si një përurim për rrugën e shoqatës në të ardhmen.

Gazetarë që kishin nënshkruar themelimin, ishin kryesisht të diplomuar në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Përveç Universitetin Bujqësor, disa, kishin kryer kurse gazetarie si Skënder Sina, Pasho Baku, Veli Hioxha, Fuat Memeli dhe Fiqiri Shahinllari, por kishte e me specializim pasuniversitar (master) në gazetari si Shefqet Meko, Xhevdet Bashllari, Nuri Dragoi dhe Gjovalin Gjeloshi, ndërsa Ago Nezha, Selim Hoxha, Imelda Kolari etj vinin në gazetari nga shkolla e jetës. Po thuaj, të gjithë patën fatin të punonin, për vite me radhë, përkrah gazetarëve më të vjetër, që kishin bërë emër në gazetari si Lefter Peço, Ballkiz Halili, Mitro Kuli, Milto Ferro etj, në Shtëpia e Propagandës Bujqësore që, në atë kohë, ishte “shkollë e gazetarisë bujqësore”, me drejtor Faik Labinotin, e më pas gazetari punëmadh Jani Gusha. Aty botohej Revista “Bujqësia”, Buletini i Shkencave Bujqësore, 9 Buletinet e Instituteve Kërkimore si dhe dhjetëra tituj broshura e libra, në vit, me teknika e teknologji bashkëkohore, për shtimin e prodhimit bujqësor e blegtoral.

Të gjithë donin të mësonin më mirë profesionin e gazetarit. Shefqeti shkoi edhe në SHBA te Radio ”Zëri i Amerikës”, ku kreu një kurs të mirë. Pas disa vitesh, kryetar Shefqeti, do të shkonte në Zvicër, ku do takonte dhe do të miqësohej me gazetarin Hans Muler. Miku nga Zvicra u bë” mblesëtar”, për ta pranuar shoqatën tonë, në Federatën Ndërkombëtare të Gazetarëve të Bujqësisë (IFAJ). Anëtarë e shoqatës janë të pajisur me kartën e Federatës Ndërkombëtare të të Gazetarëve të Bujqësisë (IFAJ). Ishte viti 1998. Në gusht të atij viti, IFAJ, do të çelte Kongresin, në Berlin të Gjermanisë.

Në atë Kongres nga shoqata jonë, e anëtarësuar rishtas,u ftuan e morën pjesë 5 gazetarë nga Shqipëria: Shefqet Meko, Xhevdet Bashllari, Fuat Memeli,Pasho Baku dhe Blerta Bena. Në statutin e shoqatës është shkruar edhe ngritja e nivelit të gazetarëve. Të gjithë donin të mësonin më mirë profesionin e gazetarit e synuar kualifikim të vazhdueshëm. Për kualifikim do të shfrytëzonim përvojën brenda për brenda vendin, por edhe atë ndërkombëtare. Tek ecnim nëpër vite nga radhët e shoqatës patëm edhe “hemorragji”. Vetëm në Amerikë, deri kanë shkuar me banim, 5 anëtarë; të tjerë kanë ikur në shtete të tjera. Por të larguarit, ne nuk duam t’i largojmë nga jeta e shoqatës. Ndaj në veprimtaritë tona çdo ftesë e nisur elektronikisht si për çdo pjesëtar

të shoqatës, ju shkon edhe atyre kudo që janë. Ndaj ata vijnë dhe ikin. Vijnë në Shqipëri dhe ikin në Amerikë, por edhe anasjelltas ikin dhe vijnë. Vijnë me përshëndetje e me fjalën e tyre, vijnë e janë midis nesh. Ndër kohë prurje të tjera kemi pasur. Në analizën dhe vlerësimin e radhëve të shoqatës e pamë të

 domosdoshme ripërtëritjen. Vetëm në 2 vitet e fundit kanë hyrë në shoqatë, të rinj si Anton Grizha, Bujar Ferhati, Albora Kaçani etj. Bashkudhëtarë në rrugën e shoqatës kemi si ripërtëritjen dhe kualifikimin. Jo vetëm për gazetarët e rinj, por për të gjithë ne, është fat dhe nder, se kemi nder të shoqatës, 3 profesorë: Profesor Hamit Boriçi, Ahmet Osja, dhe Hylysi Hako; janë 3 profesorë me emër të gazetarisë, bujqësisë dhe të filozofisë; janë 3 shkencat e domosdoshme për të plotësuar nga ana profesionale çdo gazetar bujqësie. Të tre profesorët punojnë përkushtim dhe me kujdesi atëror për edukimin tonë profesional.

Për ngritjen profesionale, sipas përvojës së IFAJT, për të nxitur gazetarët për të shkruar më shumë dhe me cilësi më të mirë, kemi organizuar konkursin e përvitshëm “Dr Vasfi Samimi”. Dr. Samimi është një personalitet i shkencës dhe i gazetarisë, sidomos asaj të shkruar. Në skedat e bibliotekës kombëtare e kam gjetur 33 herë autor, në 33 vëllime libra e broshura. Për ‘Vasfi Samimi, Jeta e vepra”, u ngrit një redaksi me kryeredaktor Profesor Hamitin. Pas një pune me përkushtim doli në dritë seria me 28 vëllime.

Konkursi “Vasfi Samimi” është i përvitshëm, për shkrimin më të mirë të botuar gjatë vitit. Shkrimet e mbledhura me mbishkrimin “për konkursin” i vlerëson juria me pikë, për interesin e temës, përmbajtjen, për stilin etj Tashmë e kemi bërë traditë konkursin. Është viti i pestë që shpallet fituesi i çmimit Vasfi Samimi” .

Në analizën e punës njëvjeçare, në çdo fundviti paraqesim edhe projektet që mund të realizohen nëpërmjet shoqatës. Çdo anëtar mund të hartojë projekte dhe t’i paraqesë në shoqatë për miratim e zbatim.

Për ta bërë jetën shoqërore më të afërt e më të ngrohtë e familjare festojmë ditëlindjet e shokëve dhe shoqeve tona. Më mbreslënse ishte ditëlindja e kolegut tonë Skënder Sina, në Lezhë. Kolegët lezhjanë kërkuan që atë veprimtari ta zhvillonim, në qytetin e tyre. Edhe aty në Lezhë erdhën, nga Amerika me përshëndetjet e tyre: Fuat Memeli, Shefqet Meko, Fiqiri Shahinllari dhe Klara Buda. Festimet e ditëlindjes u kryen sipas traditës të festimit familjar me tortë e me këngë, urime, shëndete e dolli.

Në Lezhë kemi shkuar të gjithë së bashku te Muzeu i Skënderbeut. Aty përveç fjalës së ciceronit, dëgjuam edhe recitime aktorale të kolegëve tanë Pasho Baku e Ali Coka, nga fjala e Skënderbeut, sipas Marin Barletit.

Gjithashtu, edhe festën e tradicionale të vitit të ri e kemi bërë traditë për festimet në shoqatë.

Një ditë, në adresën time mbërrin një ftesë nga Serbia. Në letër elektronike lexova: Ju ftojmë në Turin Ballkanik 2012, AGROPRESS SERBI, 14-19 maj, 5 gazetarë, me shpenzimet nga Ministrisa e Bujqësisë, Tregtisë, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave të Serbisë. Turi do të do të kalojë në Beograd, Novi Sad, Valjevo dhe në vende të tjera.

Shikoj në fund, ftesën e dërgonte homologu: Goran Gjakoviç, Kryetar i Unionit të Gazetarëve të Bujqësisë, Serbi. Shkuam 5 gazetarë në atë Tur. Atje takuam kolegë nga SHBA, Bullgari, Irlandë, Zvicër, Kroaci, etj por nëse nga shoqatat e shteteve të tjera anëtare të IFAJ, kishte nga një pjesëmarrës, vetëm nga Shqipëria ishim 5 gazetarë. Në ditët e “turit“ udhëtuam Beograd-Novisad, fushës së gjerë e pa anë; pamë, kombinate si ai i Sojëproteinike të “Viktoria Grup”, që shpërndante prodhim nëpër Evropë, vizituam edhe kombinatin e përpunimit të qumështit, një nga më të mëdhenjtë në Evropë si dhe stacione të tjera të zhvillimit të bujqësisë serbe. Në fund të turit, kur u ndamë, e falënderuam edhe një herë për këtë mundësi të mirë për të parë dhe për të marrë përvojë nga bujqësia serbe dhe e ftuam të vinte të shikonte bujqësinë e vendit tonë.

Nga shoqata jonë, me ftesë të IFAJ kanë marrë pjesë në Kongreset, Texas, në SHBA, Valencia të Spanjës, në Norvegji etj.

 Këto ishin disa nga veprimtaritë e jetës së shoqatës. Për zhvillimin e tyre ne kemi pasur gjithnjë mbështetjen financiare të bisnesmenëve e kolegëve: Agim Rameta, Fatos Bylukbashi, Gjovalin Gjeloshi, Skënder Sina, Gëzim Sinani, Selim Hoxha etj sot gjejmë rastin t’i falenderojmë.

Në rrugën 20 vjeçare të shoqatës, janë ndarë nga jeta gazetari Marash Hajati, që ka bërë emër dhe ka mbetur në historinë e gazetarisë shqiptare si në gazetarinë e shkruar edhe atë elektronike. Sot, përveç Marashit, homazh ju përcjellim edhe dy anëtarëve të shoqatës Profesor Miti Koçi dhe Abdulla Braçaj.

Gazetarët e shoqatës, kanë shkruar me përkushtim. Shkrimet e rrjedhura nga penat e tyre, kanë mbetur e do të mbeten në faqete gazetave. Ato kanë zënë vend në koleksionet dhe arkivat e gazetave. Firmat Fiqri Shahinllari, Nuri Dragoi, Bashkim Koçi, Jani Gusha, Xhevdet Bashllari, Shefqet Meko, Ahmet Osja, Ago Nezha, Pasho Baku, Zef Gjeta, Fuat Memeli, Enver Isufi, Gjovalin Gjeloshi, Etleva Xhajanka, Skënder Sina, Miti Koçi, Haki Kola, Gjon Fierza, etj. janë me qindra e mijëra artikuj të botuar nëpër gazetat e revistat e shtypit bujqësor dhe atij shqiptar në përgjithësi. Ka arritur në dyshifror numri titujve të librave me autor: Sokrat Jani, Xhevdet Bashllari, Zef Gjeta, Gjon Fierza, Enver Isufi etj. ndërsa Veli Hoxha, me punën redaktuese mbi 40 vjeçare u bë një nga redaktorët më në zë të botimeve bujqësore. Dy nga kolegët tanë gazetarë Fuat Memeli si dhe operatori Fatos Loli, kanë bërë emër në realizimin e filmave dekumentarë bujqësore si brenda dhe jashtë vendit. Emrat e tyre i shohim në mbi 200 filma dekumentarë. Ata janë pjesëmarrës në disa festivale të filmit dokumentare jashtë shtetit. Në këtë gjini të gazetarisë elektronike, ata kanë fituar pesë çmime ndërkombëtare.

Ne si shoqatë, jemi partnerë, por edhe opozitë e shëndetshme me Ministrinë e Bujqësisë për zhvillimin dhe përparimin e bujqësisë. Sot, në fshat, ku jeton e punon, po thuaj gjysma e popullsisë, mungon shtypi bujqësor. Në vendin tonë, përfaqësuese e denjë e shtypit bujqësor ka qenë “Revista Bujqësia”.

Kur revista mbushi 90 vjet dhe ne, gazetarët, specialistët e bujqësisë dhe fshatarët, do të festonim 90 vjetorin e revistës më të madhe, pra, krenarisë së shtypit të shkruar bujqësor, Ministri i Bujqësisë Genc Ruli e mbylli. E mbylli, kur në atë qeveri, Ministri i Arsimit nuk kishte revistë dhe çeli. Në historinë e shtypit bujqësor kanë hyrë dy ministra: Ministri Ferid Vokopola, që nënshkroi çeljen e saj dhe, pas 90 vjetëve, Genc Ruli që e mbylli, në kohën e demokracisë, atë revistë që nuk u mbyll e doli edhe në kohën e luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare.

Gjendja e bujqësisë dhe bujkut, në kohën e ministrit Genc Ruli, kur mbylli revistën, u kthye si 90 e ca vjet më parë, kur specialistët e bujqësisë përpiqeshin të nxirrnin në dritë revistën bujqësia apo si do e quanin “fletore” me emrin naimjan “Bagëti e Bujqëia”. Historia përsëritet. Ja çfarë shkruanin “baballarët” e revistës me rastin e ditëlindjes së saj: 

 “Në shtetet e tjera “Fletoret e bujqësisë”, kanë marrë një përhapje të madhe, si edhe përparimi i atyre shteteve në bujqësi ; po shohim se në qytete tona të vogla, shumë fletore me ngjyrë politike edhe letrare, janë tue botue. Nuk mundemi të themi, në ashtë apo jo nevojë për aq fletore, që dalin sot në Shqipni, se barometri i tyre është kënduesi; por vetëm duam të themi se deri sot, nuk ka dalë as një e përkohshme me landë praktike për punën e tokës tonë, për nevojat e atij bujku, që e kemi lanë në errësirë, për ndihmën e asaj bujqësie, që formon bazën edhe jetën e Shtetit tonë bujqësor”…

Sot, me këtë rast, i kërkojmë ministrit të bujqësisë Edmond Panariti të Qeverisë së Rilindjes “të na rilindi” edhe revistën “Bujqësia”, sepse atë do ta ketë krahë e ndihmë në punën e tij për zhvillimin e bujqësisë. Ajo do të paraprije duke përcjellë, te specialistët dhe fshatarët, mendimin e përparuar, teknikat dhe teknologjitë bashkëkohore.

Në këtë 20 vjetor, falënderojmë tre profesorët tanë, nderin dhe krenarinë e shoqatës. Ata vijnë vullnetarisht me ne, si dje në auditorët e Universitetit edhe sot, në shkollën e jetës, në shoqatë, na mësojnë dhe edukojnë me përkujdesje prindërore. Falenderoj specialistët e bujqësisë bashkëpunëtorët tanë më të afërt e më kompetentë. Falenderojmë kolegët gazetarë të shoqatave si motra, që na kanë nderuar me pjesëmarrjen. Duke përfunduar në këtë njëzetvjetor falënderoj, të gjithë anëtarët e shoqatës sonë që kanë harxhuar, kohë, energji mendore e fizike dhe i kanë dhënë jetë shoqatës, nga jeta e tyre. Ju faleminderit të gjithëve, që na nderuat me pjesëmarrjen tuaj, në përvjetorin e 20-të të shoqatës sonë.

SHKARKO APP