OSHEE, 54 miliardë lekë arkëtime nga faturat
Në 6-mujorin e parë 2015 me zbatimin e Planit të Rimëkëmbjes, humbja e energjisë u ul 8.3% krahasuar me 6-mujorin e parë 2014, të ardhurat u rritën me 4.4 miliardë lekë, shpenzimet u ulën 4 miliard Lekë.
Deri në fund të vitit, kompania parashikon të arkëtojë nga energjia e faturuar rreth 54 miliardë lekë, ose 10% më shumë nga 2014-ta dhe të ulë humbjet në 31.8%, me një reduktim 6%, krahasuar me vitin 2014.
Në muajin korrik, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2014, vlera e arkëtimeve është rritur me rreth 49% më shumë.
Sivjet për herë të parë OSHEE ka hartuar për vitin 2015 një plan Investimesh me vlerë 50 milionë usd, që llogaritet sa vlera totale e investimeve të 5 viteve të fundit së bashku.
Pas 7 vitesh nga krijimi, OSHEE shënoi rezultat pozitiv financiar në këtë 6-mujor, të llogaritur me 4.5 miliardë lekë, shleu 100% shpenzimet korente të energjjisë dhe uli detyrimet me 7.5 miliardë lekë.
Nga muaji tetor 2014 dhe në vijim, OSHEE po ndjek një fushatë ristrukturimi të borxheve të akumuluar ndër vite nga konsumatorët. Sot rreth 50% e detyrimit të mbartur për periudhën 2007-2014 është përfshirë në skemën lehtësuese të pagesës së detyrimit me këste, ndërsa deri në muajin Korrik borxhi u reduktua me 20%.
Nga skemat lehtësuese të faljes së kamatë-vonesës në masën e 80% kanë përfituar rreth 190 mijë abonentë familjarë, ku falja e vlerës së detyrimit për kamatë vonesat arrin rreth 4.2 miliardë Lekë.
“Deri në fund të vitit, OSHEE do të realizojë vlerësimet e ecurisë së fushatës dhe të borxheve për t’u arkëtuar nga klientët”, thonë burimet e kompanisë. .
Deri në fund të vitit, OSHEE parashikon të arkëtojë nga energjia e faturuar rreth 54 miliardë lekë, ose 10% më shumë nga 2014-ta. Në muajin Korrik, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2014, vlera e arkëtimeve është rreth 49% më shumë. Në fund të vitit gjithashtu OSHEE synon të arrijë humbjet në masën e 31.8% me një reduktim 6%, krahasuar me vitin 2014.
Në Janar 2013, kur OSHEE kaloi në administrim të përkohshëm nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE), situata financiare ishte mjaft e përkeqësuar, duke rrezikuar falimentimin për shkak se humbjet për vitin 2012 ishin rreth -38 miliardë lekë, totali i detyrimeve -79 miliardë lekë, humbjet e energjisë 51,1%. Kompania vazhdoi të shënonte rezultate negative me -27 miliard lekë, ndërsa humbjet e energjisë në 45%.
Në vitin 2014 kompania u fokusua në frenimin e përkeqësimit të situatës financiare, ku për pasojë, humbjet e energjisë elektrike u ulën 6.93%, të ardhurat u rritën me 9.5 miliard lekë dhe shpenzimet u ulën 13 miliardë lekë. Por megjithë përmirësimin e disa tregueve financiare, OSHEE rezultoi me një humbje rreth -4.5 miliardë lekë, detyrimet e shoqërise u rritën rreth 5 miliard Lekë dhe nga 99.4 miliardë lekë në fundvitim 2013, shkuan në 104.4 miliardë lekë.
Në Tetor 2014 me kalimin e 100% të aksioneve në pronësi të qeverisë, OSHEE ndërmorri masa thelbësore bazuar në Planin e Rimëkëmbjes për Sektorin Energjetik. Deri në fund të vitit 2014 në muajt Nëntor-Dhjetor, humbja e energjisë u ul 15% krahasuar me 2013, nga 53% në Dhjetor 2013 në 37.5% në Dhjetor 2014, ndërsa arkëtimet u rritën me 42% krahasuar me Dhjetorin e 2013-s.