Një vështrim tjetër për “Vrimën”
Nga Lorenc Vangjeli
Ka një pasazh të jashtëzakonshëm, në lirikën e jashtëzakonshme të prozës “Dashuri në Kohën e Kolerës”. Markezi i huazon një ëndërr vetjake njërit prej personazheve të tij, doktor Juvenal Urbinos. Doktori shpreh dhembjen e tij që në qytetin e tij “…nuk arriti kurrë të shihte sesi ndesheshin me bastuna përkrahësit e muzikës së Vagnerit me ata të Verdit…”. Pak a shumë kjo është çfarë thotë Markezi. Një sherr burrash, që shenjtërohet nga arsyeja e sherrit.
Tirana ngjan se është ditë mbas dite dhe çdo natë që ngryset mbas çdo dite në një sherr të pambarimtë. Sherr për reformën në drejtësi, sherr për drejtësinë, sherr për votat në parlament që veshin togat e zeza që duhet të japin drejtësi, sherr për padrejtësinë që shitet si standard evropian, sherr për sherrin, reforme për refomën, beton i ri për modelin e vjetër të bunkerit dhe bunker në zjarr, opozitë që bën sherr dhe shumicë që i thotë sherrit “ç’kemi”, sherr për të shkuarën dhe sherr për të ardhmen. Sherr për urrejtjen dhe hakmarrje për urrejtjen. Nëse e majta dhe e djathta, herë lart e herë poshtë njëra-tjetrës do të zgjidhin të bënin paqe, do të bënin sherr edhe për kushtet e paqes dhe do të rinisnin sërish betejën e radhës në luftën e tyre plot urrejtje.
Po çfarë lidhje mund të ketë qytetari i botës, nobelisti Markez me rrokopujën e zakontë e provinciale tiranase? Sado larg mund të duket, megjithatë e ka një të tillë. “Endrra” e tij e parë nga doktor Urbinoja, sherri me bastuna për muzikën klasike, gati – gati po ndodh në Tiranë. Jo për muzikën, por për një “instrument’ tjetër që çmend gjithë botën normale: seksin. Është botuar një libër me poezi që ka ndarë Tiranën në dy pjesë, përfshi dhe ata që nuk e kanë lexuar, por e kanë të gatshëm gjykimin kritik për të dhe gjithçka tjetër; e ka ndarë në dy pjesë që kundërshtojnë fort njëra-tjetrën. Një palë, ajo dhe që daroviti librin “Vrima” me çmim kombëtar e quan erotikë metafizike, pala tjetër e quan pornografi të pastër. Po ndeshen ballazi në studio televizive përfaqësues të tyre, po ndeshen fort dhe ashpër në rrjete sociale, po urojnë dhe mallkojnë, po lëvdojnë dhe po shajnë, po mrekullohen nga qejfi metafizik dhe po nxjerrin pështjellim zorrësh realisht. Janë përfshirë të gjithë. Indiferentë pothuaj nuk ka. Përveç politikës e cila për momentin ka bërë pushim në këtë temë. Për momentin politikanët kanë munguar të përfshihen në llogore.
Për shembull, nuk ka status në facebook Doktori, nuk reagon nga Twitter-i Rama, nuk ka komunikatë nga Meta dhe nuk e ka lexuar ende Basha. Nuk ka folur asnjë nga burrat në PD dhe asnjë nga gratë e përfaqësuara në PS. Kusuri që mbetet i shqiptarëve është në sherr për Vr…mën, njëlloj siç ka ndodhur që në fëmijërinë e njerëzimit kur për shkak të saj, pati një mollë më pak në degë dhe një mëkat më shumë në jetë e për gjithë jetën.
Dhe ky është një sherr i mrekullueshëm. Dhe ky është një bekim i jashtëzakonshëm. Të grindesh për vargje, qofshin apo jo poezi, qoftë eros apo pornografi vulgare; të ketë sherr për faj të supozuar letrar të një libri, bërë nga pemë të pafajshme, ky është një lajm i madh, është një lajm i mirë, është sherr me bastunë! Kjo është ëndrra e realizuar tiranase e Markezit. Edhe në Londër, edhe në Berlin, New York, Paris, Romë apo dhe në Damaskun e dërmuar nga lufta civile, lufta në emër të “Vr..mës” është hyjnore. Është një luftë ku kanë të drejtë të gjitha palët, ku fitorja e vërtetë është ajo kur fitojnë njëkohësisht të gjitha palët.
Dhe një detaj më shumë në klarinetën e tallavasë sonë vetjake pa Vagner dhe pa Verdin e Markezit. Personazhi tjetër i romanit, dashnori i madh Florentino Arisa, njeriu që llogariste pak a shumë nja 600 gra të bashkuara me pasionin e tij në vite, ishte gjithashtu një gënjeshtar i madh. Si të gjithë dashnorët. Njeriu që gënjeu ndershmërisht dashurinë e tij të rigjetur Fermina Dasa kur i tha se e kishte pritur i virgjër lidhjen me të, i referohej shpesh përvojës së tij empirike të shtrarit, siç e quante dhe vetë. Sipas saj, përvojës empirike, pra, ai ndante për shembull, llojet e ndryshme të grave, cilat ishin ato “të ngordhurat si zhaba dhe cilat ishin ato që bënin për në kosh të plehrave edhe mashkullin më mburavec”, fliste për diferencën mes seksit përvëlues dhe dashurisë platonike, për pasionin mbi dysheme që të ngjiste lart tek Perëndia dhe për seksin si Perëndi që të zhyste në lumturi, për aroma, ngjyra, për pasion, romancë, poezi, gënjshtër të ëmbël dhe ëmbëlsi dashurie. Por në asnjë vend, në asnjë rrethanë dhe në asnjë nga shkumëzimet e tij njerëzore, ky dashnor i madh nuk e ka përmendur kurrë squfurin. Për herë të parë në letërsi, seksi dhe squfuri, gjithë mrekullia dhe kjo gjë aromëshpifur si vezë e prishur, bëhen bashkë ne librin “Vrima”. Mbas sherrit të shëndetshëm që ky libër i dha qytetit, kjo është risia e dytë e tij. Qoftë dhe kaq, nuk është pak në këtë botë monotone ku zakonisht puritanët shohin nga vrima e çelësit të jetës së fqinjit për të trazuar turpshëm veten dhe Don Zhuanët skuqen si gratë nga gratë e lira që zgjedhin lirshëm të jenë gra! Sidomos kur janë gënjeshtarë siç janë gjithë dashnorët e sinqertë. Siç është dhe letërsia pa tradhëti, sic është seksi pa squfur; divorc pa dhembje, pandryshim që nga koha e Homerit. (Java)