Njihen pensionet e emigrantëve

Emigrantët shqiptarë që jetojnë në Gjermani dhe Çeki tashmë do të mund të përfitojnë nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore në vendet ku ata punojnë dhe jetojnë. Kjo bëhet e mundur në bazë të marrëveshjeve të miratuara dy ditë më parë nga qeveria shqiptare me këto dy shtete e cila, në bazë të rregullave ndërkombëtare, garanton mbrojtje sociale për shqiptarët që jetojnë e punojnë në këto vende. Mbi bazën e marrëveshjes së nënshkruar me Gjermaninë shqiptarët fitojnë të drejtën e pensionit duke mbledhur vitet e punës që kanë atje apo dhe në shtetit tonë.

Por ndërkohë përfitues janë edhe qytetarët shqiptarë që kanë marrë apo do të marrin shtetësinë gjermane, sepse nuk humbet e drejta e përfitimit të një pensioni për aq vite kontribute sa kanë ndenjur në Shqipëri. Mbi bazën e këtyre marrëveshjeve sipas MMSRsë, do të përfitojnë 14 300 emigrantë shqiptarë në Gjermani dhe 280 emigrantë në Çeki, shifra këto të zyrtarizuara nga Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë.

Marrëveshje

Burime zyrtare nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë sqarojnë për “Shekullin”, përfitimet e emigrantëve shqiptarë në Gjermani e Çeki. Sipas këtyre burimeve, projektmarrëveshjet bilaterale në fushën e mbrojtjes shoqërore konsistojnë në ofrimin e përfitimeve nga sigurimet shoqërore dhe ato shëndetësore dhe bazohen në parimin e trajtimit të barabartë të punëtorëve në punësim, trajtimin me përfitime dhe të ardhura. Gjithashtu, rregullat koordinuese garantojnë që personat që lëvizin nga një vend në tjetrin dhe personat në varësi të tyre, si edhe të mbijetuarit, të ruajnë të drejtat e fituara apo që janë duke i fituar.

Bashkimi i periudhave të siguruara sipas legjislacioneve kombëtare të ndryshme merret në konsideratë, për të siguruar të drejtën e përfitimeve dhe llogaritjen e pensioneve përkatëse të këtyre personave. Marrëveshja mes Shqipërisë dhe Gjermanisë garanton përfitime edhe për shqiptarët që tashmë kanë marrë nënshtetësinë gjermane kjo sepse skema shqiptare i ofron pensionet jo mbi bazë shtetësie dhe rezidence, por mbi bazë kontributi të paguar, dhe në ligjin shqiptar është parashikuar që ofrohet e njëjta mbrojtje si për qytetarët shqiptarë, ashtu edhe për qytetarët e huaj, të cilët punojnë, paguajnë dhe kontribuojnë në skemën shqiptare.

Në këtë mënyrë edhe shqiptarët që kanë marrë pasaportë gjermane dhe e kanë lënë nënshtetësinë shqiptare, nuk e humbasin të drejtën e përfitimit të një pensioni për aq vite kontribute sa kanë ndenjur në Shqipëri, sepse nuk merret për bazë nënshtetësia, merret për bazë kontributi i paguar, puna formale që kanë bërë në Shqipëri. Nga të dhënat e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, janë rreth 14 mijë e 300 shqiptarë të cilët jetojnë e punojnë në Gjermani si dhe rreth 280 shtetas shqiptarë të cilët jetojnë e punojnë në Republikën Çeke.

Projektmarrëveshja me Republikën Çeke, është finalizuar në 26-28 maj 2015, në Pragë, ku u diskutuan dhe u parafimuan tekstet e projektmarrëveshjes bazë dhe të projektmarrëveshjes administrative në zbatim të saj. Projektmarrëveshja me Republikën Federale të Gjermanisë, u finalizua në Berlin, në datat 27-30 prill 2015, ku krahas marrëveshjes bazë u miratua edhe protokolli përfundimtar si pjesë e pandarë e kësaj marrëveshjeje dhe në zbatim të saj. Këto projektvendime të cilat kanë marrë tashmë miratimin e qeverisë janë iniciuar në zbatim të detyrimit të përcaktuar në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe programit të qeverisë.

 

Në përputhje me eksperiencën ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes shoqërore, mbrojtja e emigrantëve rregullohet nëpërmjet aderimit në instrumentet ligjorë ndërkombëtarë në fushën e mbrojtjes shoqërore, nënshkrimit të marrëveshjeve bilaterale midis vendeve respektive si dhe nga legjislacioni kombëtar. Projektvendimet janë pjesë e procesit të koordinimit të skemave të mbrojtjes shoqërore ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve të tjera. Mbi bazën e kësaj skeme, ka shkuar në 8 numri i marrëveshjeve të nënshkruara ku veç Gjermanisë dhe Çekisë është zyrtarizuar bashkëpunimi edhe me Belgjikën, Luksemburgun, Hungarinë, Rumaninë, Maqedoninë dhe Kanadanë.

Në ngërç negociatat me Greqinë

Qeveria shqiptare ka bërë kërkesë për të nisur bisedimet edhe me shtetin fqinj, Greqinë, për njohjen e pensioneve të emigrantëve apo edhe më gjerë, mbrojtjen shoqërore por ende nuk ka negociata zyrtare. Instituti i Sigurimeve Shoqërore të Shqipërisë, duke pasur parasysh se në Greqi, është numri më i madh i emigrantëve shqiptarë, ka insistuar të thellojë bashkëpunimin dhe të realizojë Protokoll Teknik Bashkëpunimi me Institutin e Sigurimeve Shoqërore të Greqisë, IKA. Një hap të mëtejshëm në këto marrëdhënie, shënoi rinovimi i Protokollit të Bashkëpunimit midis qeverisë shqiptare dhe qeverisë greke në gusht të vitit 2006, dhe ngritja e një grupi pune për t’i dhënë shtysë të mëtejshme bisedimeve.

Në nëntor të vitit 2008, në një takim pune, u ra dakord për nisjen e procedurave për nënshkrimin e një Protokolli Teknik Bashkëpunimi midis ISSH-së dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore të Greqisë, IKA dhe fillimit të bisedimeve për realizimin e marrëveshjes në fushën e mbrojtjes shoqërore. Hapat konkretë kanë munguar në këtë mënyrë në aspektin teknik por edhe politik. Në vizitën e fundit në Tiranë, ministri i jashtëm grek, Nikos Kocias vlerësoi emigrantët shqiptarë, por ndërkohë u la jashtë vëmendjes çështja e njohjes së pensioneve.

Pensionet, në negociata me Italinë

Qeveria shqiptare ka nisur punën për nënshkrimin e një marrëveshje për njohjen e pensioneve edhe të emigrantëve shqiptarë që jetojnë në Itali. Fillimisht puna ka nisur me paraqitjen te pala italiane të një studimi të hollësishëm për pensionet. Këto diskutime të para në nivel teknik nga grupet e punës të ngritura nga palët, mundësojnë fillimisht mbledhjen e të dhënave lidhur me numrin e qytetarëve shqiptarë dhe italianë që punojnë në dy vendet, si edhe kostot financiare të procesit. Nga nënshkrimi i marrëveshjes dypalëshe do të mund të përfitojnë rreth 500 mijë shqiptarë që jetojnë në Itali dhe rreth 19.000 qytetarët italianë që aktualisht punojnë në Shqipëri.

Sipas shifrave të MMSR-së, zyrtarisht në Itali nga 506 mijë emigrantë shqiptarë të regjistruar me letra të rregullta, 250 mijë janë kontribuues të rregullt. Nga këta, 210 mijë janë me kontrata të rregullta si të punësuar. Ka edhe të vetëpunësuar që punojnë në artizanat, në bujqësi etj. Nga këta rreth 130 mijë janë nxënës e studentë, domethënë një strukturë e re moshore ndërsa mbi 88 mijë janë fëmijë të lindur në Itali. Nga mosha 60 – 65 vjeç janë vetëm 29 mijë shqiptarë. Pra, edhe sikur sot të bëhet marrëveshja, maksimalisht përfitues do të jenë 29 mijë vetë, ndërkohë që kontribuojnë 250 mijë vetë në sistem.

Komuniteti i shqiptarëve në Itali është i dyti ndër komunitetet migratore në Itali, tashmë i integruar mirë në shoqërinë e vendit fqinj. Komuniteti shqiptar në Itali ka një moshë mesatare të re prej 30.5 vite, që është moshë më e ulët se mesatarja e emigracionit në përgjithësi. Nga ana tjetër, ky komunitet zë vendin e parë për numrin e të punësuarve në shtetin fqinj, çka do të thotë se është e rëndësishme sigurimi i mbrojtjes sociale për këtë popullsi në vitet që vijnë.

Gjermania

Në datat 20-22 janar 2015, në Tiranë u çelen negociatat për realizimin e një marrëveshjeje dypalëshe, në fushën e mbrojtjes shoqërore mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Federale të Gjermanisë. Në datën 29 prill 2015 u mbyll me sukses raundi i dytë i negociatave, ndërkohë që finalizimi i marrëveshjes është zyrtarizuar tashmë me vendimin e Këshillit të Ministrave të marrë dy ditë më parë.

Çekia

Në 21- 25 maj 2012, në Pragë, u zhvillua raundi i parë i negociatave për nënshkrimin e marrëveshjes për Mbrojtjen Shoqërore midis Republikës të Shqipërisë dhe Republikës së Çekisë. Raundi i dytë i bisedimeve u zhvillua nga data 9-12 prill 2013, në Tiranë dhe tashmë është bërë dhe finalizimi i marrëveshjes.

Belgjika

Bisedimet me Belgjikën e nisura që në vitin 2010 janë finalizuar më 3 prill 2014 me miratimin në Parlamentin shqiptar të ligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Belgjikës për mbrojtjen shoqërore. Nga kjo marrëveshje do të përfitojnë rreth 35 mijë persona.

Luksemburgu

Në datat 6 – 9 nëntor 2012 filluan negociatat për realizimin e marrëveshjes “Për mbrojtjen shoqërore” midis Republikës së Shqipërisë dhe Dukatit të Madh të Luksemburgut. Në datën 27 tetor 2014, u nënshkrua marrëveshja dypalëshe për Mbrojtjen Shoqërore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Dukatit të Madh të Luksemburgut nga e cila përfitojnë 2400 shqiptarë që punojnë atje me kontribute, ndërkohë që numri gjithsej i atyre që jetojnë në këtë vend është 4600.

Kanadaja

Negociatat me Kanadanë kanë nisur që në vitin 2011 ndërkohë që më datat 1-4 dhjetor 2014 u finalizua draft-marrëveshja administrative dhe formularët e komunikimit midis dy vendeve. Negociatat u finalizuan në 22 prill të këtij viti, ndërkohë që nga nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje do të përfitojnë rreth 70 mijë shtetas shqiptarë, që jetojnë dhe punojnë në Kanada. Tashmë pritet që marrëveshja në fjalë të kalojë për votim në parlamentet respektive, në mënyrë që të bëhet efektive.

Maqedonia

Pas diskutimeve të para në 2011, negociatat me Maqedoninë janë finalizuar më 14 nëntor 2014, duke finalizuar projekt-marrëveshjen nga pikëpamja teknike dhe duke i hapur rrugë vazhdimit të negociatave për realizimin e marrëveshjes administrative. Në datën 17 mars u nënshkrua edhe marrëveshja përfundimtare ndërkohë që pritet që ajo të kalojë në parlamentet e dy vendeve për votim, në mënyrë që të hyjë në fuqi.

Rumani

Dy raundet e para të negociatave me Rumaninë u zhvilluan në nëntor të vitit 2000 dhe në maj të vitit 2004. Nga data 3-7 dhjetor 2012, në Bukuresht, u zhvillua raundi i radhës i negociatave për Marrëveshjen Bilaterale midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Rumanisë. Në 13-15 maj 2014 në Tiranë u zhvillua raundi i fundit i negociatave, ku u ra dakord për draftin e marrëveshjes administrative, në zbatim të marrëveshjes bazë për mbrojtjen shoqërore midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Rumanisë.

Hungari

Në datat 25 -27 shkurt 2014, u zhvillua raundi përmbyllës i negociatave për arritjen e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Hungarisë dhe u finalizua me nënshkrimin e saj në datë 10.12.2014, në Tiranë nga përfaqësuesit e autoriteteve kompetente. Aktualisht marrëveshja do i nënshtrohet procesit të ratifikimit.

Marrëveshjet e pritshme

Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Jashtme, ka shprehur gatishmërinë për të filluar bashkëpunimin për mbrojtjen shoqërore edhe me Mbretërinë e Spanjës, të Francës, të Zvicrës, me Bullgarinë, si edhe me të gjitha vendet e Bashkimit Evropian. Ndërmjet ISSH-së dhe Institutit Kombëtar të Sigurimit për Pensione të Francës, është nënshkruar në maj të vitit 2005 një Protokoll Teknik Bashkëpunimi, i cili është në fuqi.

Në kuadër të këtij Protokolli, janë bërë disa vizita studimore nga punonjës të ISSH-së në Francë, për shkëmbimin e eksperiencës dhe ngritjen e cilësisë së menaxhimit të skemës për t’u përballur me sfidat e procesit të integrimit të saj. Ende nuk ka negociata të hapura për të arritur një marrëveshje të ngjashme me shtetet e tjera. Ndërkohë që është në vazhdim procesi i negociatave për nënshkrimin e një marrëveshjeje midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Bullgarisë.

Shekulli

SHKARKO APP