Një vit pa Gert Bogdanin, bashkëshortja rrënqeth me fjalët: Deri në ditën kur të takohemi sërish
Sot shënohet një vit nga ndarja e papritur nga jeta e Gert Bogdanit, ish-deputet i Partisë Demokratike dhe një prej figurave më të spikatura të brezit të ri në politikën shqiptare. Vdekja e tij në moshë të re, vetëm 44-vjeç, tronditi botën politike dhe opinionin publik, duke lënë pas një boshllëk të madh.
Aktivistja Edlira Çepani ka përkujtuar të shoqin me anë të një postimi në rrjetet sociale, ku shkruan se ky vit i është dukur një përjetësi. ”1 vit pa ty Gert! Duket edhe si një përjetësi, por edhe sikur ishte dje që na dhe përqafimin e fundit. Çdo ditë e çdo vit pa ty do duket si një përjetësi”, shkruan Çepani.
Ajo shkruan se ajo, fëmijët, familjarë dhe miq do të vazhdojnë misionin e tij. ”Do t’i ngremë lart gjithë vlerat dhe kauzat për të cilat ti luftove fort, deri sa të kemi jetë! Të duam pafund e do jemi çdo ditë plot mall, deri ditën kur të takohemi sërish, drita jonë”.
Postimi i plotë
Një vit pa ty, Gert. Duket njëkohësisht si një përjetësi, por edhe sikur ishte dje që na dhe përqafimin e fundit. Çdo ditë e çdo vit pa ty do të duket si një përjetësi, por edhe sikur të kemi pranë në çdo moment.
Dhimbja nuk kalon me kohën; thjesht na e lehtësojnë pak barrën njerëzit që na duan dhe tek të cilët gjejmë mbështetje e ngushëllim. Jemi të bekuar, sepse kaq shumë njerëz na kanë dashur dhe na duan fort, kaq shumë miq nga e gjithë bota që të kujtojnë me mall e respekt, dhe që sot janë sërish duke të kujtuar ty, si një dritë që ndriçoje zemrat e kujtdo që kishe pranë.
Ne do ta vazhdojmë, hap pas hapi, misionin tënd; do t’i ngremë lart të gjitha vlerat dhe kauzat për të cilat ti luftove fort, derisa të kemi jetë. Të duam pafund dhe do të jemi çdo ditë plot mall, deri në ditën kur të takohemi sërish, drita jonë.
KOHA JONË SONDAZH

