OSHEE del nga kriza, me bilanc pozitiv pas vitesh
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike raportoi dje se për herë të parë pas shumë vitesh regjistroi një bilanc pozitiv. Kështu, përmes një njoftimi zyrtar, OSHEE-ja bëri të ditur se gjatë vitit të kaluar regjistroi 14.9 miliardë lekë ose mbi 120 milionë dollarë fitime. Sipas kompanisë ky është viti i dytë që treguesit financiar shënojnë përmirësim të ndjeshëm. Në 2013-ën, OSHEE-ja regjistroi 27 miliardë lekë humbje ndërsa në 2014, humbjet ranë në 4.5 miliardë lekë. Sipas kësaj kompanie, përmirësimi i bilancit është rezultat i uljes së humbjeve në rrjet dhe rritjes së arkëtimeve nga energjia e faturuar.
Kompania arkëtoi 65.7 miliardë lekë vitin e kaluar me një rritje prej rreth 33% krahasuar me 2014-ën. Nga ana tjetër, humbjet e energjisë elektrike në rrjet ranë nga 37.8% që ishin në 31.3%. “Niveli i humbjeve, sipas të dhënave, për vitin 2015 u ul në 31.3%. Një vit më parë ato ishin 37.8% ndërsa në vitin 2013 arrinin në 45%”, citon OSHEE-ja. Gjithashtu, përmirësimi i treguesve dhe shëndoshja e bilancit, sipas kësaj kompanie i kanë bërë asaj të mundur që vitin e kaluar të financojë 7.5 miliardë lekë investime me fondet e veta ndërsa këtë vit shifra pritet të arrijë në 12 miliardë lekë.
“Gjatë vitit 2015, investimet ishin 7.5 miliardë lekë me fonde të OSHEE, lekë për kryerjen e investimeve ndërsa gjatë vitit 2016 me fondet e OSHEE por dhe ato të projektet të Bankës Botërore për rimëkëmbjen e sektorit energjetik planifikohet të investohen deri në 12 miliardë lekë (7.7 miliardë nga OSHEE dhe pjesa tjetër nga donatori)”, bën të ditur Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.