Një vend pune në “Perëndimin e Egër”

 

Nga Enver Robelli*

I.

Në shënimet e tij mbi dinjitetin e njeriut filozofi i krishterë francez, Blaise Pascal, shkruan: “Njeriu është vetëm kallam, më i dobëti i natyrës, por ai është kallam që mendon”. Njeriu si fije bari, i pashpresë, i bluar nga lojërat e ndyra të pushtetit: kështu më dukej javën e kaluar një njeri, i cili më ndali afër sheshit “Nëna Terezë” në Prishtinë për të më qarë hallet dhe për të më lutur nëse mund t’i gjej një vend pune.

Tregoi se para disa vjetësh më kishte shërbyer në filan restorantin në qendër të Prishtinës, pastaj kishte mbetur pa punë e pa rrogë, por me gruan dhe tre fëmijë në shtëpi që e prisnin të sillte diçka nga qyteti – bukë, djathë, kripë, vaj dhe artikuj të tjerë që i duhen njeriut për të jetuar e mbijetuar. “Ndoshta do të tingëllojë e tmerrshme”, vazhdoi rrëfimin njeriu i dëshpëruar, “por tani po kthehem nga një qendër tregtare. E dëgjova lajmin se mbrëmë e kanë vrarë rojtarin e saj. Sot në mëngjes shkova të pyes nëse mund ta zë vendin e tij të punës”.

Vetëm përfytyrimi se një i papunë lutet të marrë vendin e punës të një viktime ende pa u fshirë gjaku i krimit flet shumë për mjerimin social në Kosovë. Hallexhiu i Prishtinës i ngjante një kallami që dridhet, por që mendon. Ai nuk është naiv, ai e sheh pasurimin e pafund të pushtetarëve, ai i sheh për çdo ditë fytyrat e tyre cinike, i sheh duke ngrënë dreka e darka të shtrenjta në restorantet mondane të Prishtinës dhe duke zhvilluar debate të thella mbi telefonat e mençur dhe të sapodalë në treg.

II.
“Njeriu nuk është krijesë që mendon vetëm për vetëruajtje. Atij i është dhënë edhe një ndjenjë e brishtë e respektit për vetveten, lëndimi i së cilës atë nuk e godet më pak se dëmtimi i trupit apo pasurisë”. Ndoshta polici i Republikës së Kosovës që shërben në Aeroportin e Prishtinës nuk i ka lexuar këto fjalë të Samuel von Pufendorfit, por mënyra se si fliste para disa javësh ky zyrtar i shtetit tingëllonte si të ishte citim nga veprat e filozofit gjerman.

Polici tregoi se në fund të viteve 90-të e kishte lënë rehatinë austriake dhe kishte ardhur të luftonte për çlirimin e vendit. 16 vjet më vonë ai thoshte se po ta kishte ditur e parandier se liria do të keqpërdorej aq shumë nga “këta tanët”, atëherë kurrë nuk do të ishte kthyer. Polici dukej i zhgënjyer tek tregonte se si ka lulëzuar nepotizmi në aeroport, se si komandanti i policisë, zyrtarë institucionesh e politikanë kanë vendosur në pozita vendimmarrëse akraballëk që vjen kryesisht nga një rajon i vetëm i Kosovës. Për ta mbuluar të keqen aeroportit i është vënë emri “Adem Jashari” si gëzof patriotik.

“Këta njerëz kanë luftuar dhe kanë derdhur gjak për këtë vend, por tani, 16 vjet pas luftës dhe shtatë vjet pas Pavarësisë, shumë kosovarë duan vetëm një gjë: të ikin. S’ka rëndësi kë pyetni, përgjigjja përherë është e njëjtë: secili do të shkonte në botën e jashtme sikur të mundte. Thjesht secili. Menjëherë. Thonë njerëzit dhe qeshin, por nuk dihet nëse vërtet mendojnë se kjo është diçka e hareshme”. Kështu e përshkruan situatën në Kosovë revista gjermane për kulturë politike “Cicero”.

III.
Gazetari i “Cicero” merr shembullin e biznesmenit Shefqet Kuqi, pronar i fabrikës së këpucëve “Solid” në Suharekë, për të ilustruar dëmtimin e ekonomisë vendore nga pushteti. “Nëse e pyetni Kuqin për politikë, ai vetëm tund kokën. ‘Është dëshpëruese’, thotë ky burrë, i cili pas luftës e ka ngritur firmën e tij nga hiçgjëja. Serbët e kishin djegur atë. ‘Por, ka qenë më lehtë kur kemi qenë të pushtuar nga serbët’. Kjo fjali përmban pak zbukurim të së kaluarës, fundja shqiptarët në Kosovë nuk kanë pasur pothuaj fare të drejta.

Por, përtej politikës, në jetën ekonomike, kanë vlejtur rregulla deri diku korrekte, thotë Kuqi. Tani, ndërkaq, sipas tij, është si në Perëndimin e Egër. Përherë tarifa të reja doganore, tatime, detyrime dhe tagra. ‘Nganjëherë mendoj të largohem në Maqedoni’. Kulmi i serisë së dëshpërimeve ishte historia me çizmet e policisë. Shefqet Kuqi fut dorën nën tavolinë dhe nxjerrë një çizme të zezë lëkure mjaft të dëmtuar. Pjesa e përparme e shuallit thërrmohet tamam. ‘Kështu duken çizmet e reja të policëve tanë pas tre muajsh përdorimi’, thotë ai.

Më parë çizmet i kishte prodhuar ‘Solidi’. ‘Pas një viti përdorimi ato janë dukur më mirë se kjo çizme këtu’. Megjithatë, kontrata e fundit trevjeçare për prodhimin e gjithsejtë 24 mijë palë çizmeve nuk iu dha firmës ‘Solid’, e cila siguron vende pune në Kosovë, por një konkurrenti të huaj. Kjo u bë edhe pse Kosova vuan nga deficiti masiv në tregtinë e jashtme. ‘Sikur të bëhej fjalë për çmimin ndoshta do ta kisha kuptuar’, thotë Kuqi. ‘Por, çizmet tona do të ishin dukshëm më të lira’”, shkruan “Cicero” duke cituar biznesmenin kosovar.

IV.
Jo vetëm “Cicero”, por edhe medie të tjera gjermane javëve të fundit kanë treguar arsyet përse kosovarët po ikin nga shteti për të cilin sakrifikuan shumë. Papunësi, korrupsion në të gjitha nivelet, infrastruktura e keqe – këto janë arsyet që e errësojnë të ardhmen e shtetit më të ri të Evropës. Një e treta e 1.8 milionë banorëve të Kosovës jeton me më pak se 1.50 euro në ditë.

Papunësia vlerësohet të jetë 45 për qind, te të rinjtë madje 70 për qind. “Nuk ka sigurim shëndetësor funksional. Vizitat te mjeku zyrtarisht janë falas, por listat e pritjes për operacione janë të gjata dhe në spitale e klinika mungojnë aparatet mjekësore, injeksionet dhe ilaçet. Kush dëshiron jo vetëm të kontrollohet, por edhe të trajtohet zakonisht duhet të paguajë shuma, të cilat mund të shkatërrojnë ekzistencën”, shkruan “Cicero”.

V.
Ndjenja e ligështisë e ka kapluar Kosovën, për shkak se pas fasadës demokratike (me Qeveri, Parlament, sistem të drejtësisë, medie publike etj.) fshihet sistemi paralel, i cili kontrollon gjithçka. Është sistem i ngritur nga mentaliteti i cubit që ligjin, rregullat, proceduarat, demokracinë i ka konsideruar tradicionalisht si pengesë për veprimtarinë e tij. Në indeksin e korrupsionit të “Transparency International” Kosova gjendet në vendin 110 prej 174 vendeve. Nga virusi i korrupsionit duket se është prekur edhe misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit (EULEX).

Përballë kësaj situate shumë kosovarë marrin edhe pasaportë serbe për të ikur nga vendi i tyre. “Fotoja personale në pasaportën e Serbisë së urryer – vetëm që të mund të ikësh. Sall kjo tregon shumë për gjendjen e Kosovës”, shkruan “Cicero”. – Ish-kamerierit që u përmend në fillim të këtij shkrimi filloi t’i dridhej buza pasi mbaroi rrëfimin e tij. “Më duhet t’i çoj së paku tri bukë në shtëpi sot”, tha ai. “Nëse mund të më ndihmosh pak, të mos kthehem duarthatë…”. Atë ditë ai ka mundur t’i çojë në shtëpi më shumë se tri bukë, por jo shpresë për të ardhmen, sepse edhe të nesërmen duhet të dalë në qytet në kërkim të punës dhe në kërkim të lëmoshës. “Jam me qejf patriot, por më parë njeri – dhe ku nuk shkojnë të dyja, atëherë gjithmonë i jap të drejtë njeriut”, shkruan Hermann Hesse në një letër. Në Kosovë, përfituesit e pasluftës ndërtuan patriotizmin e rrejshëm mbi etjen për plaçkitje. Shoqëria kosovare do të dëshmojë patriotizëm të vërtetë vetëm nëse i jep të drejtë njeriut. Të drejtë për jetë të dinjitetshme.

*Koha Ditore

SHKARKO APP