
Erion Veliaj kërkoi shtyrjen e seancës gjyqësore në ngarkim të tij në GJKKO, për shkak të pamundësisë shëndetësore për të marrë pjesë në sallën e gjyqit, por trupi gjykues deklaroi se pretendimi i kryebashkiakut për pamundësi që të vijë në seancë nuk provohet nga mbrojtja e tij.
Prokurori Olsi Dado ndër të tjera pranoi problemet me gjendjen shëndetësore të Veliajt, por sipas tij, nuk është në gjendjen që e ka të pamundur të shkojë në gjyq.
“Informacioni i sjellë nga Spitali Memorial i Fierit dhe mjeku turk pasqyron gjendjen shëndetësore të Veliajt, i cili nuk ndodhet në një situatë emergjente. Avokati paraqet informacione të njëanshme. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve (DPB) i ka zbatuar me korrektësi procedurat dhe ka ndjekur me rigorozitet rregulloren. Di që ka pasur komunikim mes mbrojtjes dhe institucioneve të burgjeve.
Gjendja e përcaktuar nga mjeku turk nuk e pengon paraqitjen e tij në gjykatë. Për më tepër, i pandehuri ka kërkuar leje nga SPAK-u për të marrë pjesë në evente, ndërsa në gjykatë pretendon se nuk është në gjendje të paraqitet”, deklaroi ndër të tjera Ols Dado gjatë seancës.