Operacioni për lirimin e hapësirave publike të zaptuara
Që prej muajit korrik, qeveria shqiptare ka intensifikuar operacionin për lirimin e hapësirave publike të zaptuara nga ndërtimet pa leje, në kuadër të programit “Rilindja Urbane 2.0”. Kjo nismë synon rikthimin e kontrollit mbi territorin dhe garantimin e aksesit të qytetarëve në hapësirat e përbashkëta.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje të reja nga terreni, ku ekipet e angazhuara po çmontojnë gardhe dhe struktura të vendosura në mënyrë të paligjshme në hapësira publike. “Vijojmë punën për të liruar hapësirat publike të zaptuara”, shkroi Rama krahas pamjeve të publikuara.
Kjo ndërhyrje është konceptuar si sistemike dhe afatgjatë, jo si aksion i përkohshëm, dhe po zbatohet me prioritet në të gjithë vendin.
Për të goditur fenomenin e ndërtimeve pa leje, në Kodin e ri Penal janë parashikuar ndëshkime më të rrepta për shkelësit, duke e trajtuar zaptimin e hapësirave publike si një shkelje serioze e rendit urban.
Një tjetër mekanizëm që do të vihet në funksion është Rregullorja e re Kombëtare, e cila do të përcaktojë me ligj hapësirat që mund të shfrytëzohen nga subjektet private, duke garantuar transparencë dhe barazi në përdorimin e territorit publik.
KOHA JONË SONDAZH

