Një super aktivitet për tri ditë e netë me radhë organizohet ”Vajzë Fest-art-film-trashëgimi-Edicioni II”
Nëse ka aktivitet që ia vlen të ndiqet në Shqipëri gjatë sezonit të verës, ai është “Vajzë Fest -art-film-trashëgimi-Edicioni II”. Pasionantë, kulturëdashës dhe patriotë janë organizatorët. Njerëz që përçojnë pasionin për artin, traditën dhe historinë.
Duhet të shkoni në Vajzë të Vlorës dhe ta shijoni spektaklin. Është krijuar një traditë e mirë që në çdo fundgushti, Vajza e Vlorës, fshati i Ali Asllanit shndërrohet në një qendër të rëndësishme kulturore, artistike dhe turistike.
Në datat 23-25 gusht, për tri ditë e netë me radhë organizohet “Vajzë Fest -art-film-trashëgimi-Edicioni II”, me shfaqje të filmave artistik e dokumentar, një shfaqje teatrore “Dashuria është e verbër”, e vënë në skenë nga Armand Bora, biseda me aktorët e regjizorët e ftuar, recitime prej tyre të disa poezive të Ali Asllanit, ekspozime të pikturave të disa piktorëve vlonjat, këngë polifonike të grupeve të fshatit, të zonës, si edhe të një grupi nga arbëreshët e Italisë, një shfaqje teatrore për fëmijë, me regji te Petrit Xhelili, shfaqje nga Cirku kombëtar, etj.
Disa nga figurat e nderuara të kinematografisë si, Mevlan Shanaj, Yllka Mujo, Piro Milkani, Pëllumb Kulla, Marjeta Ljarja, Ndriçim Xhepa, Kristaq Skrame (të cilët kanë konfirmuar pjesëmarrjen), por edhe të tjerë, do jenë të ftuarit special, që do të akomodohen në bujtinat dhe shtëpitë e fshatit. Gjithashtu do të ngrihen edhe çadra kampingu për studentët e Universitetit të Arteve dhe për të rinjtë që do të dëshirojnë t’i bashkohen kësaj veprimtarie festive.
Do jenë tri ditë e netë me gjallëri, për të shijuar gjithashtu edhe kulinarinë e zonës (veçanërisht mishin e pjekur dhe bulmetin e restorant “Shpella e Vajzës”), por edhe për të eksploruar nëpërmjet guidave Urën e Brataj (me hiking dhe larje në lum), Ujvarën e Rasalit, Shpellat e Velçës, Beunin dhe padyshim Amantian. Çdo gjë është realizuar me shumë dashuri dhe kujdes nga organizatorët (Shoqata e fshatit Vajzë, Bashkia Selenicë), si dhe nga disa bashkëshatarë vajziotë, që do e mbështesin financiarisht.