Nuk i duam! Na duhen shkrimtarët

 

Nga Arian Leka

…Përjetimi epik i të qenit shkrimtar në Shqipëri, artikuluar prej Lasgush Poradecit në formën “poeti mban përgjegjësi për gjithçka”, përveçse u keqkuptua edhe u keqpërdor thuajse nga të gjithë. Nga njëra anë, kjo ndjeshmëri lëshoi mbi supet e shkrimtarëve një bekim-mallkim: atë të bartësit të vetëdijes së shpëtimtarit, të atij që veç fatit vetjak mbart mbi vete edhe fajin kolektiv. Të vetëndjerit hero ngarkoi me përgjegjësi sociale edhe aradhën e shkrimtarëve që ngatërruan kohën për të folur me kohën për të heshtur, kohën e shkrimit me kohën e dëshmimit, duke mbjellë në shoqërinë shqiptare atë farë të dobët, që sot harliset si kulturë e konformizmit, e shkrimit diplomatik dhe e mirësjelljes.

 

Druaj se edhe sot, pas mëse 100 vjetësh kjo mënyrë e të menduarit dhe ky përfytyrim i shkrimtarit të thirrun nën armë në thelb nuk ka ndryshuar. Ne nuk i duam shkrimtarët. Nuk i kemi dashur kurrë. Ata na duhen. Ne nuk i çmojmë ata. As nuk i përçmojmë. Thjesht i përdorim. Madje kur ata vetë na lejojnë, ne mundemi edhe t’i shpërdorojmë. Shkrimtarin e thërrasin vetëm kur kanë nevojë. Sa herë që na lipset kadencë atdhedashurie dhe patriotizëm i kulluar, kthejmë sytë nga shkrimtari dhe kudo: në sheshe e salla solemne, lexojmë me zë të lartë e me dorë në zemër vargjet e Naimit apo Fishtës a të poetëve të mëvonshëm patetikë. Sa herë që atdheu na pikëllon me marrëzitë, kapardisjen dhe trashamaninë qesharake, siç ndodh jo rrallë në Ballkan, ne u drejtohemi jo shtetarëve, por shkrimtarëve përsëri. Ndaj dhe e përmendim aq shpesh Konicën, Nolin, Mid’hat Frashërin. Ndërsa kur duam të shprehim mosbesim dhe dhimbë krenare për një popull, nën lëkurën e të cilit pakkush beson se rreh zemra e një kombi “që ndërton diçka të re”, lexojmë Migjenin dhe hakërrimat e Ali Asllanit. Shkrimtarët e metodës së realizmit socialist nuk citohen. Silentium est aurum. Ata ndihen të lodhur nga shërbimet.

 

Ç’ka romantizmi la pas si trashëgimi në sjelljen ndaj shkrimtarit, do i hynte në punë edhe totalitarizmit. Kjo trashëgimi romantiko-totalitare, që e vendos shkrimtarin në qendër të vëmendjes, që e mobilizon dhe e sheh si mbartës i fajit kolektiv, ndikon edhe sot në përcaktimin e marrëdhënieve që shkrimtarët shqiptarë kanë krijuar me të vërtetën, me veten, me tjetrin, me të ngjashmin, me të ndryshmin e vet, me kundërshtarin, me vendin dhe me rolin e tyre në këtë shoqëri.

Të detyruar, të ftuar apo të vetëofruar, shkrimtarët e tranzicionit shqiptar, sidomos ata që u përfshinë në politikë, iu rikthyen modelit të shkrimtarit të telekomanduar në distancë, për të cilët fjala vazhdonte të mbetej “bombë edhe flamur”. Ata që përjetuan privimin e plotë të së drejtës për liri njerëzore, por edhe ata që u privuan nga çdo liri e të shprehurit, bashkë me më të fundmit mes breznive të shkrimtarëve – "bijtë pa mëkatin fillestar", siç e cilëson Adam Michnik brezin e lindur pas vitit 1991, u pozicionuan si kudo në Europën Lindore: sërish në gatishmëri të kauzës sociale, në dobi të interesit publik.

Rreshtimi në tribuna, uniformiteti i veshjeve, unifikimi i gjesteve dhe i pozave epike, nënshkrimi i peticioneve dhe deklaratave boshe, tonet kushtrimore të ligjëratave të tyre dhe prania e gjerë mediatike ruanin ende diçka nga reminishencat e asaj kohe kur shkrimtari si të qe një vullnetar i mobilizuar i përgjigjej “po” thirrjes nën armë. Nuk ishte një fenomen përjashtimisht shqiptar. Ishte rishfaqur në të gjithë vendet e Europës Juglindore dhe Qendrore gjatë viteve të para të pluralizmit politik. Por shumëfishimi edhe në vitet e mëvonshme i skemës së plotësimit të vendeve të Parlamentit me “njerëz të gojës e të penës”, të cilëve as që iu dëgjua ndonjëherë zëri në Parlament, përveç rikthimit të kulturës së të shërbyerit, solli në kujtesë “tangon e fundit të komunizmit” kur emëroi në postet më të larta shtetërore njerëzve inkompetentë, por besnikë.

 

Profili i shkrimtarit të sotëm shqiptar nuk e ka tejkaluar ende atë të shkrimtarit të angazhuar. Prirja e tij për të qenë me çdo çmim “njeri publik dhe i mediatizuar”, paraqitet si hakmarrja më naive ndaj shpërfilljes që shoqëria e re i bën shkrimtarit dhe “produktit” të tij letrar në Ballkan. I çmësuar me të qenit jashtë vëmendjes shoqërore, shkrimtari i sotëm pa medie ndihet me status të kërcënuar. Ndaj, si të ushtronte një lloj vaksinimi nga shpërfillja, shkrimtari shqiptar e kërkon përkrahjen, strehën, përkatësinë, anëtarësimin dhe mbështetjen jo tek letërsia dhe, por tek tribunat dhe te politika, që i sheh thjesht si votues edhe lexuesit më nazikë.

 

E megjithatë…, e megjithëkëto, nuk është shkrimtari delja e zezë e shoqërisë post-komuniste. Në një shoqëri si kjo e jona, e trashëguara, po aq sa dhe aktualja, shkrimtari është vështruar si njeriu të cilit nuk i zihet besë. Kjo shpjegon edhe faktin pse marrëdhënia e shkrimtarit shqiptar me pushtetet nuk ka qenë dhe nuk është aspak një vals, por një bashkëjetesë fatale me më të fuqishmit. Të jetë kjo marrëdhënie e tendosur vazhdë e një konflikti të hershëm moral të shoqërisë me njeriun e penës? Është paaftësi apo pamundësi e kësaj shoqërie për të dashur, pranuar apo kuptuar shkrimtarin? Apo kemi të bëjmë me një parashoqëri sadomazokiste, që kënaqet duke parë se si “ndërgjegja e dështuar dhe e parrëfyer e kombit”, përpëlitet dhe shqyhet përditë nga dhëmbët tipografikë të shtypit, nga çatallët dhe bulçitë e medieve televizive apo edhe nga varfëritë jo virtuale, në të cilën jetojnë shumë syresh?

Shkrimtari shqiptar (ky fëmijë jo i shumëdashur, por jo përherë i mirëpritur mes nesh) mund të thotë se i kanë munguar përkëdheljet, por jo ndëshkimet, që i kanë ardhur përherë me shumicë. Përballë tij është vendosur thuajse përherë një shoqëri dhe një shtet i pavëmendshëm, hakmarrës, shpërfillës. Si paradoks, përkrah tij është vendosur gjithashtu edhe një publik i papërgatitur për ta dashur shkrimtarin, për ta marrë nën mbrojtje kur ai ka pasur nevojë. Qoftë kjo dhe në mënyrën më të thjeshtë e më të drejtpërdrejtë që këshillohet në këto raste: respektimin e shkrimtarit përmes leximit të veprave të tij dhe mbajtjes gjallë të asaj kujtese që e mbron këtë marrëdhënie.

Drejtimi i gishtit të fajit në mënyrë përjashtimore vetëm ndaj shkrimtarëve, përndjekja, kërkimi i patentës së virgjinitetit vetëm ndaj tyre në një shoqëri të inkriminuar, hetimi i tij si sjellësi i vetëm i shëmtimit, tradhtari i kauzës, atij që gëzon famën e ligë të njeriut që nuk kënaqet, që vetëm kritikon dhe mëdyshet, i ngjan një genocidi përndjekjes, një homofobie. Shpirti cinik, gjetja e fajtorit, por moskuptimi i gabimit, nuk do të na ndihmojë të jemi një shoqëri më e lumtur, as më e drejtë dhe as më e mirë. Mendja qortuese na lipset të mos i rikthehemi gabimit historik.

Mapo

SHKARKO APP