Nuk kthejnë borxhin 1 mld dollarësh, ekspertët-Bankës: Të zbardhet lista!

Borxhi prej 125 miliardë lekë ose 1 miliardë dollarë që biznese apo individë i kanë bankave të nivelit të dytë është një nga kërcënimet më të mëdha për ekonominë e vendit.

Edhe më shqetësues është fakti se  56% e këtij borxhi, afro 70 miliardë lekë është borxh i pakthyer nga 35 korporata të mëdha në vend të cilat po keqpërdorin kapitalet e qytetarëve shqiptarë.

Para të pakthyera, ose më saktë para të pa-investuara në ekonomi. Ky fenomen prej vitesh është mbajtur i fshehtë, duke mos u bërë publike as shuma e borxhit të pakthyer por as emri i kompanive të borxhlinjve, madje në shumë raste këto kompani jo vetëm nuk kanë shlyer borxhet shume milionëshe ndaj bankave por janë favorizuar duke marrë kredi të reja dhe duke e shtuar edhe më shumë  vlerën e stokut  të  borxhit. Banka Qëndrore nuk e mban të fshehtë shumën prej 70 miliardë  lekë të  35 kompanive borxhlije, por emrat e tyre nuk bëhen publik.

Por a duhet t’i publikojë Banka Qendrore emrat e kreditorëve të këqinj që mbajnë peng 70 mld lekë të qytetarëve?

Ekspertë të ekonomisë edhe përfaqësues të biznesit thonë që kjo gjë duhet bërë sa më parë publike, në mënyrë që edhe publiku të dijë kush janë kompanitë e ndershme dhe kush jo, e më kryesorja sipas ekspertëve është se vetëm kështu mund të rritet transparenca me zgjidhjen që do t’i jepet këtij problemi.

Ekspertët, mes tyre Gjergj Buxhuku, thonë se për kompanitë që nuk kanë shpresë, është i domosdoshëm falimentimi.

Ky borxh i madh prej 70 miliardë lekë në bankat shqiptare vetëm nga 35 kompani të mëdha është i shtrirë pothuajse në të gjitha fushat e ekonomisë. Në listën e borxhlinjve janë kompani të naftës, industrisë, energjisë, ndërtimit, industrisë së lehtë, etj.

Humbëse e të gjithë lojës që bëhet nga 35 korporata në vend, janë qytetarët shqiptarë dhe ekonomia në tërësi.

SHKARKO APP