Njeriu që sfidoi kohën, Enver Duka

Nga Nikolla Sudar*

Kur dikush ndahet nga jeta zakonisht për të thuhen fjalë të mira, por kur ato i meriton plotësisht, siç është rasti i të paharruarit Enver Duka, ato nguliten thellë nëkujtesën e njerëzve.

Në qendër të qytetit të Durrësit ndodhet një shtëpi e madhe. Një rrugicë e bukur të shkëput nga bulevardi dhe të shpie në hyrje të saj. Prej ditësh gjallëria në të është shumë e madhe. Ajo pret e përcjell miq të shumtë nga i gjithë vendi, sepse i pari i saj, Enver Duka, nuk është më. Në hyrje të shtëpisë të presin të zotët e saj, Vajdija, kjo grua e përzemërt e cila me vështirësi e përballon dhimbjen më të madhe në jetë, të presin djemtë Agroni dhe Armandi, vajza Anita, nipat e mbesat, që tashmë nuk do ta kenë më në mesin e tyre prindin dhe gjyshin e tyre të shtrenjtë, Enver Dukën.

Largohem me një trishtim të thellë për të vazhduar në drejtim të atyre vendeve, ku miku im i fëmijërisë, i rinisë dhe kolegu i punës ka lënë gjurmë të pashlyeshme.

Shkozeti ka qenë dhe mbetet zona industriale e Durrësit. Objekte të shumtë mbushin anekënd këtë territor të gjerë. Midis tyre të tërheq vëmendjen një objekt modern, ajo është ndërmarrja e mirënjohur brenda dhe jashtë vendit, me emrin “AIBA”.

Futem në të. Sapo e kupton qëllimin e ardhjes sime, recepsionistes i mbushen sytë me lotë. Tashmë ideusi dhe realizuesi i këtij objekti të madh, krenari e zooteknisë moderne shqiptare, Enver Duka nuk është më. Ajo më shoqëron tek zyra e tij, ku çdo gjë ka mbetur si më parë. Mbi tavolinën e punës portreti  i “gjyshit”, siç e thërrisnin me dashuri e respekt të veçantë të gjithë punonjësit, duket sikur thotë: “Këtu do të jem gjithnjë, midis jush!”

Viti ‘94 do të ishte viti i kthesës së madhe për familjen Duka. Ndërkohë që djemtë merreshin me tregti, fantazia e Verit dhe angazhimi  i tij i gjithanshëm do të realizonin një synim shumë të guximshëm për kohën: krijimin e ndërmarrjes moderne “AIBA”, prodhimet e së cilës tashmë janë të mirëpritura në vend dhe më gjerë

Pas pak afrohem tek Katër Rrugët e Shijakut. Pikërisht tek kthesa për në Shijak dikur ka qenë një shtëpi përdhese, ku u vendos për herë të parë çifti i ri, Enver dhe Vajdije Duka. Këtu ata ngritën çerdhen e tyre familjare në kushte shumë të vështira dhe këtu do të lindnin fëmijët, që do të bëheshin lumturia më e  madhe për ta.

Vazhdoj rrugën dhe jo më shumë se një kilometër përgjatë ish rrugës nacionale ndodhet ish SMT-ja e Shijakut, njëra nga  ndërmarrjet më të fuqishme në të gjithë rrethin e Durrësit. Këtu fare i ri Enveri do të bëhej pjesë e atij kolektivi i cili për javë të tëra  “harronte veten dhe familjen” nga punët e shumta e pa orar.          

Gjurmët e Enverit më shpien drejt Ishmit. Ndalem në Shkafane dhe marr rrugën drejt Lalëzit. Në krahun e majtë kur ngjitesh, menjëherë të bie në sy një plantacion i madh vreshti me varietete nga më të ndryshmet, vepër e Enverit. Këtu ai realizoi një ëndërr tjetër të madhe, duke e ngritur nga fillimi këtë plantacion dinjitoz. Mbi bazën e prodhimit të tij, bashkë me djemtë ndërtuan kantinën “Duka”, sipas teknologjisë së kohës, prodhimet e së cilës njihen tashmë në tërë vendin.

Mbresa të pashlyeshme ka lënë ai në qytetin e Shijakut, ku kaloi pjesën më të madhe të jetës. Në qendër të qytetit ndodhet shtëpia e kulturës. Këtu do të shpalosej edhe një dhunti tjetër e Enverit: pasioni  për aktrim. Nën drejtimin e regjisorit të talentuar Ritvan Malltezi, ai luajti në shumë role, duke përfaqësuar me dinjitet qytetin në festivale kombëtare të teatrove amatore.

Sapo kalon urën nga e djathta ndodhet një ndërtesë disakatëshe. Në të banon njëri nga njerëzit më fisnikë të qytetit, veterani i luftës, njeriu, që gjithë jetën dhe energjitë e tij ia kushtoi skuadrës së zemrës “Erzenit” të Shijakut, për meritë të të cilave është dekoruar nga pushteti demokratik, Sulë Zehiri. Është kënaqësi e veçantë të bisedosh me këtë burrë të vërtetë, që tashmë po u afrohet të nëntëdhjetave.

“Mbase sot tingëllon e çuditshme, – thekson ai, – por shpirti i sakrificës, gatishmëria për të dhanë maksimumin në fushë pa pasur asnjë trajtim material dhe për të argëtuar mijëra sportdashës, i karakterizonin futbollistët e “Erzenit” të Shijakut. Midis tyre do të shkëlqente sulmuesi i shkathët, i shpejtë si rrufeja, i palodhuri dhe i kudondodhur, Veri ynë i paharruar. Kontributi i tij për vite me radhë do të mbetet i pashlyer në historikun e qytetit”.   

Enver Duka u lind në Stacionin Zooteknik, në Xhafzotaj të Shijakut, në vitin 1939. I ati, Ramadan Duka, i diplomuar si agronom në Austri, bashkë me specialistë të shquar si Dr. Medar Shtylla etj, do të jepnin kontribut të madh në ngritjen dhe funksionimin e Stacionit të parë zooteknik të mbarështimit të blegtorisë në Shqipëri.

Që fëmijë tek Enveri do spikastedëshira për të ndjekur rrugën e të atit, atë të specialistit të bujqësisë. Krahas këtij synimi tek ai do të shfaqeshin dhunti të tjera si pasioni i madh për futbollin. Ishin vite kur ëndërrohej për një top të vërtetë futbolli, por që në “modë” ishin vetëm topat prej lecke. 

Me të mbaruar shtatëvjeçaren, akoma fare i ri në moshë, punësohet në SMT-n e Shijakut, ku do të kalonte një periudhë të gjatë të jetës së vet.

Ishte fundi i viteve pesëdhjetë të shekullit të kaluar, kur ai do të bënte hapin më të madh në jetë. Duke sfiduar paragjykimet e thella të kohës dhe fanatizmin, lidhet me një vajzë të re në moshë nga Ishmi, me Vajdijen, këtë vajzë kurajoze, mësuese në fillore. Të dy ata do të kurorëzonin dashurinë e madhe që ushqenin për njeri-tjetrin, duke përfunduar në martesë e, duke u shndërruar në një shembull të qartë emancipimi shoqëror. Ata do të ishin çifti më i ri në moshë, Enveri tetëmbëdhjetë dhe Vajdija shtatëmbëdhjetë vjeçe.

Enveri nuk hoqi asnjëherë dorë nga kualifikimi i tij i mëtejshëm. Ndonëse në marrëdhënie pune dhe familjar, me zell të madh kreu arsimin e mesëm dhe më pas u diplomua si agronom i lartë në Institutin Bujqësor të Kamzës. Me plot kuptimin e fjalës mund të thuhet se ishte dhe mbeti njeri “i dashuruar thellësisht pas tokës dhe pas profesionit të agronomit”..

Mbi të gjitha ai ishte dhe mbeti njeri i thjeshtë, i matur, shumë komunikues dhe i gatshëm për të ndihmuar cilindo në vështirësi. Veri ishte edhe një prind i dashur. Bashkë me të shoqen, Vajdijen, rritën dhe edukuan tre fëmijët e tyre, Agronin, Anitën dhe Armandin. Këto virtyte do t’i shpaloste ai edhe në punën shumëvjeçare si edukator i brezit të ri, në shkollën e mesme “16 Shtatori” të Shijakut, ku edhe u nderua me urdhrin “Naim Frashëri”.

Kthesën rrënjësore të viteve nëntëdhjetë e tërë familja Duka e priti me entuziazëm të madh. Pikërisht në situatën e ekonomisë së tregut do të dallohej në të gjitha drejtimet treshja DUKA: Enver-Agron- Armand. Enveri u bë frymëzuesi dhe mbështetësi kryesor i iniciativave të frytshme të djemve të vet, të cilët me punën e tyre të palodhur dhe shumëvjeçare u shndërruan në biznesmenë të shquar, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në mbarë hapësirën e Ballkanit.

Askush në Shijak nuk mund të harrojë kontributin e djalit të madh të Enverit, deputetit Agron Duka, i cili nën shembullin e të atit, luajti rolin kryesor në transformimin e Shijakut dhe sot vazhdon të jete ligjvënës aktiv në parlamentin shqiptar, kurse i vëllai, Armandi, drejton prej vitesh “Federatën Shqiptare të Futbollit”.

Të lësh gjurmë në jetë do të thotë që në radhë të parë të kryesh misionin tënd para familjes, shoqërisë dhe atdheut. Pikërisht këtë gjë e arriti prindi, specialisti dhe biznesmeni i paharruar ENVER DUKA, i cili para pak ditëve u nda nga jeta, përtë mbetur shembull për të gjithë brezat.                                                                                       

*Historian dhe përkthyes

SHKARKO APP