Olta Xhaçka: Me Artanin, miqësia e fortë lindi në grevën e urisë
Deputetja socialiste, Olta Xhaçka, është rrëfyer për herë të parë për marrëdhënien e saj me Artan Gaçin, kolegun e saj socialist me të cilin u martua pak muaj më parë dhe tashmë pret një fëmijë me të.
Ajo thotë se miqësia e tyre u forcua shumë pas grevës së urisë të mbajtur nga ana e PS-së.
“Ajo me Tanin ishte një miqësi e mirë, që u rrit ngadalë. Tani është një njeri shumë i bukur në kuptimin më të gjerë të fjalës dhe vlerësimi dhe respekti për të u bë baza për subjektivitetin e ndjenjës që erdhi më pas, dashuria.
Politika mund të mos jetë ajri i duhur për të njohur njeriun e jetës, por paradoksalisht ne na ka sjellë më pranë. Fakti që bëjmë të njëjtën punë, ndajmë të njëjtat shqetësime apo aspirata, vetëm ka forcuar lidhjen tonë dhe unë ndihem fatlume për këtë”, thotë ajo.
“Nuk kanë qenë as batutat e as shkëmbimet e shpenguara që na kane bërë t’i biem në sy njëri-tjetrit. Ka qenë një miqësi e fortë e lidhur në ditët e vështira të grevës së urisë e protestave të shumta të opozitës në atë kohë, mes përpjekjesh pa fund për të vendosur drejtësi për gurthemelin e demokracisë, zgjedhjet e lira e të ndershme e transparencën e tyre. Mes sakrificash besoj njerëzit duken më qartë për atë që janë”, vijon ajo.