Nuk ka demokraci pa demokratë

Nga Enver Robelli*

Në vitin 2015 qytetarët e Kosovës do ta shohin edhe më qartë problemin kryesor politik e shoqëror: mungesën e demokratëve për të ndërtuar shtetin funksional. Disa prej shkatërruesve të shtetit sivjet do t’i marrë furtuna e Gjykatës Speciale, por fara e keqe që kanë mbjellë në sistemin politik do të mbetet. Kundër kësaj të keqeje, kundër antidemokratëve, duhet mobilizim sidomos i gjeneratave të reja

Si mund të dalloni një antidemokrat nga një demokrat? Kjo është e mundshme, kuptohet, duke i krahasuar fjalët e një politikani me veprat e tij, deklaratat me realitetin, shifrat propaganduese me buxhetin real që gjendet në arkën e shtetit. Por, nganjëherë politikanët vetëm me gjeste dhe krejt papritmas e zbulojnë veten si rrenacakë, si antidemokratë. Nga mesi i viteve tetëdhjetë politikani jugosllav Lazar Mojsov në Kuvendin e Jugosllavisë mbajti një fjalim kundër “separatistëve në Kosovë”. Ishte njëri prej qindra fjalimeve që atëbotë mbaheshin nga komunistët jugosllavë, dhe për shqiptarët e Kosovës kjo s’përbënte fare befasi. Në historinë e Jugosllavisë, Mojsovi ka mbetur në kujtesën e njerëzve jo për shkak të fjalëve, por të një gjesti: duke e tundur një letër për të cilën thoshte se është “dokumenti i shtabit të kundërrevolucionit në Kosovë”. Kurrë ky dokument nuk i është prezantuar opinionit, edhe pse jo pak gazetarë nga Sllovenia deri në Kosovë ishin interesuar të shihnin përmbajtjen e kësaj shkrese aq të famshme. Në fakt, Mojsovi kishte tundur një letër të zbrazët e cila shërbeu për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë, intensifikimin e represionit, krijimin e rrethanave për heqjen e autonomisë që Kosova gëzonte me Kushtetutën e Jugosllavisë të vitit 1974.

Kur në muajin dhjetor u zgjodh kjo që po quhet Qeveri e Kosovës, në foltoren e Kuvendit të Republikës doli Hashim Thaçi, kryetari i ndërmarrjes politiko-kriminale të quajtur Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dhe pasi mbllaçiti disa fjalë nga vokabulari i tij tashmë i njohur dhe i neveritshëm, e tundi në ajër një dokument. Ai tha se “Vetëvendosje”, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma e kishin lutur edhe me shkrim për të bërë koalicion, derisa zyrtarisht përbetoheshin se do të qeverisnin me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Shefi i PDK-së kurrë nuk e prezantoi atë dokument që e tundi në foltoren e Kuvendit. Me gjasë kjo ishte një shfaqje e dobët sikur e Lazar Mojsovit dikur. Jo vetëm me fjalë, por sidomos me këtë gjest Thaçi i tregoi opinionit sa antidemokrat që është. Gënjeshtra, mashtrimi, njollosja e kundërshtarit politik, përpjekja për të diskredituar me të gjitha mjetet e palejueshme kritikët, përbëjnë identitetin e politikanëve antidemokratë si Lazar Mojsovi ose, ta zëmë, Hashim Thaçi.

Në vitin 2015, qytetarët e Kosovës do ta shohin edhe më qartë problemin kryesor politik e shoqëror: mungesën e demokratëve për të ndërtuar shtetin funksional. Disa prej shkatërruesve të shtetit sivjet do t’i marrë furtuna e Gjykatës Speciale, por fara e keqe që kanë mbjellë në sistemin politik do të mbetet. Kundër kësaj të keqeje, kundër antidemokratëve, duhet mobilizim sidomos i gjeneratave të reja.

Në vitin 1990, pra para një çerekshekulli, Beogradi e hodhi në ajër autonominë e Kosovës, i shpalli shqiptarët cak legjitim të goditjes, mbylli institucione, medie, shkatërroi bazën materiale të qindra e mijëra njerëzve, me qëllim që ky vend të bëhej ferr mbi tokë për shqiptarët. Në dimrin e vitit 2014/15 jo pak njerëz, madje edhe të tillë me vende pune, po ikin ose po mendojnë të ikin nga Kosova, për shkak se një regjim tjetër, kësaj radhe i dominuar nga shqiptarët, ka arritur të varrosë miliona shpresa dhe ta njollosë vetë idenë e shtetit. Krimi më i madh që kjo klasë politike ka bërë kundër këtij vendi nuk janë korrupsioni, keqqeverisja, vrasjet, manipulimet në zgjedhje, por mbytja e besimit të njerëzve ndaj shtetit, mbytja e idesë se republika është një organizim i qytetarëve që me vullnet të lirë duan të ndërtojnë institucione që jetën e bëjnë të vlefshme për ta jetuar.

Para dy dekadave Vaclav Haveli i kishte paralajmëruar bashkëkombësit e tij çekë që të mos e shihnin veten si klientë të demokracisë, por si qytetarë aktivë. Kjo porosi më shumë se kurrë duhet të mësohet përmendsh nga qytetarët e Kosovës: kjo republikë nuk duhet të jetë supermarket dhe kazino, por një shtet që u shërben qytetarëve, një shtet ku politika nuk është vetëm një emër tjetër për plaçkitje. Është koha e fundit që qytetarët e Kosovës të shndërrohen në ndërtues të shtetit dhe jo të vazhdojnë të mbesin klientë të demokracisë që vetëm bërtasin në medie sociale ose heshtin duke e pranuar këtë klasë politike si nafakë të keqe për të cilën votojnë në zgjedhjet e ardhshme, sepse nuk besojnë në ndryshime.

Me një popullatë të tillë shpresëhumbur popullistët pa ndërgjegje mund të luajnë si macja me miun. Mësimi kryesor që qytetarët e Kosovës duhet të nxjerrin nga përvoja politike në çerekshekullin e fundit është ky: nuk ka demokraci pa demokratë të vërtetë, pa politikanë me shpirt luftarak dhe me ide iluministe. Çfarë vlen për politikanë duhet të vlejë edhe më shumë për gazetarë. Për fat të keq në Kosovë profesioni i gazetarit po njolloset prej njerëzve të papërgjegjshëm, hajvanëve të medieve sociale, tregtarëve të lajmeve për interesa të nëntokës. Në vend të angazhimit për të ndriçuar skandalet e pushtetit vërehet gjithnjë e më shumë, sidomos në mediet digjitale, përpjekje për të fshehur të vërtetën, në vend të orientimit propagandohet kaosi, në vend të mendjemprehtësisë përhapet gjuha e rrugaçërisë, e prodhimit të lajmeve të parëndësishme dhe e krijimit të realitetit të rrejshëm. Kështu arrihet qëllimi i përhershëm i politikanëve antidemokratikë: topitja mendore e njerëzve.

Të tillë ata janë lehtë të manipulueshëm. Kundërhelmi ndaj këtij sistemi mund të jenë vetëm qytetarët e informuar nga mediet e pavarura, të cilat me gjithë vështirësitë e panumërta ruajnë dhe kultivojnë vlerat e profesionit, kompetencën, qartësinë e gjykimit dhe fuqinë e argumentit. Në Kosovë kanë arritur të mbijetojnë disa oaza të tilla. Njëra ndër to, pa dyshim më e rëndësishmja, mbetet kjo gazetë që e mbani në duar si lexues, si qytetarë të shqetësuar për të ardhmen e këtij vendi, si të rinj që keni ëndrra për një jetë më të mirë, si prind që fëmijëve tuaj përpiqeni t’ua siguroni një jetë përtej tmerreve të 25 vjetëve të fundit, si pensionistë që mbrëmjen e jetës dëshironi ta kaloni me dinjitet dhe jo si lypsarë.

Që gazeta juaj të jetë edhe më tutje kompas i orientimit dhe jo vegël e interesave të ngushta duhet të vazhdoni të qëndroni lexues besnikë të saj – në mënyrë që një ditë jo të largët t’i shporrni nga jeta publike politikanët antidemokratikë.

*Koha Ditore

SHKARKO APP