OSHEE çliron 51.500 konsumatorë nga faturat dhe gjobat arbitrare
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë elektrike, pasi ka analizuar me përgjegjshmëri të plotë ankesat e disa mijëra konsumatorëve, bazuar ne Vendimin e ERE, të vitit 2010 për energji të pamatur dhe dëm ekonomik ndaj konsumatorit përmes faturash afrofe e gjobash arbitrare, do të marrë sot zyrtarisht vendimin në mbështetje të të gjithë atyre konsumatorëve të prekur nga kjo padrejtësi e madhe.
Lajmi u bë i ditur nga Kryeministri Edi Rama gjatë një konference për shtyp. Kjo do të thotë tha ai se, bazuar në këtë vendim, 51.500 konsumatorë, fitojnë më në fund të drejtën e tyre dhe çlirohen nga këto detyrime të padrejta.
Po ashtu, këtyre do t’ju shtohen edhe 2400 konsumatorë, të cilët në bazë të disa vendimeve nominative të ERE qysh prej vitit 2011, kanë të njëjtën të drejtë.
“Pra, nga futja në rrugën e ligjshmërisë në raport me energjinë elektrike, OSSHE jo vetëm mbledh detyrimet e konsumatorëve ndaj kompanisë, po për herë të parë në historinë e turpshme të tranzicionit në këtë sektor kritik, njeh njeh detyrimin e vet ndaj 53.900 konsumatorëve në masën e 41.8 miliardë lekëve ose 41.8 milionë dollarëve”, u shpreh Kryeministri Rama.
Sipas Kryeministrit, ky është botëkuptimi i ri qeverisës në Shqipëri. Kjo, vijoi ai, është përgjegjësia e re dhe e panjohur më parë e qeverisë së Shqipërisë. “Kështu ndërtohet shteti modern i shqiptarëve, të cilët duhet të kontribuojnë të gjithë për shtetin e tyre me atë që u takon, po duhet të marrin nga shteti i tyre çdo gjë që u takon”, tha Rama.
Kryeministri po ashtu informoi se po studiohet edhe për një trajtim të veçantë për njerëzit e zonave të prekura lidhur me borxhet e energjisë. “Sot nuk mund të them më shumë, por shumë shpejt do të kemi një alternativë të favorshme për ta. Dhe, në këtë aspekt, me njerëz të zonave të përmbytura unë nuk kam parasysh vetëm ata që janë sot të përmbytur, po edhe ata të shkretët lart në Shkodër e në nën Shkodër, të cilët u braktisën nga qeveria e shkuar”, tha Kryeministri Rama në konferencën për shtyp mbajtur të premten në selinë e Kryeministrisë.