OSHEE: S’ka shtyrje, afati për borxhin deri në 28 shkurt
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) u ka bërë thirrje të gjithë abonentëve debitorë që të nxitojnë për të nënshkruar marrëveshjen lehtësuese të shlyerjes së detyrimeve brenda afatit të vendosur nga qeveria. I cili sjellim në mendje se është data 28 shkurt dhe brenda tij, parashikohet që kjo kategori të kertë mundësi të firmosë për marrëveshje pagese me këste të borxheve të trashëguara të energjisë elektrike. "Duhet t'u bëj thirrje që të shpejtojnë sepse deri në datë 28 shkurt mbaron ky afat që u ka dhënë qeveria dhe kompania për të hyrë në marrëveshje me këtë të fundit. Pas kësaj date nuk do të ketë një mundësi të dytë", tha lidhur me një fakt të tillë administratori i OSHEE-së, Ardian Çela. Kujtojmë se kreu i OSHEE-së i bëri këto deklarata gjatë nënshkrimit të një marrëveshje bashkëpunimi me ministrin e Mirëqënies Sociale, Erjon Veliaj. Sipas marrëveshjes në fjalë, OSHEE-ja do të ofrojë trajnimin, por edhe mundësi punësimi për inxhinierët e rinj që dalin nga shkollat profesionale publike. "Inxhinieri më i ri i minierave është 65 vjeç, inxhinieri më i ri i naftës është 67 vjeç. Sot shumë prej këtyre personave që kanë këtë profesion janë larguar nga Shqipëria ose janë dekurajuar të rinjtë që të marrin këtë zanat. Mesazhi që duam të japim sot për të paktën 1500 vende vakante që shumë shpejt do të krijohen nga kompania, dhe më pas rreth 300 në vit, për shkak të punonjësve që dalin në pension, është një lajm i mirë për ata që ndjekin arsimin profesional", tha nga ana e tij, ministri Veliaj. Duke shtuar më tej se formimi i specialistëve të rinj, është pjesë e reformës për modernizimin dhe ringritjen e sistemit energjetik shqiptar.