OSHEE: Vetëshërbim online për faturat dhe ankesat

 

Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, shoqëruar nga Administratori i OSHEE-së, Adrian Çela, promovuan sot një prej shërbimeve më të reja të kompanisë në fushën e kujdesit ndaj klientit.

OSHEE ka filluar vendosjen në qendra publike dhe tregtare të paisjeve të quajtura “infokioska”. Ato janë konceptuar si ‘sportele’ vetëshërbimi që garantojnë një sistem të sigurtë, transparent, të shpejtë dhe efektiv. Përmes këtyre paisjeve elektronike, qytetarët në kohë reale munden të njihen me faturat e energjisë, të paguajnë faturat online, të njihen me statusin e ankesë/kërkesave të tyre ose të depozitojnë një të tillë. Kjo pajisje praktike dhe lehtësuese për abonentët, mundëson marrjen e informacioneve në kohë reale, duke evituar rradhët e gjata pranë Qendrave të Kujdesit ndaj Klientit (KNK).

Ministri Gjiknuri deklaroi se përmirësimi i situatës financiare të sektorit dhe të vet kompanisë përkthehet në shërbime më të mira për qytetarët. “Shërbime më të mira për sa i përket furnizimit me energji që kërkon kohën e vet, vite dhe investime. Pse jo edhe me pak para, të përmirësojmë bazën e shërbimit me klientin. Konsumatori shqiptar, sa më shumë i bashkohet formalizimit të tij në sistem, aq më tepër kërkon shërbim cilësor. Qëllimi ynë është pikërisht që të ofrojmë shërbime alternative dhe korrekte përmes formave moderne online”, theksoi ministri.

Sipas tij, është me shumë rëndësi që qytetarët të fillojnë ta ndjejnë kompaninë si të tyren. “Në fund të fundit, duhet të jetë e qartë se kjo është kompania e të gjithë shqiptarëve. Të gjitha masat e qeverisë shqiptare kanë patur për qëllim që qytetarët shqiptarë ta ndjejnë veten si aksionerë të kësaj kompanie, të këtij aseti kombëtar. Çdo pagesë e tyre e rregullt përkthehet në investime për furnizimin dhe përmirësimin e shërbimit”, u shpreh ministri.

Administratori i OSHEE-së sqaroi se gjatë këtij viti janë hedhur hapat e para për modernizimin e shërbimit ndaj klientit dhe viti 2016 do të shënojë një ndryshim edhe më të dukshëm. “OSHEE e ka në fokusin e saj gjithnjë e më tepër përmirësimin në mënyrë të dukshme të marrëdhënies me klientin. Gjatë këtij viti kompania mori disa nisma për krijimin e kompanive alternative për shërbimin e pagesës si përmes telefonit, pikave të këmbimit valutor etj. Në këto sportele ka rritje të ndjeshme të veprimeve nga abonentët. Vetëm në muajin tetor u regjistruan 120 mijë pagesa nga sportelet ndërsa nga shkurti janë mbi 820 mijë pagesa në formë elektronike”, u shpreh Çela.

Infokioskat, sqaroi Çela, si produkti më i ri po vendosen së pari në Tiranë, Durrës dhe Elbasan. “Synimi është që brenda janarit të shtrihemi në të gjithë territorin e Shqipërisë. E nismë me këto tre qytete pasi këtu kemi filluar edhe me shërbimin online në të njëjtën kohë. Në këto sportele qytetarët mund të marrin informacion për faturën, të paguajnë direkt faturën me kartë krediti, të marrin informacion për ankesat e tyre ku kanë ngelur. Në këtë formë rritet transparenca dhe punonjësi i kompanisë është përpara një monitorimi edhe më të madh”, sqaroi Çela.

SHKARKO APP