Një standard në zbatimin e ligjit

Nga Sadedin Çeliku

Shteti ligjor nuk është thjesht nocion teorik por tërësia e nevojave që ka shoqëria e cila nënkupton ekzistencën e organizuar të një pushteti në funksion të asaj shoqërie. Kur shteti përbëhet nga njerëz të moralshëm, atëherë misioni i shtetit përfundon me sukses. E kundërta është kur shteti ka rekrutuar njerëz të pamoralshëm e të paaftë,pra në këtë rast misioni duket i komprementuar apo i dështuar. E thënë ndryshe ligji duhet zbatuar njëlloj,kudo dhe në çdo gjë. Kudo në botë tarifat e shërbimeve kanë kosto të lartë dhe kësisoj kushtojnë,por të paktën marrin shërbime kualitative e të garantuara. Firmat dhe kompanitë e huaja vijnë në Shqipëri, sepse fiton para dhe pa bërë punë ose duke kryer shërbime pa kualitet. Shkaku është se vetëm këtu mund të bëhesh milioner shumë kollaj. Kështu paguajmë tarifa shërbimi për telefonin fiks, tarifa shërbimi për ujin e pijshëm dhe ujin e përdorur, siç e klasifikon ujësjellësi, dhe sipas rastit tarifa instalimi, tarifa shërbimi për përdorimin e ashensorit dhe mirëmbajtjen e banesave,tarifa shërbimi për çdo veprim postar etj. Posta shqiptare është i vetmi operator publik në tregun shqiptar. Krahas shumë shërbimeve postare si shërbimi ems, emetimi i pullave postare, shërbime biznesi e financiare (transferta parash,pagesa tatim-taksash, shpërndarje pensionesh pleqërie,arkëtime faturash telefonike, energjie elektrike,uji), kryen dhe disa shërbime të tjera. Siç u informuam mbi 5000 abonentë që kishin paguar faturat e energjisë elektrike nuk rezultonin të tillë në sistemin e OSHEE-së. Pra shërbimi lë shumë për të dëshiruar dhe punonjësit merren në punë pa asnjë trajnim.

Administrimi i pronave të përbashkëta është në gjendje shumë të mjerueshme sepse nuk zbatohet ligji dhe s’kërkon askush zbatimin e ligjit. Banorët paguajnë 1.500 lek për mirëmbajtjen por dhe 1.000 lek për energjinë e garazhit në se ke makinë. Tarifat përcaktohen opshe pa asnjë kalkulim dhe banorët trajtohen si skllevërit e investitorit. Shërbim nuk ka sepse nisma e qeverisë për zënien e hapësirave publike me sa duket nuk ka zbritur në kryeqytet sepse nuk ka mbaruar punë ende me bregliqenet dhe bregdetin. Problemi është se në bazë të ligjit miratuar administratorin e caktojnë banorët, regjistrimi në QKR i domosdoshëm dhe numri i llogarisë në bankë gjithashtu. A është e moralshme t’ju miratohet leja e shfrytëzimit dhe legalizimet nga strukturat përgjegjëse pa dorëzuar më parë numrin e niptit të shoqërisë që do administrojë banesat  Po puna e zezë si do luftohet? A duhen përcaktuar tarifat në të tilla raste apo do ti nënshtrohen tekave të investitorëve? Pse ju bëjmë nder investitorëve për shtesat e kateve që kanë shkelur ligjin me qëllim dhe nuk do të ishte më mirë të jepesh leja shfrytëzimit në bazë të lejes ndërtimit?

Në mes kryeqytetit në çdo pallat hapësirat publike janë zënë nga investitorët që e kanë ndërtuar dhe kësisoj nuk ka ku futet as autobulanca në rast urgjence dhe as zjarrëfiksat në rast zjarri. Ju duket çudi, por dhe i vdekuri nuk ka nga del. Kush do duhet të merret me këtë çështje dhe a është edhe kjo pjesë e projektit të qeverisë për lirimin e këtyre hapësirave në mes të kryeqytetit? Bashkia e Tiranës e ka një ndërmarrje komunale banesa pa asnjë rol. Nuk do ishte keq që sektorin e administrimit ta merrte kjo ndërmarrje shtetërore. Përfitimi do të ishte shumëplanëshe. Eleminohesh tërësisht puna e zezë që lulëzon sot dhe hap mjaft vende të reja pune. Duhet mbajtur parasysh se ende populli beson më shumë ke shteti se sa ke private. Shërbimi i tregjeve është nga më të këqijat në Europë. U prish tregu i fruta perimeve dhe produkteve të tjera ushqimore tek uzina dinamo dhe mbetën peng i aferave tregu i veshmbathjeve shumë pranë asaj dhe tregjet e elektrikut midis zonave të banuara dhe përballë fabrikës bukës një treg miks. Ka dhe tregje të improvizuara tek stacioni i trenit, apo nëpër trotuare. Tregtarët tek Uzina Dinamo u larguan forcërisht dhe vendin e tyre e kanë zënë rrënojat dhe një fabrikë buke që zoti e di se ku e ka. Asnjë tregtar nuk ka faj që zapton trotuaret sepse deri më tash pushteti vendor dhe ai qendror nuk kanë menduar as për popullin dhe as për tregtarët. Janë ndërtuar mjaft markete të mëdha por atje nuk futesh sepse çmimet janë astronomike dhe shumë herë mbi nivelin e tregut.

Qeveria në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës duhet të mendojnë seriozisht për konsumatorët të cilët duhet të bredhin rrugë më rrugë për të psonisur. Ka ardhur koha ta standardizojmë edhe këtë punë siç e ka gjithë bota, me distributor të specializuar për bulmete, produkte mishi, fruta-perime etj. dhe kështu malli kalon vetëm dy duar nga katër që vërtitet sot. Ai që e pëson është konsumatori. Atij i duhet të përballojë rritjet e çmimeve e tarifave për karburantet, gazin, energjinë,pasaportat dhe kartat e identitetit,tatimin mbi të ardhurat, taksën e pasurisë etj,sepse shteti nuk ka asnjë politikë sociale deri tani.

 

SHKARKO APP