OSBE përshëndet ndryshimet në Ligjin për Mediat Audiovizive: Hapet rruga për transparencën e pronarëve të mediave
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka mirëpritur zyrtarisht miratimin e ndryshimeve të fundit në Ligjin për Mediat Audiovizive, duke i cilësuar ato si një hap thelbësor drejt standardeve evropiane. OSBE vuri theksin veçanërisht te futja e nenit 33/1, i cili sanksionon rregulla të reja mbi transparencën e pronësisë së mediave. Sipas organizatës, ky ndryshim ligjor pritet të forcojë ndjeshëm llogaridhënien në sektorin audioviziv shqiptar.
Ndryshimet e reja parashikojnë krijimin e një databaze kombëtare për pronësinë mediatike, një mekanizëm ky që synon të bëjë publike strukturën e vërtetë të pronësisë. Gjithashtu, rriten kërkesat për transparencë dhe sigurohet përputhja me ligjin për “pronarët përfitues”, ata që zotërojnë realisht median.
”Këto ndryshime përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të transparencës dhe e afrojnë legjislacionin shqiptar me standardet evropiane”,- thuhet në njoftim. OSBE vëren se ligji i ri reflekton rekomandimet e tyre kyçe, të cilat janë rezultat i një bashkëpunimi të vazhdueshëm me Autoritetin e Mediave Audiovizive (AMA).
Prezenca e OSBE-së inkurajoi institucionet shqiptare që të vazhdojnë përpjekjet për zbatimin efektiv të këtyre ndryshimeve në praktikë, duke ofruar mbështetjen e saj të plotë në këtë proces.
KOHA JONË SONDAZH

