Një zgjidhje për vendparkimet
Nga Sadedin Çeliku
Fillimisht më lejoni të sjell në vëmendjen e lexuesit se problemet me trafikun e automjeteve dhe i parkimeve të tyre nuk i ka vetëm Shqipëria, por pothuajse të gjitha vendet në botë, por me veçori e specifika të ndryshme. Pra vende të ndryshme zbatojnë politika të ndryshme duke i përshtatur ato në kushtet e vendeve respektive. Një nga vendet problematike në Europë ka qenë trafiku i automjeteve të Vjenës, që tashmë i ka dhënë zgjidhje përfundimtare përmes politikave fiskale. Atje gati bllokohesh trafiku dhe për pasojë filloi të japi impakte negative dhe në ekonomi. Të gjithë sipërmarrjen dhe nismat u morën nga Bashkia e Vjenës dhe ndërmarrjet nën varësinë e saj. Pra nuk është zbatuar asnjë marrëveshje me të tretë dhe as marrëveshje konçensioni.
Kryeqyteti ka patur një projekt në letër për ndërtimin e dy parkimeve nëntokësore tek Parku Rinia dhe para stadiumit Qemal Stafa, por nuk u realizua sepse ndërhyri politika si gjithnjë që bëhet pengesë, por ka patur dhe projekte të tjera siç ishte mbikalimi i Zogut Zi që e prishi zoti Basha, mbikalimi tek bërryli, tek pallatet me shigjeta (Shkolla Teknologjike) dhe tek ura Rruga Elbasanit. Asnjë nga këto vepra arti nuk nisi dhe as mbaroi. Për rrjedhojë, kaosi i trafikut zgjat pa mbarim për fajin e politikës dhe kësisoj tashmë shpiken metoda e mënyra që duke si konflikt interesash.
Sa i takon problemit parkimeve që anonçon Bashkia kam ndjekur me vëmendje nënkryetarin e Bashkisë së kryeqytetit dhe sinqerisht unë jam habitur me argumentet dhe arsyetimin profesional me të cilën ai mbrojti projektin e tij. Në shkrimin tim që daton më 6 shtator 2008 në revistën Mapo kam paralajmëruar dhe kam dhënë alarmin por dhe rrugëzgjidhje se si duhet trajtuar dhe se si duhet zgjidhur kjo çështje. Më vjen keq që kjo sipërrmarrje e rëndësishme ka rënë në dorën e njerzëve të paaftë dhe jo profesionistë, pse jo në dorën e atyre që kanë interesa direkte apo indirekte.
Duke u fokusuar tek iniciativa e firmës që i ka servirur Bashkisë e cila është e interesuar për këtë projekt mendoj se ka disa probleme të cilat duhen parë me kujdes.
1. Duhet disiplinuar trafiku, që do të thotë në bulevard nuk duhet të kalojë asnjë autoveturë. Nga praktikat europiane mund të kalohet deri në ora 18.00 dhe më pas vetëm zjarrëfiksat, autobulancat e urgjencës dhe policia vetëm atëherë kur është në ndjekje të krimit.
2. Duhet të disiplinohen sinjalistikat elektronike pasi rezonanca e kalimit në jeshile është shpesh e lartë për këmbësorët ose anasjelltas për automjetet. Kjo sidomos në qendrën e Tiranës.
3. Duhet disiplinuar rezonanca e qëndrimit në stacione të transportit qytetas pasi vërehen parregullsi serioze që shpesh bëhen shkak për bllokimin e trafikut.
4. Duhet riaktivizuar projektet e hershme të parkimeve nëntokësore tek stadiumi Qemal Stafa dhe Parku i Rinisë, por gjithnjë jashtë interesave klienteliste.
5. Me qëllim administrimin, menaxhimin dhe kontrollin e trafikut të kryeqytetit është punuar për ngritjen e qendrës së monitorimit dhe menaxhimit urban. Miratimi i masterplanit të Bashkisë për lehtësimin e trafikut që deri më tash nuk ka dhënë asnjë rezultat me sa duket ka problem me politikat që zgjidhin çështjen e trafikut. Vendosja e kamerave në 60 semaforë në udhëkryqet kryesore të kryeqytetit ende nuk po duken në horizont gjë për të cilën na bën të mendojmë se kaosi i trafikut vjen nga neglizhenca e bashkisë.
6. Marrëveshjet e konçensionit nuk praktikohen për sektorë shërbimesh sepse fitimet janë disa herë më të mëdha se investimet, pra riciklimi behet për pak kohë. Në se do duhet të bëhet mund të realizohet me kontratë njëvjeçare dhe jo me marrëveshje sepse kualiteti i shërbimit është variabël.
7. Bashkia mund t’ia besojë këtë shërbim dhe ndërmarrjes komunale e cila varet direkt prej saj.
8. Me taksimin e autoveturave nuk reduktohet as trafiku dhe as shkarkimi i gazrave aq të dëmshme për shëndetin e qytetarëve.
9. Bashkia nuk ka asnjë të drejtë morale dhe aq më pak ligjore të lëshojë leje për rezidentët ose jo për drejtuesit e automjeteve ndërkohë që rruga është pronë e taksapaguesëve.
10. Taksimi i vendparkimeve me 150 lek është kosto e lartë për çdo qytetar dhe drejtues automjeti që shumica i ka mjete pune.
11. Mënyra e arkëtimit parave në se projekti do marri udhë është mjaft i komplikuar në kushtet tona.
12. Nuk ka studim të mirëfilltë fizibiliteti. Materiali i Bashkisë nuk është bindës.
13. Për studimin dhe rentabilitetin e kësaj nisme nuk do ishte keq të aktivizohen dhe ekspertët e Institutit të Transportit si institucion I specializuar për këto probleme.
14. Së fundi, proçesi nuk është aspak transparent dhe kjo duket në pakënaqësitë e publikut.
Dujke u nisur nga këto arsyetime gjykoj se projekti është i nxituar dhe nuk i ofron asgjë qytetarëve por nuk ofron as zgjidhje. Shtyrja e zbatimit të projektit mund të ishte një zgjidhje.