Opozita, “aksion” politik me buxhetin
Kështu, vetë kreu i kësaj force politike, Lulzim Basha, është shfaqur dhe në një debat publik ku ata që e dëgjonin ishin studentë dhe flisnin pikërisht për pikat e buxhetit të vitit të ardhshëm, por edhe taksat që e shoqërojnë paketën fiskale. Një kategori e popullatës kjo, e cila në fakt nuk ka të bëjë dhe nuk është se i interesojnë shumë taksat apo sa para’ janë taksur për sektorë të caktuar të ekonomisë vendase. Por që gjithsesi, është zgjedhur nga selia e Partisë Demokratike, pikërisht për të shpalosur para publikut, përmes saj, rezervat ndaj qeverisë. “Partia Demokratike dhe unë personalisht, jemi angazhuar në një tur takimesh të hapura dhe kemi ndërmend ta vazhdojmë këtë bashkëbisedim në ditët dhe javët e ardhshme”, ka pohuar kryedemokrati Basha, duke konfirmuar në këtë mënyrë formën e zgjedhur prej tij të “aksionit” politik ndaj qeverisë, pikërisht atë me buxhetin dhe mangësitë që kjo forcë politike pretendon se gjenden brenda faqeve të tij. Eshtë e vërtetë në fakt, që buxheti, si dokumenti themeltar i financave të shtetit, meriton një vëmendje të veçantë dhe një e tillë i kushtohët çdo fundviti kur nisin diskutimet rreth tij. Dhe në këtë këndvështrim, opozita ka të drejtë që merret me të. Porse ajo që nuk kuptohet mirë është pikërisht fakti se përse Partia Demokratike zgjedh vetëm atë për ta mbajtur si “armë” në dorë kundër mazhorancës qeverisëse në tërësi. Edhe pse Basha e ka dhënë argumentin e tij lidhur me këtë fakt, duke saktësuar se ekonomia e vendit është në ditën e saj më të keqe, prandaj meriton një vëmendje të madhe publike. Për këtë arsye sipas tij, Partia Demokratike është e angazhuar me konsultime dhe bashkëbisedime me qytetarët në të gjithë vendin. Ai e cilësoi ekonominë në ditëne vet më të keqe. “Investimet e huaja janë në ditën e tyre më të zezë. Antireformat kanë goditur biznesin dhe xhepat e qytetarëve. Rritja e çmimit të energjisë është vjedhja më e madhe. Megjithëse po rrisin taksat kjo qeveri nuk po i ofron asnjë gjë shqiptarëve. Kjo është paketa e taksimit dhe e varfërimit të shqiptarëve”, – u shpreh Basha para studentëve gjithashtu. Ndërkaq, po gjatë ditës së djeshme, Partia Demokratike nxori para publikut, përmes një konference për shtyp, edhe deputetin e saj Ridvan Bode, i cili deri dje ka drejtuar Financat e vendit, pikërisht për të folur rreth buxhetit. Duke e paraqitur këtë të fundit, si një dokument që çon në varfërimin progresivisht të qytetarëve dhe thellon rënien e mëtejshme të ekonomisë. “Nëse i shohim të gjitha taksat mbi të ardhurat, taksat mbi korporatat, taksat mbi biznesin rriten në nivelin 15%. Një masë e tillë e bën vendin tonë vendin me taksat më të larta, duke humbur çdo avantazh konkurues me vendet e tjera të rajonit, të cilat vijojnë që këtë nivel taksash ta kenë në masën 9-10-11%”, ka pohuar ai duke bërë një panoramë të dokumentit themeltar të financave për vitin e ardhshëm. Duke shtuar se qeveria nuk ndalon vetëm tek këto taksa, pasi sipas tij, në buxhetin e vitit 2015 rriten edhe taksa të tjera mbi konsumatorin dhe biznesin, siç është taksa e qarkullimit të automjeteve automjeteve mbi karburantet dhe akciza mbi duhanin. “Pas rritjes me 50% të taksës mbi korporatat vitin e kaluar, në projektbuxhetin e vitit 2015 rritet edhe tatimi mbi dividentin nga 10-15%, ose me një efekt rritje prej 10 milion dollarësh. Rriten taksat mbi depozitat, nga 10 ne 15%, që ka një efekt prej 12 milionë dollarësh. Rritet taksa mbi qeratë, nga 10 ne 15% duke synuar që prej kësaj take, në buxhetin e shtetit të arkëtohen edhe 10 milionë dollarë shtesë. Dhe po ashtu, rritet taska mbi çdo të ardhur tjetër nga 10 në 15%. Vetëm prej kësaj takse qeveria synon të marrë 28 milionë dollarë. Taksa e qarkullimit të automjeteve për të dytin vit radhazi rritet duke përfshirë edhe efektin e TVSH-së me 24 lekë për litër duke e rritur me 4 herë në 2 vite nivelin e kësaj takse. Për secilën prej 340 mijë familjeve do të jetë një taksë e re për 2015 për të paktën 1.5 milion lëke të vjetra në vit. Këto janë nga 95% të familjeve që gjoja do të paguanin më pak taksa nën taksën progresive të qeverisë Rama”, i numëroi një e nga një të gjitha taksat e reja që pretendon se do të rriten vitin e ardhshëm, ish-ministri i Financave, Ridvan Bode. E duke tentuar në këtë mënyrë që të ngrejë tek opinioni publik një shqetësim të shtuar lidhur me atë çka e pret vitin e ardhshëm mbi pagesën e taksave. E gjitha kjo, pikërisht në kuadrin e një strategjie të zgjedhur nga opozita, për të “luftuar” me mazhorancën, në fushën e ekonomisë, kuptohet, duke bërë politikë ….
Lulzim Basha
“Ekonomia e vendit është në ditën e saj më të keqe.Partia Demokratike dhe unë personalisht, jemi angazhuar në një tur takimesh të hapura dhe kemi ndërmend ta vazhdojmë këtë bashkëbisedim në ditët dhe javët e ardhshme”.
Ridvan Bode
“Nëse i shohim të gjitha taksat mbi të ardhurat, rriten në nivelin 15%. Një masë e tillë e bën vendin tonë vendin me taksat më të larta, duke humbur çdo avantazh konkurues me vendet e tjera të rajonit, të cilat vijojnë që këtë nivel taksash ta kenë 9-10-11%”.