Nuk duam më “këmisha të zeza”

 

Nga Luan Rama/

Ish ambasador në Paris

Imazhet që na vijnë nga Shqipëria janë mjerane. Madje shumë më keq. Konvulsionet e liderëve që kërkojnw të vijnë në pushtet përmes rrugës, me zjarr e përmbysje të dhunshme, po rishfaqen sërish dhe po i tregojnë botës sesa larg jemi nga qytetërimi dhe Europa e Bashkuar. Kisha shpresuar se me largimin e famëkeqit Sali Berisha, shfaqja e banditizmit politik ishte kthyer njëherë e përgjithmonë dhe se përmbysjet e qeverive bëhen vetëm me votën e popullit dhe në rrugë demokratike. Ju liderë të opozitës sot (dje në pushtet), edhe unë e njoh dëshpërimin e popullit, dhe unë e di se ka qeveritarë që vjedhin, se ka parlamentarë që flasin si rrugaçë dhe që s’duhet të jenë në tempullin e fjalës së popullit; dhe unë e di se korrupsioni e ka mbërthyer atë vend, pasi vilat luksoze të politikanëve të të gjitha ngjyrave, në Lundër, Gjiri i Lalëzit, në Qerret e gjetkë, janë “lumturia” më e pështirë që mund të ekzistojë në këtë jetë efemere.

Por përmbysja e pushtetit nuk bëhet me dhunë siç duan ta bëjnë “ludistët” e politikës berishiane. Banditizmi politik veçse vonon ardhmërinë shqiptare. Mos e digjni Shqipërinë se ajo është e të gjithëve dhe se ne të gjithë i përkasim asaj. Fjalët për demokracinë, të drejtën dhe shtetin ligjor që flisni në konferencat pompoze në Tiranë e nëpër Europë zbatojini, dhe jo të jenë fjalë në erë. Le të jetë kjo ditë-festë e përçudnuar nga ju, një mësim për politikanët e opozitës, qeveritarët, parlamentarët, gjykatësit, prokurorët. Ne nuk duam të kemi imazhin e “këmishave të zeza “ që na u shfaqën nëpër rrugët e Tiranës. Dilni dhe manifestoni me familjet tuaja dhe thuajeni fjalën tuaj në mënyrë qytetare, mbrojeni votën tuaj sepse nga ajo votë, pushteti i nesërm do të dijë të drejtojë më mirë për t’i shërbyer popullit dhe jo pasurimit personal. Bërja e politikës nuk është një aferw biznesi siç e shohim në Shqipëri e gjetkë, por një sakrificë ideale, veçanërisht në një demokraci të re. Mjaft më ! Nuk duam më “këmisha të zeza” dhe zjarre në rrugët e Shqipërisë.

DITA

SHKARKO APP