Orkestra e RTSH dhuron një piano për Qendrën COD, Rama: E çmoj këtë gjest, do të përmbushen detyrimet për rritjen e shpërblimeve
Kryeministri Edi Rama vlerësoi gjestin e Orkestrës Simfonike të RTSH, e cila dhuroi një piano për Qendrën COD. Kreu i qeverisë falënderoi orkestrën dhe pjesëmarrësit dhe nënvizoi se COD do të shfrytëzojë këtë mundësi për të zgjeruar gamën e aktiviteteve, duke përfshirë muzikën klasike dhe duke i dhënë mundësi edhe Liceut Artistik dhe studentëve të Akademisë. Ai përmendi gjithashtu ambientin e jashtëm të COD, që mund të përdoret si teatër improvizues.
”Ju falënderoj shumë që jeni këtu. Ne duam që ta zgjerojmë gamën e aktiviteteve të COD dhe me muzikën klasike, duke i dhënë mundësi edhe Liceut Artistik dhe studentëve të Akademisë. Kushdo nga ju që ka dëshirë, kemi edhe një ambient tjetër në oborr që është një teatër që mund të improvizohet menjëherë”, tha Rama.
Rama shprehu keqardhje për hendekun që u krijua më parë midis orkestrës së Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit dhe Orkestrës Simfonike të RTSH, por shtoi se ishte pikërisht Drejtoresha e Orkestrës së RTSH, Blerta Ristani, që u bë një zë avokatie i fortë për të zgjidhur problemin.
”Këtë gjest e çmoj shumë. Dua të them që më vjen keq që u krijua një hendek midis jush dhe orkestrës së Operas dhe Baletit, për shkak se me ata u morëm më parë si rezultat i faktit që kishin dikë që ngriti zërin për ta. Ndërkohë që në rastin tuaj u desh një takim me Blertën, por aty ajo ngriti këtë problem dhe unë i dhashë fjalën. Pastaj, si rezultat i faktit që përsëri nuk u ndoq gjëja siç duhet nga porosia që dhashë, u shty pak në kohë. Pastaj nuk e lashë thjesht me porosi, por e ndoqa me këmbëngulje deri sa nuk e kuptonte njeri se çfarë kisha unë kur thoja kur të vij akti normativ për orkestrën e televizionit për ta firmosur. Më erdhi shumë mirë kur më thanë se do të sillnit një piano”, tha Rama.
Në përfundim kryeministri siguroi se do të përmbushen detyrimet ndaj orkestrës për rritjen e shpërblimeve. Dhurimi i pianos nga Orkestra e RTSH konsiderohet një hap i rëndësishëm për promovimin e muzikës, artit dhe aktivitetit kulturor në vend, duke krijuar mundësi për të rinjtë dhe komunitetin artistik.
KOHA JONË SONDAZH

