OSHEE: Humbjet e energjisë në rrjet, më të ulëtat në 5 vitet e fundit

 

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka publikuar të dhënat e treguesve të muajit shtator dhe rezultatet progresive të 9-mujorit të këtij viti. Niveli i arkëtimeve në total, si 9-mujor ka arritur në rreth 500 milionë USD, ndërsa vetëm në muajin shtator rezulton të jenë arkëtuar 52 milionë USD. Krahasuar me të njëjtën periudhë 9-mujore të vitit 2014 janë arkëtuar 150 milionë USD më shumë, ndërsa krahasuar me vitin 2013 kjo diferencë shkon në 200 milionë USD më shumë.

Gjithashtu, të dhënat zyrtare të OSHEE-së tregojnë se totali i humbjeve në të 10 zonat në janar-gusht për vitin 2015 ishte 31.7%, ndërsa në të njëjtën periudhë të një viti më parë ishte 39.9%. Ulja e humbjeve në përqindje është 8.2%. Ndërsa humbjet në total si 8-mujor, tekniket dhe jotekniket, arritën në 31.72%, nga 39.4% që ishin në të njëjtën pjesë të vitit 2014, dhe 44.3% të regjistruara në 8-mujorin e parë 2013. Zona me humbjet më të pakta të energjisë në rrjetin e shpërndarjes është Gjirokastra, me 23.4% të energjisë së transmetuar. Në gjashtë muajt e parë të vitit të shkuar humbja në rrjet në zonën e Gjirokastrës ishte 27.4%. Zona që ka shënuar uljen më të madhe të humbjeve në janar-gusht është Fieri, me 9.8%. 

 

SHKARKO APP