OJQ-të, si do mbikqyren nga tatimet nëse pastrojnë para?
Dhe kjo, në funksion të parandalimit të pastrimit të parave e financimit të terrorizmit, një opsion mesa duket ky aspak i përjashtuar për disa prej tyre, gjë që i ka detyruar organet shtetërore të nxjerrin edhe një udhëzim të posaçëm. Tashmë i publikuar edhe në Fletoren Zyrtare, ai përcakton saktësisht se organizatat jofitimprurëse, duhet që përveçse regjistrimit në gjykatë siç ka qenë deri më tani, duhet që të regjistrohen edhe në administratën tatimore. “Organet tatimore çdo gjashtë muaj evidentojnë dhe i raportojnë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, për OJQ-të që zhvillojnë aktivitet pa u regjistruar, ato me status pasiv, por edhe mbi ato që nuk dorëzojnë deklaratat tatimore sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi”, sqaron udhëzimi në fjalë. Duke shtuar edhe se organet tatimore në të njëjtën kohë administrojnë në dosjet e OJQ-ve të regjistruara, të gjithë dokumentacionin e themelimit, të ndryshimeve pas regjistrimit si dhe dokumentacionin tatimor të tyre. Nga ana tjetër, përcaktohet edhe kontrolli në terren i organeve tatimore për të evidentuar OJQ-të që ushtrojnë aktivitet dhe kontrollojnë përditësimin e të dhënave të regjistrimit, deklarimin e të punësuarve, si dhe zhvillimin e veprimtarisë ekonomike të tyre. “Nëse kryhet veprimtari ekonomike nga OJQ-të, ajo duhet të jetë në përputhje me ligjin “Për organizatat jofitimprurëse”, të ndryshuar”, shton gjithashtu udhëzimi në fjalë. Për të vijuar edhe me aspektin e kontrollit të pasqyrave financiare të OJQ-ve nga ana e drejtorive rajonale tatimore. Konkretisht, në varësi të numrit të OJQ-ve prej ekspertëve tatimorë në veçanti do të verifikohen: a) Burimet e financimit të tyre; b) Veprimtaria ekonomike e saj, nëse zhvillon të tillë. c) Përdorimin e fondeve dhe mënyrën e qarkullimit të tyre. d) Asetet e OJQ-së dhe burimin e krijimit të tyre. Ata duhet sakaq që edhe të informojnë Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, për ato OJQ të cilat nuk kanë dorëzuar pasqyrat financiare vjetore dhe gjithashtu për masat administrative të ndërmarra ndaj tyre. Të gjitha këto, masa nën një të ashtuquajtur “ushtrim të kontrollit të themeluar operacional”.