Opozita bllokoi foltoren, zv.kryeministrja Balluku: A quhet ky dialog parlamentar?
Zv.kryeministrja Belinda Balluku, njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjetikës ka shprehur zhgënjimin ndaj asaj që e cilësoi përsëritje skizofrenike të kaosit në parlament, duke iu referuar situatës së krijuar nga opozita me bllokimin e foltores, ndërsa miratohej kabineti i ri dhe programi qeverisës. ”A është kjo klasa politike që meriton Shqipëria, a është kjo opozita që duhet të ketë një vend i ulur në tryezën e negociatave me BE? A quhen dialog parlamentar britmat, përplasjet e duarve mbi tavolina, shishet plastike në ajër? A quhet ky dialog parlamentar?”,-shkruan Balluku.
Postimi i plotë
Çfarë zhgënjimi dhe përsëritje skizofrenike e kaosit në parlament! Kushtetuta fluturonte mbi kokat tona në prani të trupit diplomatik, në një moment solemn, kur Kryeministri i vendit duhet të prezantonte programin qeverisës Shqipëria 2030, ku secili nga ministrat duhet të prezantonte programin sektorial dhe të kishte një debat konstruktiv me opozitën, sepse Kuvendi është salla ku opozita duhet të thotë fjalën e saj, por sigurisht në respekt të demokracisë dhe parimeve kushtetuese.
A është kjo klasa politike që meriton Shqipëria, a është kjo opozita që duhet të ketë një vend i ulur në tryezën e negociatave me BE? A quhen dialog parlamentar britmat, përplasjet e duarve mbi tavolina, shishet plastike në ajër? A quhet ky dialog parlamentar?
Për shkak të kësaj situate, për herë të parë në këto 30 vite, nuk u prezantua programi qeverisës nga shumica e zgjedhur nga qytetarët në sallën e parlamentit, pavarësisht prezantimeve të shumta publike që kemi bërë. Sjelljet e përsëritura të pakicës parlamentare, na detyruan të votojmë menjëherë programin qeverisës, për të mos humbur me asnjë sekondë nga koha e vyer e shqiptarëve, të cilët janë lodhur nga retorikat boshe e agresive për përfitime personale të eksponentëve partiak.
Sot Partia Socialiste dhe Qeveria Shqiptare mbeten të angazhuara dhe me përgjegjësi të plot për të vijuar në rrugën e nisur me objektivin e pandryshuar Shqipëria 2030. Edhe në këtë mandat qeverisës do të vijojmë me projekte e kantiere të reja për të përmirësuar jetën e qytetarëve tanë.
KOHA JONË SONDAZH

