Nurellari: Kërkesa e Ramës për bashkëpunim, jo e sinqertë, do të zbusë revoltën e opozitës
Në një intervistë për RTV Ora, politologu Adri Nurellari u shpreh se kërkesa e Ramës drejtuar Bashës për bashkëpunim është tërësisht e pasinqertë pasi për 8 vite e ka shtypur me forcën e kartonin opozitën.
Nurellari tha se Rama e bën këtë për të zbutur revoltën e opozitës për procesin zgjedhor kur janë parë shembuj në media për manipulime dhe blerje votash.
Nurellari: Kjo kërkesë e Ramës është tërësisht e pasinqertë, pasi e kemi parë kryeministrin për 8 vite se si e ka shkelur opozitën me kartonët që ka pasur. Edhe javën e fundit e shkeli me fletën e votimit duke miratuar atë që donte. Nuk mund të besohet se tashmë ka një ndryshim qëndrimi nga Rama. Kjo bëhet edhe për të zbutur revoltën e opozitës për procesin zgjedhor. Ne kemi parë shembuj tashmë në media për manipulime dhe blerje votash. Rama do që ta mbyllë këtë kapitull dhe të ecë para se ka diçka për të fshehur.
Për Nurellarin, ky është momenti ku opozita mund të sigurojë nga Rama një lloj sensi përgjegjësie dhe reflektimi.
Nurellari: Ky është momenti ku opozita mund të sigurojë nga Rama një lloj sensi përgjegjësie dhe reflektimi, e mund të kërkojë gjëra më objektive se sa ndarja e pushtetit. Mund të kërkojë ndëshkimin e blerjes së votës, sepse kjo çështje është shumë më e rëndë. Nuk mendoj se çështje e pushteti është një gjë prioritare në këtë pikë.
Nurellari theksoi se kritikat ndaj Bashës janë një ngutje kur nuk ka përfunduar procesi zgjedhor dhe tha se këto duket si interesa të personave të caktuar.
Nurellari: Mua më duket e pahijshme që pa u mbaruar procesi i zgjedhjeve, kjo ngutje më duket se tregon një interes të mëhershëm të personave që janë kritikë të Bashës. Mua nuk më takon që të flas për to ndoshta, por mendoj se kjo nuk duhet të jetë vetëm një drejtim gishti te një person, pasi ka më shumë njerëz përgjegjës. Nëse manipulimet nuk kanë qenë të përmasave të mëdha, atëherë pikëpyetjet mund të shtrohen edhe për figura të tjera që kanë pasur rol.
Nurellari shtoi se figurat e vjetra që krijuan parti më vete e dëmtuan PD-në dhe tha se një riformim i kësaj parti nuk mund të bëhet me këto figura që janë provuar tashmë.